Fjala e plotë e Ministres së Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj në takimin me drejtues të Institucioneve të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale, për lehtësimin e masave anti-Covid në burgje - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/06/2021

Fjala e plotë e Ministres së Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj në takimin me drejtues të Institucioneve të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale, për lehtësimin e masave anti-Covid në burgje

Zhvillojmë këtë takim sot me gjithë drejtuesit e burgjeve për një çështje me shumë rëndësi të punës sonë, atë të prezantimit të planit për lehtësimin e masave kufizuese në burgje për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Kemi kaluar një periudhë jo të lehtë në këto 18 muaj, ku u desh të kalonim me shumë sakrificë dy fatkeqësi të rënda natyrore, tërmeti i 26 nëntorit si dhe pandemia.

Situata e pandemisë në të cilën kemi kaluar, ka qënë e vështirë për të gjithë sektorët, por një vështirësi tejet të shtuar ka patur në sistemin penitenciar, për shkak të vetë mënyrës së funksionimit dhe infrastrukturës së burgjeve.

Për një periudhë prej 15 muajsh, kemi arritur të menaxhojmë me shumë sukses situatën e pandemisë në burgje, duke marrë të gjitha masat e nevojshme në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të personave që ndodhen në këto institucione.

Jo të pakta kanë qenë vështirësitë e hasura nga punonjësit e policisë së burgjeve dhe veçanërisht stafit shëndetësor duke zbatuar të gjitha urdhërat për shtimin e masave të kontrollit të të gjithë personelit, për parandalimin e përhapjes së Covid-19 në institucione.

Është dashur që për herë të parë në fillim të periudhës së pandemisë të normohen një sërë rregullimesh ligjore për të rritur masat parandaluese dhe kufizimet për të burgosurit për të parandaluar infektimin nga Covid-19.

Kemi qenë të vëmendshëm me të gjithë strukturat tona të burgjeve për kujdes të veçantë ndaj të dënuarve në të gjithë sistemin, ku stafi shëndetësor me përkushtim ka ushtruar monitorim të përditshëm për 15 muaj të të burgosurve për të evidentuar rastet e dyshuara me Covid-19, duke kryer të gjitha kontrollet shëndetësore nga një institucion në tjetrin.

Ashtu siç në një bashkëpunim shumë të mirë me strukturat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë janë kryer në të gjitha rastet e nevojshme hetimet epidiomologjike për të marrë masat specifike për parandalimin e përhapjes së tij, konkretisht 656 testime janë bërë për të burgosurit që nga fillimi i pandemisë. Nga testimi u evidentuan 204 persona pozitivë dhe 451 negativë dhe janë shënuar për fat të keq dy humbje jete të rasteve me sëmundje bashkë shoqëruese.

Për këtë arsye, stafi shëndetësor i burgjeve meriton mirënjohjen time dhe të gjithë ekipit drejtues të burgjeve për përkushtimin, sakrificënt dhe profesionalizmin e treguar gjatë kësaj periudhe të gjatë, pa të cilën do të ishte e pamundur të kishim këtë rezultat kaq pozitiv.

Në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të punonjësve të policisë së burgjeve të cilët kanë patur një nivel rreziku shumë të lartë, që nga fillimi i pandemisë në Mars 2020, janë kryer gjithsej 1115 testime të stafit, por fatkeqësisht kemi patur humbje të jetëve të 7 punonjësve të forcave policore dhe stafit civil, dhe përfitoj edhe një herë nga rasti për ti dhënë ngushëllimet familjeve të tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mori të gjitha masat që në një kohë të shpejtë për të furnizuar të gjitha institucionet me mjetet e nevojshme për parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke përfshirë këtu të gjitha mjetet si maska, dezinfektues, alkool si dhe portat dizinfektuese.

Në interes të mbrojtjes dhe jetës së shëndetit të personave të privuar nga liria që ndodhen në këto institucione, ashtu si edhe nga praktikat e pothuajse të gjitha vendeve të tjera, kemi qënë të detyruar të kufizojmë të gjitha takimet e të dënuarve me familjarët, ashtu si dhe pezullimin e të gjitha lejeve shpërblyese dhe lejeve të veçanta.

