Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj takim zyrtar në Tiranë me Ministrin e Drejtësisë së Kosovës Selim Selimi - Bashkëpunim i ngushtë për punë reale të përbashkëta - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/09/2020

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj takim zyrtar në Tiranë me Ministrin e Drejtësisë së Kosovës Selim Selimi – Bashkëpunim i ngushtë për punë reale të përbashkëta

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj takim zyrtar në Tiranë me Ministrin e Drejtësisë së Kosovës Selim Selimi – Bashkëpunim i ngushtë për punë reale të përbashkëta

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj priti sot delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, të udhëhequr nga Ministri Selim Selimi. Ministrja Gjonaj dhe Ministri Selimi diskutuan gjerësisht për ecurinë e reformave në drejtësi, agjendën legjislative, nismat për fuqizimin e luftës kundër korrupsionit në të dyja vendet, forcimin e bashkëpunimit juridik, si dhe këmbimin e përvojave në aspektet pozitive për të përfituar sa më shumë nga praktikat e mira të njëra-tjetrës për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi.

Ministrja Etilda Gjonaj theksoi se “Jemi të gatshëm të kemi një bashkëpunim të fuqishëm për pune reale të përbashkëta, me arritje të mirëpërcaktuara dhe jemi të nderuar të punojmë sëbashku për reforma domethënëse, duke dhënë eksperiencën tonë dhe modelin e Reformës në Drejtësi”.

Nga ana e tij Ministri Selimi u shpreh se përcaktimi i modeleve më të mira të proceseve si ai i vetting-ut dhe eksperienca e Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë në këtë kuadër është një ndihmesë kuptimplotë në sfidën e shtetit të Kosovës për të ndërtuar një mekanizëm të përhershëm kontrolli për drejtësinë në Kosovë.

Të dy ministrat folën edhe për një nga betejat më të rëndësishme, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si themel per shtetet tona dhe imazhin e tyre në rrjedhat globale, për të cilën u pajtuan se duhet qasje e guximshme dhe ndërtimi i politikave të reja, për të dëshmuar një vullnet të ri për të ecur përpara, me synimin për të hapur perspektiva të reja për zhvillimin e vendeve tona dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në familjen europiane.