Ministri i Drejtësisë, z.Nasip Naço ka pritur sot në një takim kortezie Kreun e Zyrës së KiE-së në Tiranë, z. Marco Leidekker, mandati i të cilit në këtë detyrë përfundon në fund të muajit shtator.
Ministri Naço theksoi se bashkëpunimi midis institucionit që ai drejton me Zyrën e Këshillit të Europës në Tiranë gjatë periudhës që z.Leidekker drejtoi këtë zyrë, ka qenë cilësor dhe shprehu mirënjohjen për punën e bërë gjatë periudhës së ushtrimit të mandatit prej tij.
“Ministria e Drejtësisë do të vijojë me po të njëjtën frymë bashkëpunimi me Zyrën e KiE-së në Tiranë, edhe me pasardhësin tuaj”, theksoi z. Naço.
Z.Leidekker gjatë bashkëbisedimit evidentoi dhe vlerësoi mikëpritjen e treguar nga z. Naço gjatë ushtrimit të detyrës si Ministër i Drejtësisë, për të diskutuar me drejtuesit dhe ekspertët e KiE-së, çdo detaj të lidhur me çështjet e fushës së veprimtarisë që mbulohet nga Ministria e Drejtësisë.
Ndërkaq, Ministri Naço theksoi se në këto momente kyçe të kristalizimit të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, asistenca e Zyrës së KiE-së në Tiranë është jo vetëm e mirëpritur, por dhe një mbështetje e madhe që kjo reformë të realizohet sipas kushteve dhe kërkesave për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Ministri Naço theksoi faktin se Shqipëria ka vuajtur nga zbatimi i sistemeve mikse, midis lindjes dhe perëndimit dhe kjo e ka dëmtuar sistemin tonë të drejtësisë. Për këtë i kam kërkuar dhe i kërkoj ekspertëve evidentimin e një modeli të përshtatshëm për t’u zbatuar në vendin tonë, i cili të jetë i përzgjedhur nga modelet e një prej vendeve të Bashkimit Europian.
“Bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë me Zyrën e KiE-së ka qenë i frytshëm dhe i një rëndësie të veçantë për sa i takon ndjekjes së parimeve themelore të Këshillit të Evropës si promovimi i demokracisë, forcimi i shtetit ligjor dhe të drejtat themelore të njeriut. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me KiE dhe ju shikojmë jo vetëm si partner, por dhe si garant për realizimin e procesit reformues të drejtësisë. Prania e Zyrës së KiE-së në Tiranë dhe ekspertëve tuaj është një mjet më shumë për ne, dhe kemi shumë për të përfituar nga përvoja juaj”, theksoi z. Naço
Ndërkohë, z. Leidekker theksoi se reforma në sistemin e drejtësisë duhet të realizohet në mënyrën më të mirë dhe në përputhje me standardet për të cilat Shqipëria kërkon të integrohet.
“Kjo reformë dhe cilësia e realizimit të saj mund ta çojë Shqipërinë 10-vjet përpara ose mbrapa, në varësi të përparimit të saj”, theksoi z.Leidekker.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.