Ministri Naço merr pjesë në takimin e përvitshëm të Hapjes së Vitit Ligjor, në Londër - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 02/10/2015

Ministri Naço merr pjesë në takimin e përvitshëm të Hapjes së Vitit Ligjor, në Londër

Ministri i Drejtësisë, z.Nasip Naço, me ftesë të homologut të tij britanik, z.Michael Gove, njëkohësisht Parlamentar, Zyrtar i Lartë i Kurorës dhe Srekretar i Shtetit për Drejtësinë, ka realizuar një vizitë në Londër ku ka marrë pjesë në Ceremoninë e Hapjes së Vitit Ligjor për Anglinë dhe Wellsin.

Ceremonia u zhvillua në Abacinë e Westminster Abbey në Londër, ku të pranishëm ishin trupa gjyqësore angleze, si dhe personalitetet më të larta të sistemit britanik të drejtësisë, ku të ftuar ishin edhe disa Ministra, Qeveritarë, Gjyqtarë apo aktorë kryesorë të sistemeve të drejtësisë të vendeve të Bashkimit Europian dhe më gjerë.

Në kuadrin e kësaj vizite Ministri Naço zhvilloi një takim me Kryetarin e Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin Neuberger. Gjatë këtij takimi, Ministri Naço e informoi z.Neuberger mbi situatën aktuale të organizimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri, mbi problematikat që ai shfaq, si dhe e njohu atë me reformat e ndërmarra nga qeveria dhe Parlamenti Shqiptar për reformimin e sistemit të drejtësise, duke filluar me ndryshimet e nevojshme kushtetuese, që do të mundësojnë mirëfunksionimin e institucioneve të gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë në tërësi.

Lordi Neuberger shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij takimi dhe vlerësoi nismat ligjore të ndërrmarra, duke e inkurajuar Ministrin Naço për vijimin e këtij procesi nga shteti shqiptar në funksion të garantimit të paanshmërisë dhe integritetit  të gjyqësorit.

Ministri Naço nga ana e tij theksoi domosdoshmërinë e mbështetjes së kësaj reforme nga partnerët ndërkombëtarë dhe nga ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj.

Në këtë kontekst, Ministri Naço u shpreh se do të mirëpriste kontributin akademik të Gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Anglisë, për të ofruar përvojën e tyre në trajnimin vazhdues të Gjyqtarëve shqiptarë, kjo në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri.

Lordi Neuberger e falenderoi Ministrin Naço për këtë vlerësim dhe i shprehu gatishmërinë e tij, për të bërë të mundur realizimin e bashkëpunimit në këtë drejtim. Ministri Naco e ftoi Lordin Neuberger për të vizituar Shqipërinë, duke theksuar se kontributi i tij në këto momente kur reforma në drejtësi po kristalizohet, është i një rëndësie të veçantë.

 

Në vijim të takimeve, Ministri Naço zhvilloi edhe një takim në Ministrinë Britanike të Drejtësisë me z.Andrew Selous, Parlamentar dhe Nënsekretari i Shtetit për Burgjet, Shërbimin e Provës, Dënimin dhe Rehabilitimin.

Ministri Naço bëri një prezantim të ecurisë së reformës së realizuar nga Ministria e Drejtësisë në sistemin penitenciar Shqiptar.

Ai vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe asistencën e dhënë nga ekspertët Britanikë në përmirësimin e sistemit peniteciar shqiptar. Ministri Naço e njohu z.Selous me faktin se institucioni që ai drejton ka hartuar dhe është në proces konsultimi të një drafti ligjor mbi rregullimin më të plotë të veprimtarisë së Shërbimit të Provës në Shqipëri.

Nga ana e tij, z.Selous shprehu gadishmërinë për mundësimin e  shkëmbimit të eksperiencave midis ekspertëve shqiptarë dhe atyre britanikë. Ai u shpreh gjithashtu se ekspertët shqiptarë janë të mirëpritur të vizitojnë sistemin anglez të Shërbimit të Provës.

Takimi vijoi më pas me diskutimin mbi ecurinë e zbatimit të marrëveshjes dypalëshe për  transferimin e personave të dënuar  dhe  konventave të Këshillit të Europës për fushën penale. Bashkëpunimi i deritanshëm u vlerësua pozitiv nga të dy palët.

Ministri Naço evidentoi vullnetin dhe angazhimin e Ministrisë shqiptare të Drejtësisë për marrjen e masave me qëllim lehtësimin e zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe apo shumëpalëshe, duke respektuar të drejtat themelore të njeriut, si dhe duke përmirësuar kushtet për rehabilitimin e të dënuarve në vendin e tyre të origjinës në përputhje me standardet europiane.