Ligji i ri për noterinë, Manja: Eshtë veting! - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 03/11/2021

Ligji i ri për noterinë, Manja: Eshtë veting!

Ka kaluar në mbledhjen e qeverisë, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për noterinë”, I cili pritet të paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë Brenda një kohe të shkurtër. Ministri I Drejtësisë, z.Ulsi Manja, duke folur para gazetarëve pas mbledhjes së qeverisë, u shpreh se: Projektligji është një nga nismat më të rëndësishme që lidhet me profesionin e noterit. Ka për qëllim, forcimin e integritetit të profesionit të noterit, dhe besueshmërinë e publikut tek ky shërbim. Projekligji përcakton kritere të reja për hyrjen në profesionin e noterit, dhe sidomos mospërfshirjen në këtë sistem të personave që kanë lidhje, apo kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar, ose personave të dënuar për kryerjen e veprave penale të rënda. Këtyre kritereve të reja do t’u nënshtrohen edhe ata që janë aktualisht pjesë e shërbimit notarial.

Sipas Ministrit Manja, kjo do të arrihet nëpërmjet inspektimevetë planifikuara, apo hetimeve proaktive që do të ushtrojë Ministria e Drejtësisë. Z.Manja ka theksuar se ndryshimet në ligjin për noterinë kanë ardhur edhe si përmbushje e rekomandimeve të lëna nga partnerët ndërkombëtarë të MANIVAL –it dhe FADF-së. “Janë angazhime të qeverisë shqiptare të përmbushura plotësisht”, tha z.Manja. Ai nënvizoi faktin se ligji I ri që pritet t’I paraqitet Kuvendit, parashikon për noterët, të njëjtat proçedura përzgjedhëse si ato për gjyqtarët. Pyetjes së gazetarëve për një proçes vetingu mbi noterët, ministri është përgjigjur: Ndryshimet që propozohen sot, jo vetëm që përcaktojnë kritere të reja në profesionin e noterit dhe zv/noterit, por as më shumë e as më pak është një process vetingu për noterët që janë në këtë shërbim që kanë të bëjnë me verifikimin e kontakteve të papërshtatshme apo të lidhjeve me krimin e organizuar dhe personat e dënuar për kryerjen e veprave të rënda penale, apo që janë pjesë e listës së personave të shpallur që hyjnë në kategorinë e masave  në kuadër të pastrimit të parave, apo financimit të terrorizmit. Eshtë veting.