Ministri i Drejtësisë z. Ulsi Manja gjatë një takimi organizuar nga OSBE me temë “Trajnim për menaxhimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve në Regjimin e Posaçëm në përputhje me të drejtat e njeriut”, ka pohuar se “jemi në proces me agjencitë e tjera ligjzbatuese që këtij rregjimi të mund t’i nënshtrohen dhe të tjerë eksponentë”. Në mbështetje të këtij pohimi z.Manja ka treguar më parë se vetëm gjatë muajit Nëntor janë vendosur në ambientet e Regjimit të Posaçëm 4 eksponentë. Gjatë fjalës së tij Ministri i Drejtësisë ka shpalosur qëndrimet e tij përsa i takojnë të drejtave të njeriut, edhe në sistemin penitenciar, duke theksuar se angazhimi i tij do të jetë i vazhdueshëm dhe i pandërprerë në zbatimin total të këtyre të drejtave me qëllim riintegrimin e këtyre personave. Por sipas z.Manja, IEVP janë institucione rehabilitimi dhe jo qendra nga ku drejtohet veprimtaria kriminale jashtë mureve. “Prandaj reforma jonë për krijimin e Regjimit të Posaçëm rezultoi e përligjur. Nëpërmjet 41-bis ne arrijmë të realizojmë parandalimin e aktiviteteve të mëtejshme të paligjshme duke shmangur kontaktet mes eksponentëve tepër të rrezikshëm të burgosur dhe ‘ushtarëve’ të lirë të krimit të organizuar ose anëtarëve të familjes, të cilët mund të çojnë përpara veprimtarinë e tyre kriminale” është shprehur z. Manja.
Ai ka theksuar se sistemi nuk është mjet ndëshkimi për këta persona, por parandalimi për kryerjen e krimeve të tjera. Ministri i Drejtësisë nuk ka lënë pa përmendur edhe punën e vështirë të stafit të policisë së burgjeve. “ Stafi i policisë së burgjeve ka një detyrë të vështirë, nga njëra anë duhet të parandalojë kontaktet e paligjshme kriminale të kësaj kategorie me botën e jashtme, por nga ana tjetër i duhen siguruar këtyre të burgosurve dinjiteti dhe të drejtat themelore të njeriut”, ka thënë ai.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.