Konferenca e Ministrit Vasili me gazetarë të mediave të shteteve anëtare të BE-së - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 02/03/2017

Konferenca e Ministrit Vasili me gazetarë të mediave të shteteve anëtare të BE-së

Ministri i Drejtësisë z. Petrit Vasili ka zhvilluar sot një konferencë dhe u është përgjigjur interesit të pyetjeve të gazetarëve të cilët punojnë pranë mediave më të njohura të shteteve anëtarë të Bashkimit Europian, një projekt ky i financiuar nëpërmjet instrumentit të paraaderimit në mbulimin e fondeve IPA.

Një grup gazetarësh prej 15 persona kanë zhvilluar një vizitë studimore disa ditore në Tiranë, në kuadër të interesit të shfaqur për ecurinë e procesit të Reformës në Sistemin e Drejtësië në vendin tonë.

Në pyetjet e tyre gazetarët kanë shfaqur interes lidhur me ndryshimet e ndërmarra në kuadër të Reformës në Drejtësi, veçanërisht në sistemin gjyqësor.

Ministri Vasili është ndalur në një prezantim të përgjithshëm lidhur me fokusin e kësaj reforme, duke nënvizuar ndryshimet kushtetuese të cilat u miratuan në mënyrën më konsensuale të mundshme dhe unike përsa i takon numrit të votave të marra nga parlamenti Shqiptar.

Gjithashtu Ministri Vasili theksoi se këto ndryshime kushtetuese u shoqëruan me miratimin edhe të ligjeve të tjera që ndryshojnë rrënjësisht procesin se si sistemi ynë i së drejtës do të duhet të funksionojë.

Ministri Vasili vlerwsoi se tashmë pas miratimit të kësaj pakete është momenti i duhur që të gjithë të japim prova të dukshme dhe transparente se ligjet e miratuara dhe Kushtetuta do të respektohen.

I pyetur nga gazetarët nëse reforma në drejtësi duhet të ishte çelësi për suksesin e të gjitha reformave të tjera, Ministri Vasili argumentoi se kjo reformë është vetëm një pjesë e detyrimeve që kemi për të përmbudhur në kuadër të rrugës sonë drejt Bashkimit Europian dhe kjo nuk do të duhet kurrsesi të lëmë mënjane edhe reformat e tjera të cilat diktojnë rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit apo përmirësimin e rendit dhe sigurisë.