Font Resize
 Fjala e Ministrit të Drejtësisë në 25-vjetorin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë! - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 28/11/2023

Fjala e Ministrit të Drejtësisë në 25-vjetorin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë!

I nderuar Zoti President i Republikës,
E nderuar Zonja Kryetare e Kuvendit,
E nderuar zonja Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, të nderuar anëtarë të kësaj gjykate,
Të nderuar kryetarë të Gjykatave Kushtetuese të Austrisë, Sllovenisë, Kosovës dhe gjyqtarë të nderuar,
Të ftuar nderi në këtë event jubilar të 25-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ka shtete dhe popuj që kujtojnë jo një çerek shekulli të kushtetutës së tyre, por edhe një e më shumë shekuj nga dita kur e kanë miratuar dokumentin e tyre më të rëndësishëm të veprimtarisë shtetërore. Shqipëria kaloi një kalvar të gjatë e të vështirë deri sa u bë me Kushtetutën që kemi sot. Gjatë shekujve ajo u ndodh në syrin e ciklonit të ngatërresave ballkanike, evropiane dhe botërore. Perandori të shumta erdhën dhunshëm dhe ikën, duke lënë pas vetes fe dhe ideologji të ndryshme, vrragë dhe gjurmë të pashlyeshme në konstitucionin shpirtëror, por edhe shtetëror të saj. Pas tyre erdhi periudha e diktaturës komuniste, kushtetuta e së cilës synoi ta linte popullin tonë pa fe, pa pronë dhe pa të ardhme.

Edhe në kohën e demokracisë, u deshën disa vite për të arritur te guri kilometrik më i rëndësishëm i shtetformimit dhe shtetdrejtimit të vendit, te Kushtetuta që kemi sot. Sherrnajat e ashpra politike e shtynë hartimin dhe miratimin e saj në mënyrën më absurde. Kjo ka ndodhur sepse politika shqiptare ka notuar për shumë kohë në ujërat e mentaliteteve të vjetra e të tejkaluara me kohë nga demokracitë evropiane. Por, më në fund u arrit të ngrihej ky korpus i vlerave civile të shtetit dhe të shoqërisë sonë.

Kushtetuta e miratuar 25 vite më parë, i ftoi të gjitha forcat politike të konkurojnë për pushtet, por me ligj dhe nëpërmjet ligjit, me votim të lirë dhe të barabartë për të gjithë. Ajo ishte njëherësh edhe një propozim për të ardhmen e popullit dhe të vendit.
E miratuar në kapërcyell të një shekulli të karakterizuar si shekulli i shtetit, në shembullin e demokracive më të zhvilluara të kohës, Kushtetuta jonë hodhi hapa të rëndësishëm drejt shekullit të njeriut, duke vënë në plan të parë të drejtat dhe barazinë, të bazuara dhe të zbatuara në ligj dhe vetëm nëpërmjet ligjit, mbrojtjen e qytetarit dhe të pronës, duke e vënë shtetin në shinat e së drejtës.

Kushtetuta e re i dha shoqërisë shqiptare shansin e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit, për të kaluar nga bajraktarizmi politik, në demokracinë institucionale, për t’i dhënë Shqipërisë një qeverisje të aftë dhe të ndershme, për t’u garantuar të gjithëve iniciativën e lirë dhe solidaritetin social, për t’i dhënë fund hakmarrjes politike, intolerancës civile, autoritarizmit vet-izolues dhe etheve individuale të politikëbërjes. Me këtë Kushtetutë asnjë shqiptari nuk i bëhet pyetja “nga vjen”, por të gjithëve u bëhet pyetja “Ku dëshiron të shkosh”. Dhe Shqipëria e ka zgjedhur rrugën e saj dhe ecën tashmë e sigurt drejt integrimit euroatlantik.

Që në gjenezë, kjo kushtetutë u ideua për t’a sjellë Shqipërinë në familjen e kombeve që i ka themelet tek të drejtat e njeriut dhe kapitali i saj njerëzor. Ndaj edhe seksioni i të drejtave themelore është hartuar përpara institucioneve kushtetuese pasi, sikurse është shprehur prof. Traja në Debatin Kushtetues “vlerat njerëzore i paraprijnë rendit kushtetues”.

Pikërisht për t’i dhenë jetë këtyre dispozitave, gjetja e duhur ishte që Kushtetuta të mos mbetej thjesht një testament juridik në letër, por një dokument që gjen zbatim të drejtpëdrejtë dhe jo që aspiron të zbatohet. Një dokument, të cilit çdo qytetar, a gjyqtar, mund t’i drejtohet drejtpërdrejtë e të kërkojë respektimin e saj në praktikë. Në këto 25 vite të gjithë kemi qënë dëshmitarë se si progresivisht Kushtetuta është bërë pjesë e gjuhës dhe retorikës sonë politike dhe qytetare, si argumenti më i fortë për të ruajtur e mbrojtur standartet e të drejtave.

Qasja novatore, dhe gati unike, e Kushtetutës sonë shprehet qartë se si i kemi bërë të detyrueshme standardet evropiane të të drejtave, duke injektuar jurisprudencën e KEDNj si kufi kushtetues.

