Kallëzim penal, mbi mungesën e dokumetacionit lidhur me rezultatet e inspektimit për tre gjyqtarë.
Ministria e Drejtësisë ka depozituar një kallëzim penal, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbi mungesën e dokumetacionit lidhur me inspektimet për tre gjyqtarë.
Përsa më sipër, Ministria e Drejtësië bën me dije detajet e mëposhtme :
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dërguar pranë Ministrisë së Drejtësisë, me shkresat nr. 848, datë 20.03.2013, dhe nr. 161/1, datë 02.04.2013, kërkesat për vlerësimin e fillimit të procedimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, SH.P, dhe gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, E.M, së bashku me dokumentacionin shoqërues.
Gjithashtu nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, në zbatim të urdhërit të Ministrit të Drejtësisë nr. 486, datë 05.12.2012, është kryer inspektim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, dhe ka filluar procesi i verifikimit të ligjshmërisë së veprimeve proceduriale të gjyqtares të kësaj gjykate, P.A.
Nga ana e strukturave të Ministrisë së Drejtësisë, në vijim të trajtimit të këtyre materialeve, janë kryer veprimet përkatëse si njoftimi i gjyqtarëve, analiza e observacioneve të dërguara prej tyre, dhe në përfundim materialet i janë dërguar për vlerësim ish-Ministrit të Drejtësisë, nëpërmjet tre memove për secilin nga gjyqtarët.
Nga verifikimi në protokollin e Ministrisë së Drejtësisë, rezulton e depozituar një nga 2 kopjet e secilës memo drejtuar ish-Ministrit të Drejtësisë.
Kopja e materialit e dërguar për vlerësim ish-Ministrit të Drejtësisë, nuk gjendet në protokoll dhe për pasojë ka penguar vazhdimin e ecurisë të këtyre procedimeve, për shkak të kalimit të afatit ligjor të parashikuar në nenin 34 të ligjit Nr.9877, datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.
Sipas këtij parashikimi, fillimi i procedimit mund të bëhet jo më vonë se 1 vit nga data e konstatimit të shkeljes nga organi që ka të drejtën për fillimin e këtij procedimi, por jo më vonë se 5 vjet nga data e kryerjes së shkeljes.
Në rastin e gjyqtares Sh.P ky afat ka filluar në dt.21.03.2013, për gjyqtaren E.M ky afat ka filluar në dt 02.04.2013, ndërsa për gjyqtaren P.A ky afat ka filluar në dt.03.04.2013.
Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, u kryen të gjitha verifikimet e nevojshme në rrugë administrative dhe në përfundim u evidentua mungesa e këtij dokumentacioni.
Duke qenë se kopja e materialit drejtuar për vlerësim ish-Ministrit të Drejtësisë, nuk gjendet, si pasojë ka dështuar procedimi disiplinor ndaj këtyre gjyqtarëve, ndaj dhe është kërkuar fillimi i çështjes penale dhe një hetim i plotë për individualizimin e përgjegjësisë penale.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.