Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço, priti në një takim z. James Hamilton, Ekspert i Komisionit të Venecias, takim ky i realizuar në kuadër të diskutimit mbi procesin reformues të sistemit të drejtësisë dhe diskutimit mbi dokumentin e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Sistemin e Drejtësisë “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri – 2015”.
Z.Hamilton shoqërohej në këtë takim nga znj. Artemiza-Tatiana Chisca, Kreu i Divizionit për Institucione Demokratike dhe të Drejtat Themelore, pranë Komisionit të Venecias.
Ministri Naço i bëri me dije ekspertëve të Komisionit të Venecias, një prezantim të shkurtër të ecurisë së deritanishme të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në tërësi.
Ministri Naço e informoi gjithashtu z. Hamilton mbi përfshirjen dhe kontributin e Ministrisë së Drejtësisë, përmes ekspertëve të saj, pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar dhe komentet e dokumentet e dërguara pranë tij, në fazën e parë të procesit.
Z. Hamilton, vlerësoi punën e bërë deri më tani nga Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni i Posaçëm Parlamentar si dhe dokumentin “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri–2015”. Ai gjithashtu shprehu gadishmërinë e Komisionit të Venecias për të dhënë asistencën e tyre për procesin i cili tashmë ka rëndësi shumë të madhe dhe që do të vijojë me hartimin, miratimin e ndryshimeve ligjore të nevojshme.
Gjithashtu theksoi se hartimi i ligjeve është i thjeshtë ndërsa reforma e vërtetë është implementimi me suskes i tyre, pikë kjo ku do të duhet të përqendrohet faza e dytë e reformës. Për këtë qëllim, kërkohet jo vetëm, pjesëmarrja e ekspertëve, por edhe përfshirja e vetë institucioneve që do të jenë pjesë e reformës.
Ministri Naço theksoi edhe njëherë se reforma në sistemin e së drejtës duhet të jetë e thellë dhe kjo mund të kërkojë ndryshime edhe të ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutës, për të vijuar më pas me ndryshimet e tjera. Ndaj asistenca e Komisionit te Venecias përbën një garanci për suskesin e kësajreforme.
Ministri Naço, shprehu edhe një herë gadishmërinë e qeverisë, për reformimin e institucioneve të drejtësisë si Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe jo vetëm.
“Qëndrimi i Qeverisë Shqiptare se opinionet e Komisionit Venecias mbi realizimin e kësaj reforme me rëndësi kombëtare janë më shumë se të nevojshme, është i pandryshueshëm”, theksoi z. Naço.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.