Ministri Manjani dëgjese publike me student të Universitetit të Elbasanit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 18/01/2016

Ministri Manjani dëgjese publike me student të Universitetit të Elbasanit

Gjatë një dëgjese publike me student të Universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan, Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani ka vlerësuar se reformimi i sistemit të drejtësisë duhet të shoqërohet edhe me reforma në ekonomi.

 

Ndërsa është ndalur edhe në rëndësinë e diskutimit mbi ndryshimet kushtetuese, z. Manjani theksoi se sundimi i ligjit është i ndërlidhur me konstitucionalizmin.

 

“Reformat duan energji dhe pasion. Nuk bëhet asgjë e mirë nëse nuk nisemi nga premisa e mirë. Sot jemi në një moment historik. Teknikisht kemi pasur një Kushtetutë model të jurispudencës. Por duhet të gjejmë se çfarë shkoi gabim. Eshtë më mirë që të investojme pak më shumë në demokraci. Nëse nuk ekziston konsensusi politik çështja është serioze. Konsensusi nuk është çështje numrash por është çështje besimi. Në emër të reformimit s’mund të krijojmë një sistem që nuk besohet. Prandaj merr vlerë të jashtëzakonshme konsensusi. Kushtetuta është një marrëveshje politike por edhe një marrëveshje e qytetareve me shtetin.”, u shpreh z. Manjani

 

Gjithashtu z. Manjani theksoi se duhet  demostruar respekt edhe ndaj sistemit gjyqësor aktual.

 

Sipas tij, reforma nuk ka si qëllim që të merret me njerëz konkret por duhet të krijojë mundësi që ligjet të kuptohen më gjerësisht nga qytetarët.

 

Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Ministri Manjani vuri në dukje ndër të tjera se dënimi nuk është qëllim në vetvete, por është një mjet për të frenuar disa fenomene.