Gjatë ditës së dytë së konferencës “Forcimi i Llogaridhënies: Fuqizimi i përpjekjeve kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”, Ministri Manja zhvilloi edhe një takim dy-palësh me Drejtorin Ekzekutiv të Transparency International, z. Daniel Eriksson.
Në përfundim të takimit, Ministri Manja u shpreh se me z. Eriksson ndajnë qëndrime të përbashkëta mbi fokusin e luftës kundër korrupsionit dhe se transparenca në vendimmarrje dhe reformat strukturore në fushat me risk të lartë korrupsioni duhet të jenë radikale!
“Vullneti politik, lidershipi me bazë integritetin e zyrtarëve publik, digjitalizimi i shërbimeve publike dhe përdorimi i IA në fushën e prokurimeve, janë rruga e duhur për të pasur një shoqëri imune ndaj korrupsionit dhe dëshmojnë qartësisht vizionin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të adresuar si duhet sfidat e luftës kundër korrupsionit.
E garantova z. Eriksson se raporti i tyre mbi perceptimin e korrupsionit në Shqipëri, përkthehet në dokument pune për çdo institucion në Shqipëri. Ramë dakord për të punuar ngushtësisht me TI, për të shkëmbyer përvojat e mira dhe për të marrë ekspertizën e duhur në luftën kundër korrupsionit,” cilësoi Ministri Manja.
Nga ana tjetër, z. Eriksson shtroi nevojën për të pasur sa më shumë burime dhe indekse për gjendjen e korrupsionit në Shqipëri, me qëllim që indeksi i TI të jetë sa më objektiv dhe t’i shërbejë institucioneve publike për të përmirësuar performancën dhe transparencën e veprimtarisë së tyre.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.