Ministri Naço takim me SHKBB-në, rekomandime për rritjen e sigurisë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 01/06/2015

Ministri Naço takim me SHKBB-në, rekomandime për rritjen e sigurisë

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka zhvilluar ditën e sotme një mbledhje me drejtues dhe inspektorë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, takim gjatë të cilit janë dhënë disa orientime lidhur me ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me ligjin.

 

Z. Naço është ndalur në rëndësinë që ka ky institucion përkundrejt mirëfunksionimit të sigurisë në sistemin e burgjeve, duke patur parasysh se fusha e veprimtarisë se këtij shërbimi lidhet me parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe hetimin paraprak të veprimtarisë së mundshme kriminale, e cila mund të kryhet nga punonjës të Policisë së Burgjeve, si dhe nga struktura të tjera të sistemit.

 

Ndërsa ka bërë një analizë të shkurtër të situatës aktuale në sistemin penitenciar, Ministri Naço vuri në dukje se pjesë e axhendës për një sistem funksional ishte edhe ristrukturimi dhe zgjerimi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

 

“Ne vlerësuam që nëse SHKBB –ve do të shtrihej në të gjitha IEVP-të, efikasiteti i luftës kundër fenomeneve negative brenda këtij sistemi do të ishte edhe më i madh. Tashmë ky shërbim do të funksionojë mbi bazat e një strukture të re, e cila ndër të tjera është trefishuar. ”, tha z. Naço

 

Ndër të tjera, në planin e punës së SHKBB-ve do të jetë edhe një monitorim i kujdesshëm i zbatimit të urdhërit lidhur me planin e masave për mbarëvajtjen e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, duke nisur që nga lejet shpërblyese apo të veçanta; ndalimin e vënies në përdorim të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të sistemit penitenciar për zgjedhjet vendore, në mbështetje të individëve kandidatë apo subjekteve zgjedhore; mospërfshirjen e punonjësve me uniformë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve por edhe stafit civil në fushatë, etj.

Ministri Naço ka paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj kujtdo që do të neglizhojë në kryerjen më përgjegjshmëri të detyrës, dukë cënuar dhe vënë në rrezik sigurinë e sistemit ndërsa ka theksuar domosdoshmërinë e ngritjes së një strukture ku do të punohet në mënyrë sistematike dhe jo me fushata të ndërprera.