Për këtë arsye të gjitha komunikimet e të burgosurve, u plotësuan me masa shtesë duke rritur numrin e komunikimeve telefonike ashtu si dhe vendosjen për herë të parë në institucione takimet online nëpërmjet Skype.

Kemi patur mirëkuptimin e familjarëve të personave që ndodhen në institucionet e burgjeve, dhe jemi të vetëdijshëm që ka patur sakrifica nga ana e tyre, por kjo periudhë në të cilën kaluam, na sfidoi jo pak, dhe në interes të parë për të gjithë ne ka qënë mbrojtja e jetës dhe shëndetit të personave të privuar nga liria.

Për herë të parë Qeveria Shqiptare ndërmori një iniciativë për të dhënë leje të veçanta të të dënuarve me qëndrim të përkohshëm në shtëpi për një afata 3 mujor i cili u zgjat më pas edhe me tre muaj të tjerë. Përgatitja e aktit ishte një sfidë më vete sepse ishte hera e parë që ndërtuam një praktikë të re të pandodhur më parë.

Nga akti normativ përfituan leje të posaçme 450 të dënuar, proces jo vetëm që u trajtua me kujdes për të vlerësuar kriteret dhe kushtet ligjore për të liruar ata me rrezikshmëri të ulët dhe mund të them që kjo praktikë rezultoi e suksesshme pasi të gjithë të dënuarit u kthyen pas përfundimit të lejes 6 mujore në institucionet përkatëse, përveç se disa rasteve që shkelën rregullat e vendosura dhe më pas u revokua të lejës së veçantë.

Kjo na shërbeu për të rritur më tej kapacitetet e lira të institucioneve penitenciare, pavarësisht se numri i të burgosurve në atë kohë ka qënë 20% më pak se kapaciteti normal që kanë institucionet penitenciare. Por kjo na ndihmoi për të trajtuar më mirë gjatë periudhës së pandemisë të gjithë personat e burgosur që ndodhen në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Për këtë arsye falenderoj të gjitha strukturat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të cilët kryen një process të menaxhuar mirë në të gjitha aspektet.

Po gjithashtu janë zbatuar me përpikmëri duke mos patur asnjë cedim, të gjitha rregullat e përcaktuara në ligj për të burgosurit e vendosur në rregjimin 41 bis në institucionin Jordan Misja dhe atë Peqin, për të cilën kërkohet po e njëjta vëmendje në vazhdim lidhur me respektimin e të gjitha masave që kërkon ky regjim i posaçëm.

Me fondet e miratuara nga Qeveria arritëm të investojmë në infrastrukturën e QSB-së duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që të burgosurit me gjëndje shëndetësore të vështirë për shkak të covid të trajtoheshin në Qendrën Spitalore të Burgjeve. Ashtu sic u përdorën si vënd karantine dy godinat të spitalit të Shën koll Lezhë të cilat janë ende në funksion për çdo lloj situate që mund të na paraqitet.

Menaxhimi me sukses i kësaj periudhe ka ardhur për shkak të një bashkëpunimi të ndërsjelltë dhe mbështetjen reciproke, ku angazhimi, përkushtimi dhe profesionalizmi i strukturave të sistemit të burgjeve është mbështetur nga Qeveria Shqiptare dhe me mbështetjen financiare të personelit shëndetësor të sistemit të burgjeve me rritjen e pagës në 40% si dhe rritjen e pagës së forcës policore të burgjeve, duke mbajtur në konsideratë që është rritje e pagës që do të vijojë dhe gjatë vitit 2022.

Dua të falenderoj Ministren e Shëndesisë e cila me fillimin e fushatës së vaksinimit, mori në konsideratë kërkesën tonë për përfshirjen si grup prioritar personelin shëndetësor dhe stafin policor të burgjeve për vaksinimin, ku deri sot janë vaksinuar 2761 punonjës.

