Ministri Naço pret në takim Bashkëraporterët e Këshillit të Evropës - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 29/06/2015

Ministri Naço pret në takim Bashkëraporterët e Këshillit të Evropës

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka pritur sot në një takim Bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Jonathan Evans dhe z. Andrej Hunko.
Temë qendrore e diskutimit me Bashkëraporterët e Këshillit të Europës, të cilët po zhvillojnë në Tiranë një vizitë fakt-mbledhëse, ndër të tjera ishte edhe ndjekja dhe zbatimi i rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (KiE), për respektimin e detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë, veçanërisht për “Reformën në Drejtësi dhe për Luftën Kundër Korrupsionit”.
Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço është ndalur në ecurinë e deritanishme të reformimit të sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe atij gjyqësor në veçanti, ndërsa ka shprehur vendosmërinë dhe vullnetin e Qeverisë Shqiptare në drejtim të luftës kundër korrupsionit.

Z. Naço vlerësoi se element me rëndësi në garantimin e suksesit në luftën kundër korrupsionit është edhe bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht mes atyre organizmave që kanë në fokus të punës së tyre evidentimin dhe luftën ndaj këtij fenomeni.
Bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë shprehur interes në lidhje me funksionimin dhe rezultatet e arritura nga Portali Antikorrupsion, fillimisht ai i Ministrisë së Drejtësisë, e më pas portali i integruar, si dhe janë ndalur edhe në rëndësinë që paraqet evidentimi i zërit qytetar lidhur me çdo rast të shprehur në lidhje me fenomenet korruptive.