Inagurimi i Qendrës së Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Qyteti i Pogradecit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 23/10/2020

Inagurimi i Qendrës së Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Qyteti i Pogradecit

Fjala e Hapjes:  Zj. Ministre e Drejtësisë

 

Reforma në Drejtësi përpos të gjitha ndryshimeve madhore që solli në reformimin e sistemit të drejtësisë, i kushtoi një rëndësi thelbësore aksesit në drejtësi të qytetarëve, komponent ky shumë i rëndësishëm edhe në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në rradhë të parë duhet të shpreh kënaqësinë e veçantë që po bëjmë realitet një tjetër risi, një tjetër zyrë juridike drejtpërdrejt të lidhur me qytetarët. Reforma në drejtësi përtej shembjes së një sistemi të kalbur dhe ngritjes së një sistemi të vërtetë drejtësie, na dha mundësinë për krijimin e një shërbimi dhe një skeme të re për mënyrën sesi do të ofrohet shërbimi për ndihmën ligjore falas, për qytetarët dhe sidomos për kategoritë në nevojë.

Shpeshherë kur flasim për reformën në drejtësi, jo të gjithë arrijnë ta mënjanojnë atë pjesën e skepticizmit ku nuk po arrijmë dot akoma të kemi rezultatet dhe impaktin direkt tek qytetarët, përtej të gjithë rezultateve të jashtëzakonshme që janë arritur deri tani. Por nga ana tjetër ka disa reformime brenda reformës së madhe në drejtësi që janë pikërisht ato që i shkojnë në ndihmë të drejtpërdrejtë qytetarit dhe është ndihma ligjore falas.

Ligji “Për Ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti”, ka sjellë një reformim të thellë të sistemit të ndihmës juridike duke nxitur një frymë të re sa i përket organizimit, funksionimit dhe ofrimit të ndihmës juridike të garantuar nga shteti.

Qëllimi kryesor i këtij ligji është dhënia e ndihmës juridike falas për të gjitha kategoritë, të cilat për shkak të kushteve në të cilat ndodhen e kanë të pamundur sigurimin e këtij shërbimi. Ne i kemi kushtuar një vëmëndje të veçantë kategorive përfituese duke patur në fokus zgjerimin e rrethit të marrësve të shërbimeve si dhe përcaktimin e kategorive të qytetarëve në nevojë si përfitues më të parë dhe të drejtëpërdrejtë nga sistemi i ndihmës juridike falas.

Një tjetër risi e sjellë nga ky ligj është krijimi i një rrjeti institucional që ngarkohet me përgjegjësinë e ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike për secilën formë të ndihmës juridike, përmendim këtu ndihmën juridike parësore dhe dytësore.

Ndihma juridike parësore është një nga format e ndihmës juridike falas përmes të cilës çdo qytetari i ofrohet këshillim dhe orientim ligjor, asistencë në zgjidhjen e problematikës së tyre, përpilim të akteve të nevojshme si dhe përfaqësim përpara organeve të administratës publike. Ky lloj shërbimi ofrohet nga Organizatat Jofitimprurëse të autorizuara, Klinikat e Ligjit pranë Institucioneve të Arsimit të Lartë, dhe Qendrat e Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore, një ndër të cilat është edhe qendra e Pogradecit e cila po inagurohet sot, në këtë aktivitet.

Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me UNDP, një ndër partnerët kryesorë që është duke na mbështetur në këtë nismë aktualisht administron 3 (tre), qendra të shërbimit të ndihmës juridike parësore pranë qyteteve të Durrësit, Fierit dhe Lezhës. Tashmë, listës së këtyre qendrave i shtohet edhe qendra e qytetit të Pogradecit, e cila do të ofrojë ndihmë juridike për të gjithë qytetarët në këtë zonë, të cilët kanë nevojë për të përfituar nga këto shërbime.

Duke patur si prioritet rritjen e besimit të qytetarëve dhe aksesit të tyre në drejtësi, objektivi jonë madhor është shtrirja e shërbimit të ndihmës juridike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë po punon pandalur për të vijuar me hapjen e  qendrave si kjo edhe në të tjera qytete duke garantuar kështu mbulimin e sa më shumë zonave me shërbime të ndihmës juridike parësore, ne kuadër dhe të hartes së re gjyqësore.

Në bashkëpunim me UNDP, shumë shpejt Ministria e Drejtësisë do të mundësojë hapjen dhe administrimin edhe të 3 qendrave të reja në qytetin e Gjirokastrës, Shkodrës dhe Peshkopisë.

Por ka një element ku nuk do të tolerojmë asgjë dhe askënd.  Cilësia e ofrimit të shërbimit të ndihmës juridike do të jetë e pacënueshme. Shërbimi i ndihmës juridike falas quhet se është garantuar në mënyrë të plotë, me eficiencë dhe efektivitet, vetëm atëherë kur është ofruar me cilësinë e duhur. Garantimi dhe ofrimi i shërbimit, rastet e trajtuara dhe cilësia dhe profesionalizmi që shoqëron këto shërbime janë ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën, si pjesë e një pakete unike shërbimi dedikuar qytetarit.

Në mbyllje të këtij fjalimi gjej rastin të theksoj rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit të të gjithë aktorëve lokalë të cilët luajnë rolin e tyre sa i përket shërbimit të ndihmës juridike në adresimin dhe ndjekjen e rasteve.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë punonjësve të qendrës dhe të gjithë aktorëve të përfshirë !