Gjatë punimeve të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, Ministri i Drejtësisë z. Yli Manjani në fjalën e tij e ka vënë theksin tek parimi i pavarësisë së gjyqësorit, duke e cilësuar këtë si një çështje të panegociueshme.
“Besimin e gjykatës tek publiku nuk ka shanc ta rregullojë asnjë pushtet tjetër përveçse gjykatës. Sa më takon si Ministër i Drejtësisë nuk kam ndër mend të merrem me komente të vendimeve të gjykatës për asnjë arsye. Gjyqësori i besueshëm do të thotë t’i shërbesh komunitetit. Ne e kemi shumë të thjeshtë për të thënë që jeni të gjithë të korruptuar. Është gjëja më e thjeshtë për t’ju futur të gjithëve në një thes dhe gjejeni ju pastaj çelsin se si do të hapet thesi, për të dalë nga korrupsioni. Shërbim i besueshëm do të thotë të shërbesh shpejtë dhe zvarritja e gjyqit është shkak kryesor për korrupsion. Nuk them që detyrimisht është kjo por njerëzit e mendojnë këtë gjë. Një gjykatë që i trajton qytetarët në mënyrë të barabartë sigurisht që është një gjykatë e besueshme”, u shpreh z. Manjani
Ministri Manjani gjithashtu bëri publik qëndrimin e tij se korrupsioni nuk është një fenomen që haset vetëm në radhët e gjyqësorit.
“Gjykatësit janë po aq të korruptuar sa është i përhapur ky fenomen edhe në sektorët e tjerë, por ajo që kërkojmë nga gjykata është si t’ja bëjmë që të kufizojmë korrupsionin e pushteteve të tjera. Po nuk u kufizua në gjykatë, nuk ka ku të kufizohet. Në qoftë se gjykata nuk ndëshkon korrupsionin, nuk ka asnjë shanc që ne të flasim për luftë kundra korrupsionit. Ndaj po insistoj që të ndërtojmë një sistem gjyqësor apo një pushtet gjyqësorë mbi pushtetet e tjera”, tha kreu i drejtësisë shqiptare.
Duke u ndalur përsëri tek korrupsioni, Ministri Manjani e cilësoi mënyrën se si funksionin sistemi, si arsyen kryesore që e gjeneron këtë fenomen.
“Sistemi është ai që e prodhon korrupsionin. Ne duhet ta thjeshtësojmë sistemin dhe ligjet proceduriale në mënyrë të vecantë duhen të jenë të thjeshta. Ato nuk mund të jenë monopol i juristëve, sepse ligjet janë pronë e njerëzve dhe bëhen në emër të popullit. Kur populli nuk kupton ligjet e veta, s’është as demokraci, as funksionalizëm, s’është as shtet. Duhet të gjejmë mënyrën që t’i thjeshtësojmë këto procese. Unë besoj që ligji më i mirë është vendimi i gjykatës. Nuk ka ligj më të mirë se vendimi i gjykatës nëse gjykatësi i ka dhënë zgjidhje problemit në mënyrë të drejtë dhe transparente. Kjo e bën pa diskutim komunitetin e gjyqtarëve jo të jetë i përjashtuar, përkundrazi të jetë i përfshirë në procesin e bërjes së reformës”, u shpreh z. Manjani
Gjatë fjalës së tij, Ministri Manjani përcolli edhe dy mesazhe me rëndësi për të gjithë gjyqtarët e pranishëm, duke tërhequr veçanërisht vëmendjen lidhur me aplikimin e dënimeve alternative.
“Ju lutem përdorni Shërbimin e Provës sepse kemi një çështje kombëtare për të trajtuar, siç është çështja e mbipopullimit në burgjeve. Përdoreni Shërbimin e Provës sepse funksionon. Gjithashtu, në lidhje me gjykimet e drejtpërdrejta do të kërkoja dhe nga ana e prokurorisë që personat të cilët kapen ne flagrancë nuk ka pse të mbahet pafundësisht në dhomat e paraburgimit dhe s’ka pse të trajtohet pafundësisht me pyetje dhe përgjigje apo që ndoshta s’pyeten asnjeherë, sepse kemi të bejmë me të drejtat e njeriut”, përfundoi z. Manjani
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.