Ministria e Drejtësisë zhvillon tryezën e radhës së konsultimit publik për reformën e kthimit dhe kompensimit të pronave. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 31/07/2015

Ministria e Drejtësisë zhvillon tryezën e radhës së konsultimit publik për reformën e kthimit dhe kompensimit të pronave.

Në vijim të tryezave të prezantimit publik të realizuara në datat, 16 dhe 21 Korrik 2015, sot në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua tryeza e radhës e konsultimit mbi projektligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronës”.

 

Në këtë tryezë u thirrën dhe morën pjesë përfaqësues nga grupet e interesit që përfaqësonin shoqatat e pronarëve, përfaqësues të lartë të institucioneve publike, si Kryeministria, Ministria e Financave, AKKP, Avokatura e Shtetit, përfaqësues nga Avokati i Popullit, ALUIZNI, ZQRPP, institucione të tjera qëndrore dhe Agjencitë Publike të lidhura me çështjen e pronave.

 

Në tryezë të gjithë përfaqësuesit e grupeve të interesit, diskutuan duke shprehur opinionet, kundërshtimet apo sugjerimet e tyre mbi draftin e ri të ligjit.

 

Tryeza udhëhiqej nga Ministri i Drejtësisë, i cili në këtë takim konsultativ, diskutoi me të pranishmit, ku ripërsëriti edhe një herë qëndrimin se:

 

“Reforma e çështjes së pronave është çështje me rëndësi kombëtare. Kjo reformë është ndreqja e një gabimi historik, që regjimi i mëparshëm e krijoj, dhe që solli për vite me radhë, pasoja të rënda sociale në jetën e shtresës së pronarëve. Ministri Naço, theksoi faktin se ne gjithmonë kemi folur hapur dhe kështu do të vazhdojmë të flasim me Ju, pasi ne nuk i druhemi kapitalit politik që mund të humbasim apo që mund të fitojmë, kjo çështje duhet zgjidhur”, theksoi z.Naço.

 

“E kam thënë edhe më parë se fatura e zgjidhjes së kësaj çështje është e lartë dhe zgjidhja që do t’i ofrohet shqiptarëve, do të ketë ndikim në jetën e brezave që do të vijnë.

 

Prandaj kjo çështje përveç se duhet të jetë ligjore dhe kushtetuese, ajo kërkon një pakt kombëtar dhe për këtë duhet ta konsultojmë me të gjithë dhe në të mirën e të gjithëve.

 

Ne mendojmë se ky projekt është në përputhje me parimet kushtetuese dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në balancë të plotë me interesin publik.

 

Nëpërmjet këtij ligji ne gati kemi 20-fishurar angazhimet e qeverisë kundrej shtresës së pronarëve, jo si qeveritë e kaluara ku me mënyrën e zgjedhur kjo çështje nuk mund të zgjidhej kurrë. Ne jemi të hapur të dëgjojmë, por dhe të shqyrtojmë çdo propozim tuajin që është i realizueshëm.

 

Ne mendojmë se ky projektligj rregullon proçesin e kthimit dhe kompensimit të pronës në origjinën e vet, nëpërmjet korrigjimit për aq sa është e mundur të padrejtësive të regjimit të kaluar.

Duhet të kujtojmë që barra financiare që qeveria merr përsipër me këtë projektligj është e madhe. Megjithatë, ne kemi zgjedhur që këtë vlerë ta adresojmë në favor të pronarëve dhe për këtë kërkojmë sërish mendimin tuaj. Pikërisht kjo është dhe arësyeja që jemi mbledhur sërish sot bashkë.

Ne kemi vullnetin e plotë, për ta zgjidhur, ju na ndihmoni me variante të mundshme në funksion të zgjidhjes së saj.

 

Jemi të vendosur që zgjidhjen e kësaj çështje ta konsultojmë me të gjithë, me ju si përfaqësues të pronarëve, me shoqërinë civile, me të gjithë aktorët e përfshirë, gjë që do ta bëjmë në vijimësi, deri në momentin e miratimit të kësaj reforme në Kuvend”, e mbylli fjalën e tij Ministri Naço.