Ministri Naço takon Ambasadorin e ri francez, z. Bernard Fitoussi - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 26/09/2014

Ministri Naço takon Ambasadorin e ri francez, z. Bernard Fitoussi

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, priti sot në takim Ambasadorin e ri të Francës, SHTZ. Bernard Fitoussi.

 

Duke i uruar suksese në detyrën e re, Ministri Naço e falenderoi diplomatin për ndihmën e dhënë gjatë këtyre viteve nga ana e shtetit francez për Shqipërinë në aspekte të ndryshme, gjatë rrugës së zhvillimit të vendit tonë.

 

Ai gjithashtu, e informoi rreth vizitës së tij në Francë, duke e cilësuar atë si shumë të rëndësishme dhe duke vlerësuar pritjen që autoritet më të larta i kanë bërë delegacionit shqiptar.

 

“Gjatë vizitës mora mbështetje në lidhje me hapat e hedhura nga Shqipëria drejt realizimit të aspiratave evropiane. Ne kemi nevojë për ndihmën dhe asistencën tuaj në drejtim të gjykatave administrative, më konkretisht për trajnimin e gjykatësve dhe administratës së këtyre gjykatave. Ndër të tjera, një nga qëllimet e vizitës lidhej edhe me përfitimin e eksperiencës më të mirë të sistemit të drejtësisë franceze, veçanërisht përsa i takon sistemit francez të vlerësimit të gjyqtarëve.”- u shpreh ndër të tjera Ministri Naço.

 

Ministri e ka informuar Amb. Fitoussi edhe për organizimin e një konference ndërinstitucionale për reformën në drejtësi, duke shprehur besimin e tij se pas kësaj konference reformimi i sistemit gjyqësor do të bëhet mbi një emërues të përbashkët dhe me përfshirjen e të gjithë aktorëve.

 

Nga ana  e tij, Ambasadori i Francës, SHTZ. Bernard Fitoussi, i shprehu Ministrit të Drejtësisë vlerësimin e tij për kurajon me të cilën po përballon sfidat në sistemin e drejtësisë ndërsa theksoi se reforma në drejtësi ishte një kusht vendimtar për marrjen e statusit të vendit kandidat për antarësim në BE.

 

Duke u ndalur në tematikat e prekura nga ana e Ministrit, Ambasadori Fitoussi është shprehur mbi rëndësinë e së drejtës administrative, duke e cilësuar atë si një kod nderi mes qytetarëve dhe shtetit, si dhe një gur themeli për ngritjen e shtetit të së drejtës.

 

“Jam i gatshëm t’ju ofroj ndihmën time në dhënien e ekspertizës ndaj sfidave që lidhen me ecurinë e punës në gjykatat administrative në Shqipëri. Franca gjithashtu, mund t’ju vijë në ndihmë edhe nëse i referoheni eksperiencës së saj lidhur me fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit, pasi ajo ka një legjislacion mjaft të mirë e të konsoliduar në këto fusha.”– garantoi Ambasadori Fitoussi.

 

Nga ana tjetër, sipas Ambasadorit, edhe fusha e të drejtës së biznesit është një tjetër sektor ku mund të merret mbështetje dhe ekpertizë, ndërsa vuri në dukje një interes serioz të investitorëve francez ndaj vendit tonë.

 

Një pikë tjetër së cilës Ambasadori i kushtoi mjaft vëmendje gjatë diskutimit ishte edhe rëndësia e aksesit të qytetarëve në drejtësi.

 

Në lidhje me këtë temë, Ministri Naço e informoi Ambasadorin se për aksesin në drejtësi është menduar seriozisht në hedhjen e hapave të refomës së deritanishme.

 

Ambasadori Fitoussi e ka ftuar Ministrin Naço që së bashku me stafin e tij të nisin hartimin e një plani pune apo kalendari bashkëpunimi në terma konkretë, duke e ftuar që të ketë besim se mbështetja e shtetit francez do të jetë e pakursyer.