Ministri i Drejtësisë z.Ulsi Manja ka qenë i ftuar në gjimnazin “Qemal Stafa” në kuadër të lançimit të një projekti mbi promovimin e kulturës së ligjshmërisë dhe parandalimit e luftës ndaj korrupsionit. Më poshtë fjala e ministrit Manja përpara mësuesve dhe nxënësve të gjimnazit “Qemal Stafa” edhe në praninë e Ministres së Arsimit dhe Sportit znj.Evis Kushi dhe Ambasadorit Italian në Shqipëri z. Fabrizio Bucci.
Përshëndetje,
Si fillim dua t’ju uroj si shkolla me treguesit më të mirë nga të gjitha gjimnazet. Një falënderim edhe Evisit dhe ambasadës italiane për iniciativën, por unë dua të flas vetëm me ju në fakt, mësues dhe nxënës, sepse antikorrupsioni nuk nis në fakt nga ne që bëjmë shkresa, që bëjmë hetime, që ndërtojmë strategji, broshura e materiale të tjera.
Nis në fakt këtu, në bankat e shkollës. Ne thjeshtë materializojmë atë që ju e shihni përditë, e jetoni përditë. Nëse ju mësues të nderuar, i privoni nxënësit nga e vërteta, nga prova, nga e qeshura, nga çapkënllëqet; nëse ju u mpakni besimin në vetvete, besimin në ëndërra, besimin se mund të arrijnë gjithçka; nëse ju i privoni nga mundi i tyre, e as i shpërbleni me notën që meritojnë, u kërkoni, të tradhëtojnë besimin e njëri-tjetrit, i shtyni në krijime grupesh interesi që s’kanë lidhje me edukimin e tyre; ky është korruptim i karakterit dhe për mua është më i rëndi, sepse këta djem e vajza nesër do të drejtojnë vendin. Përpiquni t’u mësoni atyre jo vetëm lëndët, por edhe jetën, që të bëhen burra e gra me dinjitet, me integritet; ndoshta edhe të rreptë, por gjithmonë të drejtë.
Për nxënësit kam vetëm pak fjalë, sepse e di që nuk i kanë me shumë qejf këto takimet tona. Do t’u këshilloja një gjë: të mos e thyejnë kurrë besimin e shokut, apo shoqes; të mos e shesin kurrë shokun dhe shoqen për një përfitim, çfarëdo përfitimi qoftë ai. Qëndroni të fortë, qëndroni dinjitoz. Asnjë notë nuk vlen sa integriteti juaj, mos e harroni këtë. Nëse diku do të keni dyshime, udhëkryqe, stepje, kujtoni emrat që kanë dalë apo kanë kontribuar në këtë shkollë ku ju sot studioni. Dhe kjo jam i sigurtë do t’u japë forcë për të mos u lëkundur. Besoni në veten tuaj dhe kurrë mos tentoni të merrni atë që nuk e meritoni.
Në mbyllje, duke pasur parasysh se kujt i drejtohemi, unë do të këshilloja që në materialet tona, aty ku shpjegohet edhe si luftohet korrupsioni, dhe që ne po e bëjmë fort edhe mirë; të mos kemi vetëm thirrje, ftesa, e numra, se nxënësit as do pyesin për to, por të kenë edhe pak zemër e shpirt brenda tyre, sepse mosha e tyre është pikërisht ajo e zemrës dhe shpirtit, që ne nuk duam t’i humbasin. Sepse ne e luftojmë korrupsionin me institucione, me drejtori, me mekanizma ligjorë, ata përdorin shpirtin. Ky duhet të jetë qëllimi ynë final: T’u pregatisim shpirtin dhe zemrën për të mos u korruptuar e as për të tentuar të korruptojnë.
Ju faleminderit
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.