Zbardhini dosjen dhe bashkë me të dhëmbët çdo zyrtari që abuzon!
Me këtë apel i është drejtuar sot Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani, të gjithë prokurorëve pjesëmarrës në takimin e parë të përbashkët të Unionit të Prokurorëve të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij në nisjen e këtij takimi, z. Manjani garantoi mbështetjen për të gjithë prokurorët që kryejnë detyrën me përgjegjësi ligjore, ndërsa shprehu besimin se në kushtet aktuale të reformimit të thellë të të gjithë sistemit të drejtësisë, është me rëndësi gjetja e gjuhës së mirëkuptimit dhe arritja e vendimeve të pjekura.
“Ju përditë firmosni dhe vulosni urdhër arreste dhe jeni ditë për ditë në përballje me elementët kriminal. Nuk kam ndërmend të hyjë në retorikën publike, por përsa kohë që kryeni detyrën kam shprehur dhe shpreh dhe sot para jush të gjithë mbështejtjen e nevojshme për të gjithë prokurorët që kryejnë detyrën me përgjegjësi ligjore. Na duhet një prokuror aktiv që të jetë i zoti në çështjen hetimore dhe çështjen penale që në fazën e hetimit dhe jo të hymë në piramindën e sekretarit të prokurorit, sekretarit të policit gjyqësor, polici gjyqësor tek shefi… Dhe, ndërkohë ka dalë dosja në gazetë. Dosja hetimore është më sekret në gazetë sesa në prokurori dhe kjo është e papranueshme. Është faji i sistemit që kemi zgjedhur, i sistemit hibrid që në një shoqëri si e jona nuk funksionon. Ky është momenti që ne duhet të diskutojmë të gjithë bashkarisht edhe në kuadër të reformës dhe të zbatimit të ligjit. Ftesa ime për shërbimin e prokurorisë ka qënë dhe mbetet e qartë. Zbardhini dosjen dhe bashkë me të dhëmbët çdo zyrtar që abuzon! Po, patjetër, ministër apo çfarëdo qoftë ai ose ajo! Ju lutem që brenda sistemit që është, jepini përgjigje proporcionale krimit, si në zyrën e shtetit dhe në rrugë. Krimi në rrugë dhe krimi në zyrën e shtetit duhet të ndëshkohet, nga unë i pari që po flas”, theksoi z. Manjani
Në përfundim të fjalës së tij, z. Ministri Manjani e ka cilësuar formimin e këtij unioni si një organizim të domosdoshëm edhe për të vlerësuar kontributin e çdo prokurori.
“Një akt akuzë e formuluar nga prokurori dhe që arrin të konfirmohet me një vendim gjykate, jam i bindur që është ligji më i mirë i mundshëm”, tha Ministri Manjani
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.