Ministrit Manjani merr pjesë në forumin mbi efektivitetin e Gj. Administrative - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 19/07/2016

Ministrit Manjani merr pjesë në forumin mbi efektivitetin e Gj. Administrative

Konfindustria në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” organizuan forumin e diskutimit me temë “Monitorimi i efektivitetit të Gjykatave Administrative, në vitin e dytë të punës”. 

Gjatë këtij forumi ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani u prezantua një sondazh me të dhëna të marra nga bizneset, lidhur me problematikat dhe rekomandimet e këtyre të fundit përkundrejt aktivitetit të punës së Gjykatave Administrative.

Më poshtë mesazhi i Ministrit Manjani gjatë këtij forumi:

“Pavarësisht një sinjali pozitiv që vjen në këtë sondazh, që sigurisht unë jam i lumtur, më besoni që nuk jam fare i kënaqur me situatën që jemi në Gjykatën Administrative dhe kjo sigurisht nuk vjen më së shumti për faj të gjykatës, por për faj të disa keq-llogarive në menaxhimin e çështjeve gjyqësore, në mënyrë të veçnatë pas një vendimi të një trupe unifikuese të Gjykatës së Lartë, e cila vendosi që një stok çështjesh që kishte të bënte me  çështjet e marrëdhënies së punës dhe të pensionit, t’ia transferonte automatikisht Gjykatës Administrative, transferim i cili nuk u shoqërua me rritjen e numrit të gjyqtarëve.

Megjithatë të paktën gjykimi në shkallë të parë përveç vështirësive të vonesave, që janë më së shumti objektive, përsëri ecin disi, por kur vjen çështja e gjykimit në apel, aty fillojnë mallkimet. Është një situatë që kemi një stok çështjesh. Në këtë situatë megjithë propozimin dhe vendimin e KLD-së për të shtuar gjyqtarët e apelit, përsëri është një situatë e pamundur, që dmth edhe sikur ne të kemi në dorë të shtojmë jo një trup gjykues, por edhe 10 trupa gjykuese, përsëri nuk është zgjidhje në kuptimin e menaxhimit të këtyre çështjeve. Atëherë ju kemi sugjeruar dhe i sugjerojmë gjykatës që të marri sa më shume vendime të natyrës tip, pra të natyrës standartizuese dhe kjo ndoshta do ta thjeshtëzonte vendimmarrjen e trupave gjykues, për të parë nëse vendimet e çështjeve konkrete përputhen me vendimin tip apo jo dhe kështu evadohet një numër i madh çështjesh. Kjo mund të ishte një zgjidhje.

Unë i kërkoj ndjesë publikisht të gjithë bizneseve që nuk jemi në gjendje sot t’i shërbejmë shpejt, në rrugë gjyqësore. Por ma besoni se do përpiqemi të gjithë bashkë të gjejmë një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur. Në zyrën time ka shumë kërkesa me të drejtë, nga komuniteti i biznesit, për evadimin e shpejtë të këtyre çështjeve. Me kryetarët e gjykatave kam bërë shpesh përpjekje, përpiqemi t’i bëjmë ballë sepse edhe burimet njerëzore janë të kufizuara. Kini parasysh që një gjyqtar në Gjykatën Administrative përveçse duhet të jetë një gjykatës me shkollën e Magjistraturës, duhet të ketë kaluar sipas ligjit edhe një test të posaçëm për këtë çështje. Transferimet nga një gjykatë me juridiksion tjetër në gjykatën administrative janë me kufizim, pra mund të jenë vetëm të natyrës së përkohshme. Insistojmë që rritja e numrit të gjyqtarëve nuk është domosdoshmërisht zgjidhja, sepse bashkë me rritjen e numrit të gjyqtarëve po na ndodh që shtohet numri i çështjeve, në një disproporcion krejtësisht të dukshëm erdhi edhe stoku i çështjeve. Kështu që në këtë pjesë them që e gjithë përpjekja jonë është si të gjejmë një zgjidhje të shpejtë, por sigurisht pa cënuar edhe cilësinë e vendimit, sepse në fund fare ka të bëjë me të drejtat e njeriut.

Më besoni dhe këtë ua them me përgjegjësi edhe si anëtar i Qeverisë, nuk është as kënaqësi e Qeverisë Shqiptare që të konstatojë këtë gjë, qoftë edhe për faktin se u shtyka për ca kohë gjyqi dhe shtyhet detyrimi për të ekzekutuar, nuk është kjo. Sepse një ditë ata detyrime nëse do jenë kundër qeverisë, do duhet të zbatohen dhe nuk është kjo po themi mënyra e duhur. Padyshim po shohim akoma mundësinë bashkë më Avokatin e Shtetit që, një pjesë e çështjeve të zgjidhen qoftë edhe me tërheqje ankimi. Deri më sot kemi arritur të sigurojmë vetëm një trupë gjyqësore shtesë në Gjykatën e Apelit dhe nuk kemi arritur, për arsye objektive, për arsye se diskutimi, apo debati i tejzgjatur mbi reformën në drejtësi na ka bllokuar edhe disa nisma ligjvënëse që ne i kishim marrë për rregullimin e ligjit për Gjykatën Administrative, me qëllim që të plotësonim disa vende vakante që janë në shkallën e parë.

Arsyeja pse u krijua Gjykata Administrative, këtë e dini shumë mire, ishte pra që të shërbeni shpejt. Pavarësisht arsyeve unë dua që të mos e lejojmë kompromentimin e këtij qëllimi. Qëllimi në këtë rast është t’i përdorim gjykatat në funksion të rritjes ekonomike dhe përmirësimit të klimës të së biznesit, sepse kjo është e rëndësishme.

Në gjykimin administrativ më vjen mirë që ka disa tregues pozitivë, e vetmja gjë është rritja e shpejtësisë së gjykimeve, që është reale. Unë mbetem shumë i vendosur, shumë i hapur dhe transparent për cilindo që ka një ankesë për këdo gjykatës, sjellje apo në tërësi të sistemit gjyqësor administrativ në proces, e rëndësishme është që ne të fokusohemi në gjetjen e këtyre zgjidhjeve.

Përgëzoj sigurisht trupën gjyqësore për të gjithë sjelljen në raport me ngarkesën, nuk është një gjë e thjeshtë, ngarkesa është e jashtëzakonshme, megjithatë në qoftë se ka një radhë gjykimi, do respektohet radha e gjykimit. Barazia para ligjit nuk mund të kompromentohet dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme për ta kuptuar për të gjithë ata që paraqesin një ankesë në lidhje me vonesat”.