Memorandum Bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë së Italisë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 12/12/2017

Memorandum Bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë së Italisë

Në datën 12 dhjetor 2017, Ministrja e Drejtësisë së Shqipërisë, Znj. Etilda Gjonaj dhe Ministri i Drejtësisë së Italisë Z. Andrea Orlando firmosën një memorandum bashkëpunimi në Tiranë.

Firmosja e memorandumit u bë gjatë vizitës së Ministrit Orlando në Tiranë së bashku me delegacionin që e shoqëronte.

Marrëveshja e nënshkruar mes Ministrisë së Drejtësisë Shqiptare dhe asaj Italiane konsiston në: Bashkëpunimin më të mirë në zbatimin e reformës në drejtësi, reformës në burgje, bashkëpunimit gjyqësor, si dhe shkëmbimit të eksperiencave më të mira në fushën e kodifikimit dhe hartimit të legjislacionit.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes dy ministrat patën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ministri italian i drejtësisë Z. Andrea Orlando në fjalën e tij u shpreh se ndodhej në Tiranë për të ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e sistemit gjyqësor. Ministri Orlando rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme që Italia i jep procesit të Integrimit të Shqipërisë në BE duke theksuar se ekzistojnë të gjitha parakushtet për hapjen e këtij procesi, duke parë reformat ambicioze që ka ndërmarë qeveria shqiptare.

Nga ana e saj Ministrja Gjonaj falenderoi ministrin Orlando dhe shtetin italian për mbështetjen me asistencë të vazhdueshme në zbatimin e reformave integruese të vendit tonë. Ministrja e Drejtësisë nënvizoi në fjalën e saj se ky memorandum forcon bashkëpunimin mes Italisë dhe Shqipërisë në zbatimin e një prej reformave më të rëndësishme në vendin tonë, reformës në drejtësi si një hap përpara në rrugën e integrimit europian.

Më poshtë fjala e plotë e Ministres së Drejtësisë Znj. Etilda Gjonaj

Kam kënaqësinë të mirëpres sot në Tiranë homologun tim dhe një mik të Shqipërisë, Ministrin e Drejtësisë të Republikës së Italisë, z. Andrea Orlando. Përfaqësuesi i një vendi me të cilin shqiptarët kanë një histori të pasur bashkëpunimi dhe miqësie. Ministri Orlando rikonfirmoi në këtë ditë qëndrimin e kahershëm zyrtar se shteti italian mbështet të ardhmen europiane të Shqipërisë, duke ofruar kështu bashkëpunim dhe asistencë të vazhdueshme në zbatimin e reformave integruese të vendit tonë. Gjej rastin t’i shpreh në mënyrë publike falenderimet e mia për kohën e gjetur për vizitën e tij në Tiranë, një vizitë shumë e rëndësishme për qeverinë shqiptare, dhe shumë kuptimplotë.

Kjo vizitë e ministrit Orlando vjen në një periudhë kohore tepër të shkurtër nga takimi ynë i fundit në Romë, më 14 nëntor të këtij viti, ku zhvilluam takime dhe bisedime teknike mes stafeve tona dhe dakordësuam lidhjen e një Memorandumi Bashkëpunimi në fushën e drejtësisë.

Me Italinë kemi një histori të gjatë bashkëpunimi dhe shkëmbimi të ndërsjelltë. Italia, përveçse një prej partnerëve tanë më të rëndësishëm strategjikë dhe në rajon, është dhe vendi me të cilin Shqipëria ka patur një bashkëpunim shumë intensive, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar.

Me qëllim konkretizimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona, kam nderin të informoj bashkëqytetarët tanë se sot me ministrin Orlando nënshkruam një Memorandum Bashkëpunimi shumë të rëndësishëm për fushën e drejtësisë, në kuadrin e zbatimit të reformës në drejtësi, por njëkohësisht dhe të prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë në këto 4 vitet e ardhshme.

Memorandumi i Bashkëpunimit që nënshkruam sot, synon të bëjë hapa konkretë përpara me forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Pikat kryesore të këtij Memorandumi ishin dhe tema kryesore të diskutimeve të sotme me ministrin Orlando, të cilat konsistojnë në një bashkëpunim më të mirë në zbatimin e reformës në drejtësi, si një nga reformat më të rëndësishme të miratuar në këto 27 vjet, si dhe një prioritet tepër i rëndësishëm në integrimin në BE.

Për reformën në burgje, nëpërmjet mbështetjes në rritjen e kapaciteteve të personelit, të policisë së burgjeve, në mbështetjen financiare e logjistike, për infrastrukturën e një institucioni të ri të ekzekutimit të vendimeve penale, si dhe për hartimin dhe zbatimin e politikave integruese për të dënuarit.

Pjesë e marrëveshjes është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit gjyqësor, kryesisht në fushën penale ndërmjet dy vendeve tona, me qëllim luftën kundër krimit të organizuar si dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave të huaja për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të palujtshme.

Shkëmbimi i eksperiencave më të mira në fushën e kodifikimit dhe hartimit të legjislacionit është dimensioni tjetër i bashkëveprimit ndërmjet dy shteteve tona.

Gjatë takimit të zhvilluar sot, pata gjithashtu kënaqësinë të informoj ministrin Orlando lidhur me risitë dhe ecurinë e reformës në drejtësi si dhe ecurinë e reformave të ndërmarra deri tani nga qeveria shqiptare. Me këtë rast, sigurova ministrin Orlando për mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe ministrisë që përfaqësoj për ngritjen dhe vënien në funksion të plotë të institucioneve të pavarura të parashikuara nga reforma në drejtësi; çka tregon qartë vullnetin e palëkundur të qeverisë sonë për të çuar përpara reformën në drejtësi dhe të gjitha reformat e ndërmarra deri tani, me qëllim gjithashtu mbështetjen e qeverisë italiane për të ofruar bashkëpunim dhe mbështetje në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian.

Shqipëria i është shumë mirënjohëse Italisë për mbështetjen që i ka dhënë në rrugën drejt Bashkimit Europian, ashtu dhe në procesin e vështirë të reformave të ndërmarra deri tani. Reforma të cilat do të na mundësojnë, shpresojmë në një periudhë shumë të shkurtër, fillimin e bisedimeve për antarësim.

Duke falenderuar të gjithë për pjesëmarrjen, më lejoni t’i jap fjalën ministrit Andrea Orlando.