Ministri i Drejtësisë z.Ulsi Manja tha se me z.Vincenzo Del Monaco, ambasador i OSBE në Shqipëri, u takua në Ministrinë e Drejtësisë për urimet e rastit, por dhe për punë konkrete.
Ministri z.Manja theksoi se ambasadorit z. Del Monaco i shprehu falenderimet për mbështetjen e vazhdueshme të OSBE, në promovimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe trafikimit, dhe për programet e transparencës me publikun.
“Bashkë me z.Del Monaco dhe ekspertët ligjorë të OSBE-së të pranishëm në takim, diskutuam për vijimësinë e të gjitha projekteve me Ministrinë e Drejtësisë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës efektive kundër korrupsionit në administratën publike”-tha z.Manja.
OSBE do të vazhdojë me trajnimin e posaçëm të punonjësve që monitorojnë sistemin 41/b në burgje, si dhe në realizimin e një analize për efektin e reformës së Drejtësisë te publiku.
Ministri z.Manja tha po ashtu se me Kryetarin e Prezencës së OSBE-së, z.Del Monaco dakordësuan një axhendë konkrete pune për të vijuar me bashkëpunimin në nivel teknik midis OSBE-së dhe Ministrisë së Drejtësisë duke listuar prioritetet tona.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.