Gjermani, takimi Naço - Maas: “Drejtësia sistem vlerash për BE-në” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 17/06/2014

Gjermani, takimi Naço – Maas: “Drejtësia sistem vlerash për BE-në”

Intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve ka qenë në qendër të diskutimit mes z. Naço dhe Ministrit të Drejtësisë së Republikës Federale të Gjermanisë, z. Heiko Maas.

 

Gjatë këtij takimi, Ministri Naço e ka konsideruar partneritetin dhe asistencën gjermane të një rëndësie të madhe, duke vlerësuar se përmbushja e reformave dhe sfidave për integrim përbëjnë një qëllim madhor i cili kërkon shumë përkushtim nga të gjithë aktorët.

 

Ndërsa ka bërë një ekspoze të hapave të ndërmarra deri më tani nga Ministria e Drejtësisë, Ministri Naço është ndaluar veçanërisht në përpjekjet e bëra nga ana e Qeverisë Shqiptare në drejtim të luftës kundër korrupsionit.

 

Vullnetin e qeverisë shqiptare për ta vijuar me qëndrueshmëri luftën kundër korrupsionit, z. Maas e ka cilësuar si mjaft të rëndësishme përsa i përket përmirësimit të imazhit të Shqipërisë ndërkombëtarisht.

 

“Sistemi i drejtësisë simbolizon sistemin e vlerave të Bashkimit Evropian. Sa më fort të punoni në këtë drejtim aq më pranë BE-së do të jeni”, u shpreh Ministri Maas duke theksuar se zbatueshmëria e ligjeve është shumë e rëndësishme për anëtarësimin e vendit tonë.

 

Në këtë kuadër, kreu i drejtësisë shqiptare u shpreh se marrja e statusit do të thotë më shumë punë dhe më shumë përgjegjshmëri për gjithe klasën politike në tërësi.

 

***

 

Ministri Naço, gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, është pritur në një takim edhe nga Sekretari Parlamentar i Drejtësisë, z.Christian Lange.

 

Gjatë takimit u diskutua rreth bashkëpunimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve ndërmjet Ministrive të Drejtësisë së të dy vendeve.

 

Bashkëbiseduesit janë ndalur edhe në përpjekjet e bëra në drejtim të përafrimit të kuadrit ligjor shqiptar me aquis dhe legjislacionin europian.