Ministria e Drejtësisë do të kalojë në Qeveri Projekt-Ligjin e Posaçëm për Arbitrazhin - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 19/10/2020

Ministria e Drejtësisë do të kalojë në Qeveri Projekt-Ligjin e Posaçëm për Arbitrazhin

Në mungesë të një ligji të posaçëm për Arbitrazhin, Ministria e Drejtësisë ka vlerësuar se është e rëndësishme që Shqipëria të përgatisë kornizën ligjore për rregullimin e arbitrazhit vendas dhe ndërkombëtar. Brenda pak ditësh projekt-ligji i posaçëm për Arbitrazhin do të kalojë për shqyrtim në Këshillin e Ministrave.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaron se ‘Përcaktimi i rregullave kombëtare për zhvillimin e arbitrazhit është vlerësuar si një nga prioritetet e Qeverisë Shqiptare, që ndërmerret në përputhje me programin politik të qeverisë 2017-2021, në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës, garantimit të të drejtave të njeriut, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve midis shtetit dhe palëve private, apo palëve private me njëra-tjetrën dhe kundrejt detyrimeve të marra përsipër ndërkombëtarisht’.

Ministrja Gjonaj vlerëson se miratimi i këtij projektligji dhe një mjedis i mirërregulluar i fushës së arbitrazhit do të sillte impakt pozitiv për të gjitha grupet e interesit, ku vlen të veçohet komuniteti i investitorëve dhe bizneseve të huaja në vend, zhvillimi i mëtejshëm i të cilëve do të pasjellë më shumë të hyra në buxhetin e shtetit dhe ndikime pozitive në ekonominë e vendit, duke i mundësuar kësisoj qeverisë të kryejë më shumë investime publike.

Miratimi i një ligji të posaçëm për Arbitrazhin do të sjellë rezultate pozitive në drejtim të konsolidimit të kuadrit ligjor për arbitrazhin, në kushtet kur projekt-akti përmban dispozita që rregullojnë si arbitrazhin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar. Përkatësisht, këto dispozita përfshijnë të përshtatura parashikimet e Konventës së Nju Jorkut ku aderon Shqipëria, konkretisht dispozitat që rregullojnë në parim detyrimin e shtetit për të njohur vendimin dhe marrëveshjen e arbitrazhit, si dhe dispozitat që rregullojnë paraqitjen e kërkesës për njohje.

Projektligji është hartuar nga Ministria e Drejtësisë me asistencën teknike të projektit “Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” (EURALIUS V) dhe do të paraqitet shumë shpejt për shqyrtim dhe miratim pranë Këshillit të Ministrave dhe më tej në Kuvend.

Projektligji i është nënshtruar një procesi të gjatë të konsultimit publik dhe i është nënshtruar një vlerësimi të  kujdesshëm të profesionistëve të drejtësisë si pedagogët së drejtës civile pranë Fakultetit të Drejtësisë, profesorë të Shkollës së Magjistraturës dhe ekspertë të fushës, të cilët me punën e tyre kanë kontribuar në përmirësimin e projektligjit.

Arbitrazh është një mënyrë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, e cila konsiston në një teknikë ligjore të krijuar me qëllim që t’i japë një zgjidhje një cështjeje që ka të bëjë me marrëdheniet midis dy ose më shumë personave, nga gjykimi i një ose më shumë personave të tjerë – arbitri ose arbitrat, të cilët ushtrojnë autoritetin e tyre në bazë të një marrëveshje private të palëve dhe vendosin në bazë të kësaj marrëveshje pa qenë të ngarkuar nga shteti me një mision të tillë”.

Arbitrazhi konsiderohet si një nga mënyrat alternative dhe më efikase të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe është bërë një nga mënyrat më të zakonshme dhe frytdhënëse kryesisht në fushën tregtare ndërkombëtare. Karakteristikë themelore e arbitrazhit është zgjedhja private dhe jashtë juridiksionit gjyqësor të zakonshëm të mosmarrëveshjeve. Bizneset dhe jo vetëm, janë të interesuara në zgjedhjen e shpejtë dhe jo-burokratike të mosmarrëveshjeve.

Procedura e arbitrazhit është transparente dhe ofron mjete të kontrollit të procedurës nga palët.

Si përparësitë kryesore të arbitrazhit ndaj gjykatave, konsiderohen: fleksibiliteti; efikasiteti në kohë dhe shpenzime; plotfuqishmëria e vendimit të arbitrazhit dhe  konfidencialiteti i procedurës dhe vendimeve.