Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ishte sot i pranishëm në ceremoninë e diplomimit të magjistratëve për vitin 2014-2015.
Gjatë fjalës së tij Ministri Naço shprehu bindjen se Shkolla e Magjistraturës përbën një histori suksesi për vendin tonë dhe është një nga ngjarjet, e konsideruara si pikë kthese për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, pas viteve 1990.
Gjithashtu, z. Naço vlerwsoi se falë ekzkistencës dhe punës së palodhur të stafit të Shkollës së Magjistraruës, gjatë këtyre viteve që prej krijimit të saj, dyert e auditorit të këtij institucioni kanë bërë të mundur që elita e juripudencës shqiptare të ketë 269 magjistratë, nga të cilët rreth 160 gjyqtarë dhe 110 prokurorë.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço
Si Ministër i Drejtësisë kam kënaqësinë e veçantë që marr pjesë në Ceremoninë e Diplomimit të Kandidatëve për Magjistratë për vitin 2014- 2015.
Sot, trupës sonë gjyqësore i shtohen dhe 9 Magjistratë të rinj, të gatshëm, për të dhënë kontributin e tyre, për më shumë drejtësi në vendin tonë.
Ky është një fakt për t’u shënuar në historikun e ngjarjeve pozitive të Shkollës së Magjistraturës dhe sistemit Gjyqësor dhe për këtë më lejoni të përgëzoj trupën akademike të kësaj shkolle, drejtuesit e institucionit, profesorët, bordin drejtues, stafin administrativ të shkollës, por më së shumti të uroj nga zemra këta 9 studentë që nga sot, janë tërësisht të gatshëm që të jenë pjesë e sistemit gjyqësor, duke vënë në jetë dijet profesionale dhe praktike që ata kanë mësuar e praktikuar nga bankat e kësaj shkolle dhe nga sallat e gjykimit.
Bashkë me studentët që diplomohen, sot fillon maratona studimore edhe e studentëve më të rinj në këtë cikël studimor, ku gjej rastin dhe kam kënaqësinë që të uroj, jo vetëm studentët e rinj, por dhe trupën pedagogjike dhe drejtuese të kësaj shkolle, për një vit të mbarë të ri akademik 2015-2016.
Gjatë ushtrimit të detyrës si Ministër i Drejtësisë në këto dy vite, gjithmonë kur më është dhënë rasti jam shprehur publikisht se Shkolla e Magjistraturës përbën një histori suksesi për vendin tonë dhe është një nga ngjarjet, e konsideruara si pikë kthese për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, pas viteve 1990.
Në një shoqëri që pas periudhës post komuniste, zhvillohej me ritme të shpejta, miratimi dhe hyrja në fuqi e legjislacionit me nocione të reja, të cilat pasuroheshin çdo ditë, nxorri në pah edhe nevojën që dhe vetë sistemi, të ishte më shumë profesional, dhe ti përgjigjej zhvillimeve shoqërore demokratike të kohës.
Këto zhvillime, me mbështetjen dhe asistencën e dhënë asokohe nga Këshilli i Evropës, solli si rezultat që Kuvendi i Shqipërisë, në vitin 1996 të miratojë ligjin për krijimin e Shkollës së Magjistraturës, institucion ky arsimor i cili filloi të funskiononte në tetor të vitit 1997.
Sot, pasi kanë kaluar 18-vjet nga nisja e funksionimit të Shkollës së Magjistraturës, secili nga ne këtu të pranishëm, në këtë sallë, por jo vetëm, pajtohet me bindjen se Shkolla e Magjistraturës është një nga institucionet e sistemit të së drejtës, që ndër vite nuk i është zbehur aspak fruti i punës dhe i suksesit të saj kanë qenë të dukshme dhe për më tepër vlera e saj si institucion akademik dhe praktik, është shtuar dhe këtë e tregon vet kërkesa e studentëve të diplomuar të fakulteteve të drejtësisë që kërkojnë të jenë pjesë e kësaj shkolle.
Nëpërmjet punës së stafit të kësaj shkolle ndër vite dhe konsolidimit të këtij institucioni, është bërë e mundur përgatitja e një numri të konsiderueshëm magjistratësh, të cilët sot i gjen kudo të përfshirë dhe të integruar më së miri në sistemin e drejtësisë.
Një pjesë e studentëve të kësaj shkolle, kanë shërbyer jo vetëm si gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe në detyra të rëndësishme drejtuese të institucioneve të drejtësisë, si Ministër Drejtësie, Kryeprokuror, Anëtar i Gjykatës së Lartë, Kryetar Gjykatash, apo drejtues të Prokurorive, ashtu sikundër studentë të dalë dhe të diplomuar nga kjo shkollë, sot i gjen edhe si anëtar të Kuvendit të përfshirë në politikbërje.
Pra kjo shkollë dhe statusi i vecantë që kjo i ka krijuar vetes përmes punës dhe produktit të saj, në sistemin e së drejtës, ndër vite ka krijuar një elitë shoqërore brenda profilit juridik, e cila ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë jo pak në mënyrë të vazhduar në jetën e qytetarëve të vendit, jo vetëm nëpërmjet procesit përmirësues të të zbatuarit të ligjit dhe të dhënies së drejtësisë, por njëkohësisht në drejtim të përmirësimit të procesit ligjbërës.
