E nderuar znj. Kryetare Llagami,
I nderuar Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Evropian, z. Soreca,
I nderuar Ambasador i Republikës Italiane, z. Bucci
Të nderuar pjesëmarrës,
Kam kënaqësinë që vij sot në këtë konferencë në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë jo vetëm për të thënë fjalën time përshëndetëse por për të thënë më shumë se kaq, atë që ne si Qeveri kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë, Reformën në drejtësi dhe konsolidimin e saj.
Të gjithë ne, dhe ju të nderuar pjesëmarrës, jemi dëshmitarë të një zhvillimi rrënjësor prej vitit 2013, ku shteti i së drejtës i kapur peng nga korrupsioni në çdo qelizë të sistemit të drejtësisë që promovonte pandëshkueshmërinë, shfaqej në gjendjen më kritike të ekzistencës së vet. Fenomeni famëkeq i pandëshkueshmërisë, ku ligji ishte mbrojtës i më të fortit dhe jo i atij që i takontë drejtësia, kishte prekur çdo hallkë e zinxhir të institucioneve, ku më shumë e ku më pak.
Ndërsa sot, flasim për rezultate konkrete të reformës në drejtësi, ku tashmë etapa tjetër ajo e konsolidimit të saj është vendosur në axhendën e Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e prillit të këtij viti,si prioritet madhor, “Për një Shqipëri të fortë” përmes forcimit të shtetit të së drejtës.
Konsolidimi i reformës në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë përmes fuqizimit të institucioneve të ngritura të drejtësisë, janë ndër objektivat më të qënësishëm të kësaj qeverie dhe të programit qeverisës 2021-2025.
Problemet e adresuara nga kjo reformë, kanë prekur jo vetëm korrupsionin dhe mungesën e ndëshkueshmërisë por edhe mungesën e profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ajo nuk mund të quhet e qënësishme kur në institucionet e drejtësisë dhe në të gjithë sistemin e drejtësisë, ka mungesë profesionalizmi dhe integriteti, dy karakteristika të cilat janë pasaportë e çdo shërbyesi të ligjit, ato për të cilat është ndalur për vlerësim edhe procesi aspak i lehtë i vettingut; një proces që mëkëmbi fjalët profesionalizëm dhe integritet, që pastroi sistemin e kalbëzuar ndër vite nga shërbyes jo të ligjit por të korrupsionit, pandëshkueshmërisë, dhunues të heshtur të shtetit të së drejtës.
Këto kritere, me theks të veçantë profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës, bënë që procesi i vettingut të filtronte nga sistemi që ka nëpërkëmbur ndër vite dinjitetin e drejtësisë shqiptare, një numër të lartë gjyqtarësh e prokurorësh, ku nga 443 gjyqtarë dhe prokurorë të vetuar, afro 60 % e tyre janë shkarkuar ose larguar me dorëheqje.
Një numër i paparashikueshëm ky, që tregon një rezultat të paprecendentë në luftën kundër korrupsionit në gjyqësor dhe gjithashtu përcjell edhe njëhërë se sa e rëndësishme ishte reforma radikale e sistemit të drejtësisë, e cila është mbështetur që në fillimin e saj nga partnerët ndërkombëtarë.
E ndërtuar në arkitekturën e saj në bashkëpunim me aleatët tanë strategjikë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, reforma po jep frytet e saj, ku edhe unë si pjesë e ekipit të kësaj reforme, ndihem i nderuar që ajo është një nga modelet unike në vendet e rajonit, model i avancuar si në: A) aspektin ligjor, me ndryshimet ligjore dhe ndërhyrjet në Kushtetutë ku duhet thënë që morën një votim absolut të kuvendit, B) si në procesin e vettingut, një proces tashmë i çertifikuar përmes vendimit të fundit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që e konsideron këtë mekanizëm të drejtë dhe në përputhje me të gjithë standardet më të mira ndërkombëtare, dhe 3) ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë pas ngritjes së këtyre institucioneve do të vijojë të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme nëpërmjet politikave të planifikuara dhe të artikuluara në strategjinë ndërsektoriale të drejtësisë për institucionet e drejtësisë me qëllim forcimin e profesionalizimit dhe performancës së sistemit gjyqësor. Ato janë sfida e radhës së institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, për të cilin Ministria e Drejtësisë ka në fokus:
Targeti i punës për rritjen e profesionalizmit mbetet:
rritja a e numrit të magjistratëve, forcimi i rolit të Shkollës së Magjistraturës, si dhe i dy Këshillave të gjyqësorit. Kjo rritje profesionale do t;i shërbejë objektivit për vlerësimin real dhe të drejtë të profesionalizimit të magjistratëve i cili përbën pa dyshim një element kyç dhe të domosdoshëm në të gjithë planifikimin e masave për të zhvilluar me tej shtetin e së drejtës dhe për të forcuar drejtësinë ne Shqipëri.
Në këtë rrugëtim, jam besimplotë se bashkëpunimi me me partnerët ndërkombëtarë do të jetë i një niveli shumë të mirë, ashtu sikurse rezultoi bashkëpunimi në realizimin e reformës në drejtësi.
Më lejoni këtu të citoj fjalën e Presidentes së Komisionit Evropian Znj. Ursula van Der Leyen në vizitën e saj në Tiranë pak ditë më parë, e cila përgëzoi Shqipërinë për përparimin që ka patur me reformën në drejtësi, duke e vlerësuar si një sukses i madh që e presin punë të tjera në këtë drejtim.
Reforma në Drejtësi mbetet ende një luftë për t’u fituar dhe betejat tona për suksesin e saj, për Shqipërinë e së Drejtës, do të vijojnë si garancia për të ardhmen, për Shqipërinë 2030, për t’i ndryshur kursin Shqipërisë, për një një sistem imun të drejtësisë dhe të shkëputur totalisht nga padrejtësia e pandëshkueshmëria drejt rrugës në Bashkimin Evropian.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.