Komisioni i Ligjeve, miratohet “Paketa Antikorrupsion” e propozuar nga Ministria e Drejtesise - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 28/02/2014

Komisioni i Ligjeve, miratohet “Paketa Antikorrupsion” e propozuar nga Ministria e Drejtesise

Komisioni i ligjeve ka miratuar gjatë seancës së sotme dy projektligjet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” si dhe Projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale”, të ndryshuar”

 

Në përfundim të seancës, Ministri Naço i është përgjigjur interesit të medias në lidhje me ndryshimet e paraqitura dhe impaktin që ato pritet të sjellin.

 

“Qëllimi mbeti i njëjtë edhe pas ndryshimeve, që të luftohet një fenomen mjaft i përhapur sot në Shqipëri, sikurse është korrupsioni. Mjafton që t’i referohemi publikimeve të Departamentit të Shtetit për të parë sensibilitetin dhe se si na shikojnë partnerët tanë ndërkombëtarë. Qëllimi jonë ka qenë që të luftojmë në front të gjerë dhe në çdo lloj niveli korrupsionin, dhe prandaj kishim propozuar që të 21 veprat penale që parashikohen nga Kodi Penal për korrupsionin, të hetoheshin dhe të gjykoheshin nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda”, theksoi z. Naço

 

Kreu i drejtësisë shqiptare sqaroi se nga aktorë të ndryshëm, përfshirë edhe shoqërinë civile, pati debate mbi ashpërsinë e kësaj reforme, ndërsa bëri me dije se nuk është kërkuar të rritet masa e dënimit por që fenomeni i korrupsionit të luftohet sikurse luftohen bandat dhe organizatat kriminale, pikërisht nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, të cilën e vlerësoi si një histori suksesi që nga krijimi i saj në vitin 2004 dhe deri më sot.

 

Ministri Naço sqaroi se përjashtimisht nga ata zyrtarë të lartë, që parashikohen në nenin 141 të Kushtetutës, të cilët për shkak të juridiksionit fillestar, automatikisht hetohen nga Prokuroria e Përgjithshme dhe gjykohen nga Gjykata e Lartë, pjesa tjetër e të gjithë funksionarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurit vendorë, të cilët nuk përfshihen në fushën e veprimit të ligjit nr. 152/2013 “Për Nëpunësin Civil”, do të hetohen dhe do të gjykohen për rastet e korrupsionit, nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda.

 

Gjithashtu, Ministri Naço referuar faktit se fenomeni i korrupsionit është i përhapur edhe në sistemin e drejtësisë, bëri me dije se ai do të hetohet edhe në radhët e prokurorëve, gjyqtarëve dhe të gjithë funksionarëve të tjerë të drejtësisë, nga Prokuroria e Gjykata e Krimeve të Rënda.

 

Z. Naço vuri në dukje se u bënë edhe disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, në nenet 288 dhe 289 që lidhen me rastet e arrestimit, të kontrollit personal dhe të banesës.

 

“Ndryshimet e bëra në Kushtetutë vitin e kaluar nuk u shoqëruan me ndryshimet përkatëse në Kodin e Procedurës Penale dhe në praktikë pamë se nuk ka funksionuar për shkak se prokurorët dhe gjyqtarët kërkonin në çdo rast autorizimin e organit përkatës”, sqaroi z. Naço

 

“Synimi është dekurajimi i çdo zyrtari i cili do të pasurohet në mënyrë të kundraligjshme dhe këtë pasuri e ka vënë në emër të personave të afërm”, përfundoi Ministri Naço