Sot në Bruksel po mbahet takimi i fundit dypalësh BE-Shqipëri për grupimin e parë të kapitujve të negociatave “Themelorët”. Ky takim i kushtohet Funksionimit të Institucioneve Demokratike, duke u fokusuar në çështje të rëndësishme si funksionimi i parlamenteve në sistemet demokratike, organizimi i zgjedhjeve të lira dhe angazhimi dhe përfshirja e shoqërisë civile në vendimmarrje. Në lidhje me funksionimin e parlamentit, vendi ynë raporton mbi zbatimin e standarteve kryesore kushtuar transparencës, integritetit dhe llogaridhënies mbi aktivitetin parlamentar.
Një vend i veçantë në axhendën e takimit u është kushtuar organizimit të procesit zgjedhor me fokus organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, garantimin e transparencës së financimit të partive politike dhe media në procesin zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive adresuan të gjitha çështjet kardinale që kanë të bëjnë me zbatimin e Kodit Zgjedhor në proceset zgjedhore në Shqipëri si dhe planet për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR në këtë fushë.
Në fokus të diskutimeve ishte dhe krijimi i një mjedisi mundësues për shoqërinë civile me qëllim garantimin e pjesëmarrjes në proceset demokratike. Përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen dhe mbështetjen e shoqërisë civile së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile dhe biznesit, prezantuan mbi kuadrin ligjor, rregullator dhe institucional për mbështetjen e shoqërisë civile, zbatimin e së drejtës për t`u organizuar në praktikë dhe krijimin e kushteve për angazhim efektiv në proceset konsultuese dhe vendimmarrëse, si një tregues themelor i demokracive funksionale.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.