Ministri i Drejtësisë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve pritën sot në një takim delegacionin e Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës, CPT. Ky takim u zhvillua në mbyllje të vizitave monitoruese të CPT në disa nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Shqipëri, me fokus respektimin e të drejtave të njeriut dhe praninë e rasteve të torturës.
Sipas z. Letif Huseynov, President i CPT-së, kryetar i Delegacionit, theksoi në fjalën e tij mbështetjen që ka gjetur në aksesin e delegacionit në institucionet penale ku janë zhvilluar vizitat. “Kjo është vizita e 5-të periodike e delegacionit në Shqipëri dhe duhet të pranojmë, se krahasuar me vizitën e parë ka shumë ndryshime pozitive.”- theksoi Huseynov.
Në vijim të çështjes Ministri i Drejtësisë u shpreh, se situata e krijuar është reflektim i vendosmërisë së shtetit shqiptar për të bërë drejtësi, përmes vënies para ligjit të personave që e thyejnë atë. “Jemi në fazën finale të përgatitjes së disa institucioneve të reja të vuajtjes së dënimeve, siç është paraburgimi i Beratit, që pritet të hapet në Mars të këtij viti, me një kapacitet prej 120 personash. Ndërsa në Qershor pritet të hapet burgu i ri i Fierit, me një kapacitet prej 770 personash, nga të cilët 600 të burgosur dhe 170 të paraburgosur. Ndërsa aktualisht, ka nisur ndërtimi i burgut të Shkodrës, i cili pritet të përfundojë në vitin 2015. Gjithashtu, jemi duke punuar për një sërë ndryshimesh ligjore, që bashkë me masat e tjera do të lehtësojnë menaxhimin e situatës në burgje, në respektim të të drejtave të njeriut.”- përfundoi ministri Naço.
Kreu i delegacionit CPT e mbështeti ministrin në nismat e tij dhe u shpreh, se ato do të reflektohen në raportin vjetor, që pritet të publikohet këtë vit nga CPT.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.