Kompensimi i Pronës - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 29/09/2018

Kompensimi i Pronës

KiE e konfirmon si funksional dhe efektiv

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, ka miratuar një Rezolutë për Shqipërinë, me konkluzionin se mekanizmi i ri i kompensimit të pronave, parashikuar me ligjin 133/2015, është plotësisht funksional dhe efektiv. Në Rezolutë theksohet se Shqipëria ka arritur rezultatet konkrete të angazhimit politik të nivelit më të lartë për të siguruar funksionimin e këtij mekanizmi.

Në rezolutë janë vlerësuar dukshëm rezultatet domethënëse në trajtimin e kërkesave të vlerësuara me vendim nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, numri i vendimeve të zbatuara të kësaj agjencie, si dhe vendosja në dispozicion e burimeve financiare tejet të konsiderueshme nga Qeveria Shqiptare për të mbuluar të gjitha pagesat e pronarëve për kompensim.

Në këtë mënyrë Shqipëria zgjidh përfundimisht pas 25 vjetësh, problemin e madh të kompensimit të pronave, duke pasur një formulë kompensimi për pronarët dhe një mekanizëm ligjor efektiv që lejon që pronarët të dëmshpërblehen, mekanizëm i pranuar dhe i certifikuar tashmë edhe me këtë vendim të Komitetit të Ministrave. Kompensimi i pronarëve tashmë është i garantuar dhe sipas përcaktimeve ligjore do të realizohet brenda afatit ligjor 10 vjeçar.