Ministri Manjani pret në takim Shefen e FMN për Shqipërinë, zj. Anita Tuladhar - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 17/03/2016

Ministri Manjani pret në takim Shefen e FMN për Shqipërinë, zj. Anita Tuladhar

 

Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani ka zhvilluar një takim me Shefen e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, zj. Anita Tuladhar.

Gjatë takimit është diskutuar mbi krijimin e mundësive për thellimin e bashkëpunimit në fushën e përmirësimit të klimës së biznesit në vendin tonë.

Gjithashtu theksi është vënë në nevojën për përmirësim të kuadrit ligjor në shërbimin përmbarimor si dhe në fushën e falimentit, ku ndër të tjera përfaqësuesit e FMN-së kanë vlerësuar draftin e ri të ligjit për falimentin, për të cilin Ministri Manjani u shpreh se shumë shpejt do të dërgohet në parlament.

Bashkëbiseduesit janë ndalur edhe në rëndësinë e kuadrit ligjor përsa i takon koncensioneve dhe Partneritetit Publik Privat (PPP), çështje për të cilat z. Manjani vlerësoi si me mjaft rëndësi ndërmarrjen e një studimi të mirëfilltë fizibiliteti.

Modalitetet e menaxhimit të ankandeve, si do të përcaktohen tarifat, etj ishin një tjetër temë e shtruar për diskutim gjatë këtij takimi. Në këtë aspekt, z. Manjani theksoi rëndësinë e krijimit të një metodologjie të unifikuar apo skeme të qartë veprimi dhe në këtë pikë ai kërkoi bashkëpunim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Mes të tjerash, gjatë këtij takimi Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani e informoi delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar edhe mbi stadin aktual të reformës në drejtësi.