Ministri Naço: Niveli i demokracisë së një vendi, matet nga gjendja e burgjeve të tij - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 25/02/2014

Ministri Naço: Niveli i demokracisë së një vendi, matet nga gjendja e burgjeve të tij

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka qenë sot i pranishëm në Komisionin e Ligjeve, në përfundim të së cilës është miratuar në parim projektligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”

Pas prezantimit të risive dhe lehtësirave që sjell ky projektiligj në sistemin penitenciar, Ministri Naço i është përgjigjur interesit të anëtarëve të komisionit në lidhje me disa çështje problematike që lidhen me funksionimin e sistemit të burgjeve.

Duke u ndalur në praktikën e ndjekur në lidhje me dhënien e lejeve shpërblyese gjatë drejtimit të mëparshëm, Ministri Naço deklaroi se janë vërejtur abuzime dhe për këtë arsye bëri me dije se ndaj 11 ish zyrtarëve të lartë të IEVP-ve në Republikën e Shqipërisë, do të bëhet kallëzim penal, pasi në mbi 70 raste ata kanë mundësuar dhënien e lejeve shpërblyese jashtë kritereve ligjore.

Më poshtë fjala e plotë e Ministri të Drejtësisë z. Nasip Naço:

Shpesh mbyllja e një njeriu në burg, në sistemin totalitar, ka qenë zgjidhja e problemit, ndërsa në sistemin demokratik dhe në një shtet ligjor, mbyllja e një personi në burg është problemi që duhet zgjidhur.

Shoqëria dhe shteti ligjor nuk duhet të harrojnë se i dënuari është pjesë e shoqërisë dhe duhet të trajtohet njerëzisht.

Këtu ne kemi filluar dhe do të vazhdojmë zgjidhjen e problemit, pasi jemi të vetëdijshëm se reformimi dhe dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë në tërësi, nuk do të kishte kuptim pa mirëadresimin dhe zgjidhjen e problematikave aktuale që mbart sistemi penitenciar në vendin tonë.

Ky sistem, na është trashëguar me një keqmenaxhim të theksuar, me emërime pa arsim përkatës dhe joprofesionale, të ndërtuar mbi bazën e emërimeve politike dhe korruptive.

Tregues është periudha Janar-Shtator 2013 e vitit elektoral, kur lejet shpërblyese dhe ato të veçanta janë dhënë pa asnjë kriter ligjor.

Ne besojmë se një administratë profesionale dhe e mirë trajnuar është garancia më e mirë edhe për një trajtim sa më njerëzor dhe në respekt të drejtave themelore për personat e privuar nga liria.

Jemi të vendosur që në çdo rast të respektojmë të drejtat dhe liritë e personave që vuajnë dënimin në këto institucione, por jemi po kaq të vendosur që të luftojmë në çdo rast korrupsionin qoftë politik, apo edhe elektoral.

Konceptet bazë të funksionimit të institucioneve të vuajtjes së dënimit janë rehabilitimi dhe ri-integrimi i të dënuarve në shoqëri.

  • Së pari kjo nënkupton respektimin e të drejtave bazë të njeriut,
  • si dhe krijimin e kushteve infrastrukturore të përshtatshme, sikurse parashikohen nga legjislacioni në fuqi dhe Konventat Ndërkombëtare për personat që vuajnë dënimin penal në institucionet përkatëse.

Përmirësimi i trajtimit të personave me liri të kufizuar dhe shndërrimi i dënimit penal në një mundësi për rehabilitim dhe riintegrim në jetën shoqërore, sikundër nënvizohet edhe në Raportet e Komisionit Evropian, është objektivi kryesor dhe sfida jonë prioritare.

