Sekretari i Shtetit në Ministrinë gjermane të Drejtësisë, njëkohësisht zv.ministri Christian Lange, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Shqipëri ku ka zhvilluar një takim të zgjeruar me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Lange ka shprehur sërish mbështetjen maksimale për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke vënë theksin te merita që ka implementimi i reformës në drejtësi sipas standardeve më të mira të përcaktuara nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.
Teksa i ka shprehur vlerësimet maksimale ministres Gjonaj për punën e bërë, Lange nënvizoi se Berlini zyrtar ka konstatuar rezultate të jashtëzakonshme në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Ai është shfaqur optimist mbi çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ku njoftoi se së në mbledhjen e fundit të Partisë Socialdemokrate në Gjermani, votimi ishte unanimisht pro çeljes së negociatave.
Ministrja Etilda Gjonaj, ka falenderuar zyrtarin e lartë për të gjithë mbështetjen që i ka ofruar që në fillesat e reformës në drejtësi.
“Pata nderin të prisja Sekretarin e Shtetit në Ministrinë gjermane të Drejtësisë z. Christian Lange, një mik, një përkrahës dhe bashkëpunëtor i vyer në reformat më të rëndësishme që kemi ndërmarrë për forcimin e shtetit të së drejtës.
Duke vlerësuar maksimalisht arritjet e deritanishme, Z. Lange konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit në proceset integruese të Shqipërisë.
E sigurova z. Lange për vullnetin e Qeverisë dhe angazhimin tim personal në krye të ministrisë që drejtoj, e cila ka përmbushur dhe po përmbush të gjitha objektivat e nevojshme për zbatimin e reformës në drejtësi, si edhe mbi rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit.
Gjatë takimit, u garantua mbështetje e mëtejshme nga Ministria gjermane e Drejtësisë mbi fuqizimin e instrumenteve bashkëpunuese përmes projekteve të përbashkëta për të avancuar më tej me reformat që do të forcojnë shtetin e së drejtës”, nënvizon Gjonaj.
Gjatë takimit, Lange u tregua i gatshëm që Gjermania mund të ndihmojë më shumë proceset reformuese të Ministrisë së Drejtësisë përmes EURALIUS dhe IRZ (GIZ) duke vendosur theksin tek një bashkëpunim i thelluar në luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.