Mbrojtja e të miturve, Ministri Manjani: Burgu, jo alternativë edukimi. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/12/2015

Mbrojtja e të miturve, Ministri Manjani: Burgu, jo alternativë edukimi.

Me ftesë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka qenë sot i pranishëm në ceremoninë e prezantmit të dokumentit politik “E ardhmja e sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri”.

Në fjalën e tij gjatë këtij aktiviteti, z. Manjani theksoi rëndësinë e ndërmarrjes së nismave të kësaj natyre, të cilat mundësojnë evidentimin e formave dhe mënyrave se si të miturit dhe të rinjtë të mund të qëndrojnë larg krimit dhe sjelljeve deviante.

Sipas z. Manjani, burgu nuk është një alternativë për të edukuar dhe se të gjithë aktorët së bashku, duhet të përpiqen për të krijuar kushtet që të rinjtë në konflikt me ligjin të mund të ri-integrohen në shoqëri sa më lehtësisht.

“Nuk është burgu vendi ku trajtohen të miturit sepse në burg nuk mëson asgjë, mëson rrugën e krimit. Kështu që nga kjo pikëpamje unë kam ardhur sot në këtë tryezë jo me Drejtorin e Burgjeve por me drejtorin e Shërbimit të Provës.  Shërbimi i Provës ka marrë një mision të ri ligjor, që e largon tërësisht të miturin por edhe të rriturin nga rruga e burgut dhe nga trajtimi me burg. Burgu është për prindërit e tyre, është për të rriturit jo për të miturit. Të rriturit që kanë dështuar të rrisin fëmijët e tyre, të rriturit që kanë dështuar të heqin dorë nga dhuna ndaj fëmijëve. Ata po, e meritojnë burgun por jo i mituri. Nuk ka pse të jetë burgu alternativë e edukimit. Ne i kemi të gjitha mundësitë që sot t’i akomodojmë në Shërbimin e Provës ata të mitur apo për ata të rinj që janë gjendur në rrethana kriminale, në rrethana të shkeljes së ligjit, në mënyrë që të ritrajtohen në pjesën e mbetur me Shërbimin e Provës. Kemi ndërmend që të ndërtojmë ura bashkëpunimi me institucione edukimi, që i ofrojnë rinisë shqiptare profesion. Ne duam t’i drejtojmë drejt edukimit dhe në këtë aspekt, të riun që ka marrë rrugën e krimit, ne shumë shpejtë t’i ofrojmë profesion apo shkollën që të mësojë një zanat, sepse kjo është mënyra me e mirë që të integrohet me shoqërinë”, u shpreh z. Manjani

Z. Manjani bëri gjithashtu me dije se në kuadër të nismave dhe projekteve që mbështesin të rinjtë dhe i orintojnë drejt zbatimit të ligjit, ka rëndësi të veçantë edhe edukimi ligjor.

“Bashkë me Ministrinë e Arsimit ne duhet të jemi edhe më aktiv në drejtim të edukimit ligjor, që në faza të hershme. Ka pasur disa ndërhyrje në kurrikulat e shkollës, ndonëse janë të shprehura me një gjuhë “të drunjtë”, që duhet të jesh jurist që ta kuptosh. Në këtë aspekt duhet të ndalemi më gjatë që të shpjegohen konceptet e para të ligjit, se cfarë është e ndaluar dhe cfarë është e lejuar”, sqaroi z. Manjani