  • Jemi të vendosur të fitojmë kohën e humbur apo mundësitë e shpërdoruara të deritanishme, në përmirësimin e tyre.
  • Jemi të vendosur të ndërtojmë një sistem penitenciar, ku ekzekutimi i dënimit me burgim bëhet duke respektuar dinjitetin e të dënuarit dhe përshkohet nga ndjenja njerëzore.
  • Do të sigurojmë që trajtimi i të burgosurve të bëhet pa njëanshmëri apo diskriminim, për shkak të seksit, kombësisë, racës, gjendjes ekonomike dhe shoqërore, pikëpamjeve politike dhe besimit fetar, në respektim të të drejtave dhe lirive të tyre,
  • Të dënuarve do t’u sigurohen kushte jetese të tilla, që ulin në minimum efektet paragjykuese negative të burgimit dhe ndryshimet me jetën e shtetasve të tjerë.

Reformimi i sistemit penitenciar, me fokus trajtimin e të dënuarve, janë ndër prioritetet kyçe të Ministrisë së Drejtësisë, në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe garantimit të të drejtave të njeriut, në përputhje me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira.

Për këtë qëllim kemi ndërmarrë një sërë iniciativash, për përsosjen e çdo hallke të mekanizmave të sistemit penitenciar dhe për zbatimin me rigorozitet të detyrimeve, që rrjedhin nga kuadri ligjor ekzistues, si dhe i rekomandimeve të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës dhe rekomandimeve specifike të Komitetit për parandalimin e torturës.

(i) Ndryshimet e bëra në ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” shënojnë progres jo vetëm në përmirësimin e kushteve për trajtimin e personave që vuajnë dënimin, por edhe në parandalimin e recidivizmit të sjelljes kriminale, përmes ri-integrimit të shpejtë të këtyre personave në shoqëri.

Këto ndryshime adresohen veçanërisht për kategorinë vulnerabël siç janë të miturit, personat me çrregullime të shëndetit mendor, personat me aftësi të kufizuar, etj.

Ky projektligj përbëhet nga 28 nene, të cilat rregullojnë çështje të tilla si:

  • trajtimi i të miturve,
  • trajtimi i të dënuarve me çrregullime të shëndetit mendor dhe me aftësi të kufizuar,
  • mbulimi nga skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor,
  • rehabilitimi social dhe riintegrimi,
  • individualizimi i të dënuarve,
  • përfshirjen në kategorinë e personave ekonomikisht joaktivë,
  • kërkesat dhe ankesat, masat disiplinore, rregullat e transferimit,
  • lejet shpërblyese dhe të veçanta,
  • mbrojtja e të dhënave personale,
  • kriteret e përzgjedhjes së stafit social, që punon me të dënuarit dhe të paraburgosurit,  etj.

Një fokus i veçantë në parashikimet e projektligjit i është kushtuar të drejtave dhe trajtimit të të miturve të dënuar, të kategorisë së personave me çrregullime të shëndetit mendor dhe të kategorisë së personave me aftësi të kufizuar duke u bazuar në parimin e interesit më të lartë të fëmijës, në ligjin nr. 44/2012  “Për shëndetin mendor”, në Raportin e fundit të Progresit për Shqipërinë të lëshuar nga Komisioni Evropian, për vitin 2013.

Për këtë është parashikuar që:

  • trajtimi i të miturve të dënuar, të mbështetet në parimin e interesit më të lartë të fëmijës.
  • të dënuarve me çrregullime të shëndetit mendor t’u garantohet trajtim i barabartë dhe pa diskriminim, duke respektuar integritetin fizik dhe dinjitetin njerëzor.
  • të dënuarve me aftësi të kufizuar t’u garantohen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, trajtimi jo diskriminues dhe mundësi të barabarta gjinore, duke marrë masa për aftësimin dhe riaftësimin e tyre.

