Mbledhja e pare KRL-së, Gent Ibrahimi dhe Artan Hoxha zgjidhen Kryetar dhe Zv/kryetar - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/02/2014

Mbledhja e pare KRL-së, Gent Ibrahimi dhe Artan Hoxha zgjidhen Kryetar dhe Zv/kryetar

Në Ministrinë e Drejtësisë është prezantuar ditën e sotme, Grupi i Punës me Ekspertë për Reformën në Fushën e Drejtësisë (Komisioni Këshillimor i Reformës Ligjore), si një element i rëndësishëm i reformës ligjore dhe institucionale, krijimi dhe funksionimi i të cilit është i organizuar në disa nëngrupe pune sipas fushave kryesore të së drejtës.

 

Ky mekanizëm i ri  do të synojë t’i ofrojë ekzekutivit dhe Ministrisë së Drejtësisë kontribute sistematike dhe thellësisht profesionale për identifikimin dhe ndjekjen e ecurisë së reformës legjislative dhe të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

 

Komisioni për Reformën Ligjore do të jetë një bërthamë profesionale, për debatimin dhe dhënien e konsulencës në hartimin e programeve dhe strategjive afatmesme dhe afatgjata të reformës së drejtësisë, dhe të legjislacionit, si dhe për vlerësimin e projektakteve të rëndësishme normative.

 

Komisioni i Reformës Ligjore përbëhet nga 14 anëtare të emëruar nga Kryeministri, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, për një periudhë 2 vjeçare, me të drejtë riemërimi, ndërmjet juristëve më me përvoje, veprimtarë aktivë dhe të njohur në fushën e mësimdhënies dhe ushtrimit të funksioneve e veprimtarive profesionale; dhe juristë me aftësi të spikatur, veçanërisht ndërmjet atyre të arsimuar ose me përvojë në ushtrimin e profesionit jashtë vendit, apo si ekspertë pranë institucioneve të huaja që veprojnë në Shqipëri.

 

Për zhvillimin e një debati profesional sa më të specializuar dhe për përgatitjen apo dhënien e mendimeve sipas fushave të së drejtës, krahas mbledhjeve të përgjithshme të Komisionit, do të ketë edhe një ndarje të veprimtarive në 4 nën grupe pune (nënkomisione) sipas kategorive vijuese të fushave të së drejtës:

 

  • organizimi gjyqësor dhe profesionet juridike;
  • e drejta publike;
  • e drejta penale;
  • e drejta civile dhe tregtare.

 

Lista e anëtarëve te Grupit Këshillimor të Ministrit të Drejtësisë, Z. Nasip Naço

 

  1. Z. Gent Ibrahimi (Kryetari i zgjedhur gjatë mbledhjes së parë)
  2. Z. Artan Hoxha   (Zv/kryetari i zgjedhur gjatë mbledhjes së parë)
  3. Z. Luan Omari
  4. Z. Aurela Anastasi
  5. Z. Arben Rakipi
  6. Z. Artan Hajdari
  7. Z. Bashkim Caka
  8. Z. Dashamir Kore
  9. Z. Ardian Nuni
  10. Z. Denar Biba
  11. Z. Kasem Berberi
  12. Z. Ilir Panda
  13. Z. Maksim Qoku
  14. Z. Albana Shtylla