Po ashtu, është për t’u lëvduar largpamësia e hartuesve, që me shumë kujdes, si zanatçinj profesionistë, hartuan dispozitat integruese në Kushtetutë. Këto dispozita do t’i hapnin rrugë aderimit eventual të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky rrugëtim tashmë ka nisur dhe jemi më pranë se kurrë këtij ideali, pavarësisht se përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme për të përgatitur tërësisht Shqipërinë të bëhet pjesë e kësaj familjeje.

Dëshiroj veçanërisht të ndalem në arkitekturën kushtetuese dhe modelin e gjyqësorit e Gjykatës Kushtetuese që zbatuam. Mbetet me interes fakti se si shumë debate që kemi rimarrë gjatë reformës në drejtësi në vitin 2016, janë trajtuar në krye të herës me shumë përgjegjshmëri që në Komisionin Kushtetues.
Debatet lidhur me rolin e Gjykatës së Lartë, formulës së emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e shumë të tjera tregojnë se si modelet e zgjedhura duhet të testohen në praktikë. Mendimi juridik, sado logjik në formë e përmbajtje, duhet të gjejë një reflektim praktik që gjeneron drejtësi.

Ndaj me bindjen e thellë për një sistem drejtësie të pavarur dhe besimin tek ky sistem, ne ndërmorëm reformën në drejtësi të bindur që korniza e re kushtetuese do të gjenerojë maturi e drejtësi në punën e çdo institucioni të ri të drejtësisë.

Përgjatë këtyre viteve, përpos ndasive politike, kemi ditur të ndërtojmë dhe konsensus politik përgjatë gjithë spektrit të politikës shqiptare për të sjellë ndryshime të nevojshme e domosdoshme për vendin. Konsensusi që dikton Kushtetuta mishëron shumë qartë vullnetin e përbashkët për të ecur përpara, duke lënë pas gjuhën e sjelljen obstruksioniste dhe refraktare që fatkeqësisht shoqëron herë pas here debatin politik në Shqipëri.

E për ironi të fatit, sot kemi në Kuvend një situatë që ngjan me atë të vitit tashmë të largët 1998, në kohën e debatit kushtetues, ku shtetari i urtë Sabri Godo i bënte thirrje përfaqësuesëve të PD në opozitë, t’i bashkoheshin diskutimeve të Komisionit Kushtetues, me bindjen se arsyeja njerëzore, e sigurisht maturia kushtetuese, të fitojë ndaj çdo force që synon të minojë demokracinë kushtetuese shqiptare. Ndërsa sot kthimin te parlamentarizmi dhe debati parlamentar, si zgjidhja e vetme e ngërçeve politike e dikton vetë Kushtetuta, e cila ka paraparë zgjidhje për çdo ekzigjencë politike opozitare brenda luajalitetit kushtetues. Dhe historia politike e tranzicionit në Shqipëri ka treguar se sa herë palët politike kanë tentuar të gjejnë zgjidhje ad-hoc duke shmangur parimet kushtetuese kanë dështuar me sukses. Është mbresëlënëse mprehtësia dhe logjika e hartuesve të kësaj kushtetute te Debati Kushtetues, teksa debatojnë që në kushtetutë duhet të gjendet zgjidhje për çdo situatë që mban balancat dhe ekuilibrin e pushtetit dhe midis pushteteve, si dhe kohezionin social dhe shoqëror, si shtyllat kryesore për një demokraci funksionale.

Gjej rastin këtu të shpreh dhe disa fjalë falenderimi të sinqerta për kontributin e paçmuar që kanë dhënë ndër vite ekspertët e Komisionit të Venecias. Ata kanë sjellë dritë në dilemat tona të natyrës kushtetuese dhe kanë lënë shenjën e tyre në forcimin e shtetit të së drejtës.

Së fundi, nga radha, por jo nga rëndësia, krahas reflektimit, jemi këtu besoj për t’i bërë nder kujtimit të mendjeve që hartuan këtë Kushtetutë.

Disa prej tyre sot kemi fatin t’i kemi këtu në sallë, për të cilët dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë. Por sot është dita të kujtojmë ata, drita e të cilëve na ndriçon që nga lart. E këtu e kam fjalën për dritën e mendimit juridik brilant të Kristaq Trajës dhe urtësinë e Sabri Godos, por dhe të një miku të shquar të Shqipërisë që mendjen e tij juridike dhe Komisionin e Venecias të cilin ai e drejtoi, e vuri në dispozicion të komisionit kushtetues të kohës- Antonio La Pergola. Besoj bashkohemi të gjithë me përulje ndaj kujtimit të punës së tyre dhe peshës që ka lënë kontributi i tyre në shtetformimin shqiptar.

Të nderuar,

Në këtë fazë maturimi të Kushtetutës, parashtrohen detyra për të gjithë institucionet shqiptare, të legjislativit, ekzekutivit, e gjyqësorit, të dëshmojnë se me punën e tyre të përditshme, kanë devizën kushtetuese në themel të punës së tyre.

Mbetet detyra jonë të garantojmë balancën e drejtë midis vazhdimësisë që dikton kushtetuta, dhe përballjes së sfidave të kohës.

Duhet të gjitha institucionet t’i dëshmojnë kohës që jemi në lartësinë e duhur të misionit kushtetues.

Faleminderit!