Vlen për t’u theksuar se nëpërmjet këtij projektligji synohet të përmirësohen:

  • marrëdhëniet e punës së të dënuarve të mitur,
  • të nxitet ndjekja e studimeve profesionale, duke përdorur kurset me korrespondencë,
  • hartimin e programeve të veçanta të përfshirjes në veprimtari kulturore, krijuese e sportive, si një garanci më shumë për të përforcuar detyrimin për një trajtim të veçantë për të miturit.
  • nënshtrimi ndaj rregullave të këtij projektligji, i të gjithë të dënuarve, qofshin këta shtetas shqiptarë apo edhe të huaj.
  • përfshirja e shtetasve të huaj në mbrojtjen ligjore, për të shmangur diskriminimin dhe për të zgjidhur probleme specifike me të cilat ata përballen në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
  • pas pranimit, autoritetet e burgut mbështesin të dënuarit e huaj për të informuar familjen e tij, këshilltarin ligjor, përfaqësuesit konsullorë dhe personat ose organizatat kompetente për t’i ndihmuar.
  • në një afat sa më të shkurtër, të burgosurit e huaj, pajisen me informacion, në gjuhën që e kuptojnë, me gojë apo me shkrim, mbi mundësitë ndërkombëtare të transferimit të tyre.

Masat legjislative të ndërmarra padyshim do të shoqërohen me hartimin dhe ndryshimet e akteve nënligjore në zbatim të tyre.

Nxitja e punës te personat, që vuajnë dënimin, si një koncept jo ndëshkues, por motivues, si dhe përmirësimi i rregullave të shpërblimit të punës  së kryer prej tyre, do të jetë ndër angazhimet tona, mes inisiativave nënligjore, për 6-mujorin e parë të vitit 2014.

Ne nuk do të ndalemi këtu.

Nevoja për mirë-administrimin e burgjeve në Republikën e Shqipërisë me synimin e uljes së kostove të burgjeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për të dënuarit me burgim, duke u bazuar në eksperiencën e vendeve perëndimore, kërkon domosdoshmërisht krijimin e bazës ligjore për lejimin e trajtimit të të dënuarve edhe në burgje private .

Krahas reformave të deritanishme lind si domosdoshmëri dhe ndërmarrja e inisiativave ligjore për këtë qëllim, të cilat do të kenë një impakt pozitiv në drejtim të:

  • Uljes së mbipopullimit në burgje;
  • Uljes së kostos dhe rritjes së cilësisë së shërbimit;
  • Zbatimin me efektivitet të marrëveshjeve bilaterale me vende të ndryshme për transferimin e personave shqiptarë të dënuar në shtete të tjera;
  • Përmirësimin në rritje të kushteve të trajtimit dhe edukimit të të burgosurve.

Problemi tek ne nuk janë burgjet, nuk janë ligjet, por ata zyrtarë, të çfarëdo niveli, që nuk i shërbejnë riintegrimit të të dënuarve në jetën sociale, rikthimit të shpresës së atyre që, përtej borxhit ndaj drejtësisë, rreken të përkufizohen rishtas qoftë si njerëz, qoftë si qytetarë.

Duhet t’u japim shpresë të burgosurve.

Po ua hoqëm, sistemi ynë penitenciar, do të kthehet sërish në një vend dëshpërimi dhe dhune.

Gjej rastin të inkurajoj të gjithë aktorët e shoqërisë civile, të sistemit të drejtësisë, të cilët duhet të jenë krahu ynë i djathtë në inisiativat tona legjislative, ndaj zbatimit të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi në fushën e parandalimit të torturës dhe akteve çnjerëzore në institucionet e privimit të lirisë, si dhe ndaj denoncimit të çdo rasti dhune apo torture në to.

Nuk mund të lë me këtë rast pa përmendur rolin tepër të rëndësishëm që kanë luajtur partnerët dhe donatorët ndërkombëtar. Pa ndihmën e tyre ne nuk do të kishim sot shumë institucione të reja dhe me standardet më të larta apo rikonstruksionin e shumë ambienteve ekzistuese.

Ne do ta vazhdojmë dhe do ta forcojmë këtë bashkëpunim dhe në të ardhmen, sepse vlerësojmë se shkalla e demokratizimit të një vendi matet nga gjendja e burgjeve të tij.