Ministri Manja takon znj. Živković: Ndihma Juridike Falas, model suksesi për rajonin - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/09/2024

Ministri Manja takon znj. Živković: Ndihma Juridike Falas, model suksesi për rajonin

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, priti në një takim znj. Ivana Živković, Ndihmës Sekretare e Përgjithshme e OKB-së dhe Drejtoreshë e Byrosë Rajonale për Evropën dhe CIS në UNDP. Takimi u përqendrua në suksesin e programit të Ndihmës Juridike Falas në Shqipëri, një nismë që ka sjellë rezultate të dukshme dhe tashmë po konsiderohet si model suksesi për vendet e rajonit.

Gjatë bisedimeve, Ministri Manja theksoi rëndësinë e mbështetjes nga UNDP dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), që ka mundësuar rritjen e aksesit në drejtësi për grupet më të margjinalizuara të shoqërisë. Ky program është një shembull konkret i avancimit të shërbimeve publike përmes inovacionit dhe digjitalizimit, duke modernizuar sistemin e drejtësisë dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve që i ofrohen qytetarëve.

Kjo nismë është një hap i rëndësishëm për reformimin e drejtësisë dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, duke synuar një sistem më të drejtë, transparent dhe gjithëpërfshirës.