Ministri i Drejtësisë Nasip Naço priti sot në një takim delegacionin e Landtagut (Parlamentit) të shtetit të lirë të Bavarisë, të cilët vizitonin për herë të parë vendin tonë.
Delegacioni kryesohej nga z. Franc Schindler në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Kushtetutën, Ligjin dhe Çështjet Parlamentare pranë Landtag-ut Bavarez dhe përbëhej nga 7 anëtarë të tjerë, me një përvojë të madhe në fushën juridike.
Ky delegacion shoqërohej nga ambasadori gjerman në Shqipëri, z. Hellmut Hoffmann, si dhe nga drejtues në disa komisione parlamentare të Bavarisë.
Gjatë takimit me Ministrin Naço përfaqësuesit e delegacionit theksuan, se marrja e statusit të vendit kandidat është një arritje, që kërkon të vazhdohet me punë të mëtejshme.
“Vizita jonë konsistoi në ndjekjen nga afër të zhvillimeve pozitive në Shqipëri, që shpresojmë se do të vijojë edhe në kuadër të përpjekjeve tuaja për t’u antarësuar në BE. Po kështu, jemi në dijeni të vizitës suaj në Berlin, ku keni takuar homologun gjerman dhe jeni konsultuar për reformën në drejtësi, që natyrisht duhet t’i përshtatet modeleve të vendeve anëtare tëBashkimit Europian.”- u shpreh në fjalën e tij përshëndetëse kreu i delegacionit, Schindler.
Ministri i Drejtësisë Naço, nga ana e tij, falenderoi shtetin Gjerman si mbështetësin kryesor në marrjen e statusit të vendit kandidat.
Z. Naço tha se Shqipëria është e vendosur për të vijuar reformat e nisura, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Më tej, Ministri Naço u ndal në paraqitjen e disa prej arritjeve të deritanishme të nisura nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim reformimin e krejt sistemit të drejtësisë në vend, i cili sipas tij nuk ka funksionuar siç duhet gjatë viteve të fundit, duke shtuar kështu pakënaqësinë e qytetarëve.
“Ne po vijojmë me reformën në Gjykatën e Lartë dhe në të gjithë sistemin gjyqësor, pasi korrupsioni ka qenë një plagë e madhe e këtij sistemi. Në këtë kuadër, i kemi propozuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndjekjen e masave disiplinore deri në shkarkim të gjyqtarëve të korruptuar, dhe nga shtatori e deri më sot ky numër shkon në 20. Gjithashtu, ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale, ligjin Anti-Mafia dhe ndryshimet në imunitetin e zyrtarëve të lartë synojnë të luftojnë korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Për të gjitha këto ndryshime, ka punuar një grup këshillimor i ngritur rishtaz në Ministrinë e Drejtësisë, në përbërje të të cilit janë juristët më të mirë në vend, ish- ministra, pedagogë të jurisprudencës, të diplomuar të Shkollës së Magjistraturës, etj. Njëkohësisht, do të bazohemi në modelin më të mirë të sistemit të drejtësisë në vendet e zhvilluara europiane, ku padyshim sistemi i drejtësisë gjermane mbetet një nga më të përsosurit. Duke u konsultuar edhe me aktorët ndërkombëtarë, ne jemi të bindur se kjo reformë do të jetë e suksesshme. Ardhja e projektit Euralius IV, me ekspertë gjermanë të fushës ligjore, është një nga ndihmesat më të çmuara për reformën në sistemin e drejtësisë”, theksoi Ministri Naço.
Gjatë takimit theksi u vu edhe te puna e madhe që duhet bërë për të përmirësuar shtetin ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe krijimi i premisave të duhura për ta kthyer Shqipërinë në një vend të sigurt për investimet e huaja, me theksin kryesor rritjen ekonomike.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.