Ministri Manjani takon trupën gjyqësore të Gjykatës së Lartë të Kosovës - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 20/11/2015

Ministri Manjani takon trupën gjyqësore të Gjykatës së Lartë të Kosovës

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka pritur sot në një takim kortezie trupën gjyqësore të Gjykatës së Lartë të Republikës së Kosovës, të shoqëruar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, z. Xhezair Zaganjori.

Kryetari i Gjykates së Lartë të Kosovës  z. Fejzullah Hasani i shprehu Ministrit Manjani urimet për marrjen e detyrës së Ministrit të Drejtësisë si dhe i uroi suksese në reformat që ka ndërmarrë Qeveria Shqiptare.

Z. Hasani vlerësoi bashkëpunimin me Gjykatën e Lartë të Shqipërisë si mjaft të frytshëm, sidomos përsa i takon unifikimit të praktikës gjyqësore ndërmjet dy gjykatave dhe është shprehur me interes në vijimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Ministri Manjani vlerësoi rëndësinë tepër të madhe që ka unifikimi i praktikës gjyqësore në të dy vendet.

“Nuk ka parlament që mund të bëjë një ligj aq të mirë sa një vendim unifikues që nxirrni ju. Me vendimet tuaja unifikuese ndihmohen së tepërmi palët, avokatët, prokurorët etj. Është privilegj të ndodhesh me trupën gjyqësore elitë të Kosovës dhe Shqipërisë. Personalisht kam synimin që të nxis bashkëpunimin me Gjykatën e Lartë shqiptar, në mënyrë që difektet e konstatuara prej tyre në proceset gjyqësore,të përkthehen në nisma ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, për të përmirësuar normat legjislative. Nuk ka kodifikues më të mirë sesa praktika e Gjykatës së Lartë. Mbetet në vëmendjen time si Ministër përmirësimi i infrastrukturës dhe i trajtimit financiar të trupës gjyqësore”, u shpreh ndër të tjera gjatë takimit Ministri Manjani.