Manja jep lajmin e shumëpritur për ish-pronarët: Nis shpërndarja e fondit 30 milionë euro për kompensimin e 15 mijë qytetarëve të prekur nga ndërtimet informale - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 06/01/2025

Manja jep lajmin e shumëpritur për ish-pronarët: Nis shpërndarja e fondit 30 milionë euro për kompensimin e 15 mijë qytetarëve të prekur nga ndërtimet informale

Në prag të ndërrimit të viteve, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë një konference me gazetarët, ndau një lajm të rëndësishëm për ish-pronarët e prekur nga ndërtimet informale. Ministri bëri me dije se duke nisur nga data 31 dhjetor 2024 do të nisë shpërndarja e fondit prej 30 milionë euro, të akorduar nga qeveria shqiptare për Agjencinë e Trajtimit të Pronave (ATP).

“Nuk mund të rrija pa bashkëndarë me qytetarët një kartolinë urimi për 15,000 individë apo 5,320 familje, që duke filluar nga sot do të përfitojnë një masë kompensimi për shkak të procesit të legalizimeve” – tha Manja.

Ky fond do të shpërndahet për 5,320 subjekte, ose rreth 15 mijë individë, të cilët do të marrin pjesën e mbetur prej 30% të vlerës financiare, duke përmbushur kështu kompensimin e tyre në masën 100%, proces i realizuar për herë të parë në 14 vite aktivitet të ATP-së.

Ministri Manja theksoi rëndësinë e një procesi të zhvilluar me transparencë të plotë dhe kërkoi nga Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së, z. Erion Çaka, të sigurojë qasje të drejtë për të gjithë qytetarët. Ndërkohë, lista e plotë e përfituesve është publikuar në faqen zyrtare të ATP-së, duke garantuar informim të saktë dhe besueshmëri maksimale.