Falë ekzkistencës dhe punës së palodhur të stafit të Shkollës së Magjistraruës, gjatë këtyre viteve që prej krijimit të saj, dyert e auditorit të këtij institucioni kanë bërë të mundur që elita e juripudencës shqiptare të ketë 269 magjistratë, nga të cilët rreth 160 gjyqtarë dhe 110 prokurorë.
Kjo shifër krahasuar me numrin total të Gjyqtarëve apo Prokurorëve në vend, tregon qartë se funksionimi i Shkollës së Magjistraturës, ka ndikuar dhe do të vazhdojë të ndikojë ndjeshëm, në rritjen e profesionalizmit dhe të integritetit të kandidatëve për magjistratë, në kryerjen e funksionit të ardhshëm të gjyqtarit apo prokurorit.
Ju nesër do të jeni 9 gjyqtarët e ardhshëm të vendit, dhe nëpërmjet përfshirjes suaj në sistem, pritet që ju t’i shtoni rradhëve të gjyqësorit profesionalizmin, paanshmërinë dhe bashkë me këto virtyte, me punën tuaj, ju duhet që jo vetëm të jepni drejtësi, por të rrisni besimin e qytetarëve tek sistemi, dhe të bëni të mundur që aksesi i publikut në drejtësi të rritet.
Nisja e karrierës suaj profesionale si magjistratë, përkon me reformën më të madhe në historinë e Shtetit Shqiptar, atë të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, e cila është më e rëndësishmja në këto 25 vjet pluralizëm në Shqipëri”, dhe realizimi i sukseshëm i kësaj reforme, do të jetë çelësi për hapjen e negociatave për anëtarësimin e vëndit në Bashkimin Europian.
Siç ju e dini, qeveria është tërësisht e angazhuar në realizimin e kësaj reforme, së bashku me Komisionin e Posaçëm në Kuvend dhe partnerët tanë ndërkombëtar.
Ju shumë shpejt, do të bëheni pjesë e trupës gjyqësore dhe do të keni fatin e madh që ju do ti nënshtroheni apo do të zbatoni në vijim rregulla të reja, përmes së cilave promovimi dhe përfshirja në sistemin e drejtësisë, ecuria në karrierë dhe transparenca në sistemin gjyqësor, do të realizohet nëpërmjet kritereve të reja ligjore, të cilat domosdoshmërisht duhet të rrisin integritetin brenda radhëve të sistemit, duke synuar që brenda sistemit tonë të së drejtës të hyjnë njerëz që të nxisin dhe bëjnë realitet një sistem drejtësie të pavarur, funksional, profesional, të përgjegjshëm, të ndershëm dhe mbi të gjitha në funksion të qytetarëve.
Në këtë kuadër, kjo reformë do të prekë dhe Shkollën e Magjistraturës, si struktura elitare që plotëson gjykatat dhe prokurorinë me elementë të rinj.
Qeveria Shqiptare do të vazhdojë të mbështesë Shkollën e Magjistraturës, në drejtim të garantimit të pavarësinë financiare dhe funksionale të saj. Jo vetëm kaq, por duke besuar tek cilësia e punës së këtij institucioni më lejoni që t’ju kujtoj se që prej fillimit të mandatit tim si Ministër i Drejtësisë, në vazhdimësi i kam kërkuar KLD-së, që të përmbyllte procesin e emërimit të magjistratëve, që kishin përfunduar shkollën e magjistraturës në vitin 2011-2012 dhe 2012-2013, të cilët prej më shumë se një viti nuk mundën të merrnin një emërim në gjykata.
Integrimin sa më parë në sistemin gjyqësor të të sapo diplomuarve, e kam mbështetur duke i kërkuar KLD-së, në vijimësi, që të përfshinte në rendin e ditës dhe të trajtonte me përparësi çështjen e emërimit të studentëve magjistratë të diplomuar në vitin 2013-2014,duke kërkuar që emërimi i tyre të bëhej edhe në gjykatat e Tiranës, Durrësit, gjë e cila për fat të keq nuk u pranua nga KLD.
Nga ana tjetër ju meritoni gjithë vëmendjen e duhur që çdo ndryshim i mirëpritur në kuadër të reformës në drejtësi, të mos jetë përjashtues, por në të kundërt të garantojë përfshirjen maksimale të magjistratëve në çdo hallkë të sistemit, si një vlerë e shtuar për të.
Nëpërmjet kësaj reforme ne synojmë dhe do të realizojmë, nxjerrjen jashtë sistemit të drejtësisë, të pjesës së kalbur dhe të korruptuar që për fat të keq gjendet brenda tij, pasi siç e kam theksuar edhe më parë, “Njëqind kriminelë nuk i bëjnë më shumë dëm vëndit se sa një gjyqtar i korruptuar”.
Unë kam bindjen, se sot ne kemi gjyqtarë dhe prokurorë me integritet, të cilët i rezistojnë presionit të rrugës, nuk korruptohen as politikisht dhe as ekonomikisht dhe që gjej rastin t’i inkurajoj dhe falenderoj publikisht.
Nga ana tjetër, ne do të krijojmë një shtrat ligjor i cili ti japë mundësinë që brenda këtij sistemi të integrohen dhe të bëjnë karrierë, njerëzit që shoqëria i beson dhe që kanë virtyte të larta morale dhe profesionale.
Ju ftoj ju diplomantë, që ti bashkoheni kësaj trupe të pastër gjyqësore, dhe të na ndihmoni në realizimin e kësaj reforme të madhe.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.