Tashmë pas rreth 15 muaj, pas vendimit të marrë nga Komiteti Teknik i Ekspertve mbi lehtësimin e masave në popullatë, grupi Teknik i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë me personel shëndetësor të sistemit të burgjeve dhe jurist, kanë vlerësuar situatën në të cilën ndodhemi dhe kanë propozuar lehtësimin e disa masave kufizuese për një periudhë të përkohshme duke monitoruar situatën në mënyrë të përditshme.

Dua të theksoj se këto masa kufizuese kanë qënë gjatë periudhës edhe të fushatës zgjedhore duke mos dhënë asnjë mundësi për kontaktet me familjarët të të burgosurve që ndodhen në këto institucione, ashtu si edhe duke mos lejuar dhënien e asnjë leje të posaçme apo shpërblyese edhe gjatë periudhës së procesit parazgjedhor, por edhe gjatë fushatës zgjedhore.

Gjithashtu përsa i përket lehtësimit të masave kufizuese për një periudhë të përkohshme është bërë edhe në vlerësim edhe të sugjerimeve të Avokatit të popullit dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe referuar praktikave më të mira të vendeve europiane që po gjithashtu kanë filluar të lehtësojnë kufizimet në institucionet penitenciare duke mbajtur në konsideratë të gjithë situatën e fushatës së vaksinimit, por njëkohësisht edhe pandemisë.

Lehtësimi i masave kufizuese në sistemin e burgjeve, është fokusuar në tre drejtime:

  1. Rifillimi i kufizuar të takimeve me familjarët, dhe të afërmve të tyre.
  2. Rifillimi i dhënies së lejeve të veçanta.
  3. Si dhe rifillimi i aktivitetet sociale dhe kulturore, në institucionet penitenciare.

Konkretisht, masat e reja do të fillojnë të aplikohen nga data 14 qershor për një periudhë e cila do të jetë nën monitorim të vazhdueshëm nga të gjitha struktura shëndetësore dhe ekipi drejtues i DPB-së dhe i burgjeve që konsistojnë konkretisht:

  1. Rifillimin e lejimit të takimeve të të dënuarve me familjarët, me një takim në muaj duke respektuar distancën e sigurisë, kontrollin shëndetësor, ku familjari është i detyruar të paraqesë vërtetimin e vaksinimit, ose dokumentin e testit se nuk është i infektuar me Covid, apo teste të tjera serelogjike që tregojnë se e kanë kaluar situatën e covidit. Gjatë takimeve do të respektohen të gjitha rregullat e tjera anti Covid-19 në institucione që do të jenë ende në fuqi. Për të miturit e dënuar, do të lejohen 4 takime në muaj me të njëjtat kërkesa për familjarët. Po gjithashtu do të vijojnë të ruhet praktika shumë e mirë e krijuar ashtu siç përmenda me komunikimin online me Skype.
  2. Rifillimin e dhënies së lejeve të veçanta, në zbatim edhe të udhëzimit të miratuar së fundmi në zbatim të ligjit të ri nr. 81/2020, Udhëzim nr.4 , datë 22.01.2021 i ministrit të Drejtësisë, “Për përcaktimin e procedurave të dhënies së lejeve shpërblyese apo të veçanta për të dënuarit”, por kjo situatë do të jetë vetëm për raste mortore gjithmonë sipas parashikimeve ligjore dhe vlerësimit të rrezikshmërisë nga drejtoritë e policisë vendore.
  3. Rifillimin e aktiviteteve të përbashkëta, sociale dhe kulturore në mjediset e burgjeve, kjo do të kryhet duke mbajtur në konsideratë dhe duke respektuar distancën e sigurisë dhe rregullat e tjera anti Covid-19, por me qëllim që ti shërbejë rehabilitimit dhe riedukimit të të gjithë personave të cilët ndodhen në institucione, do duhet të rifillojnë këto aktivitete.

Të gjitha parashikimet e tjera ligjore lidhur me masat e tjera anticovid të parashikuara në urdhërat nr. 91 dhe nr. 92 të datës 09.03.2020 të Ministrit të Drejtësisë do të vijojnë të jenë në fuqi.

Ky lehtësim i masave kufizuese kërkon vëmendjen maksimale të të gjithë ekipit drejtues të sistemit të burgjeve por në veçanti të stafit shëndetësor, por për këtë arsye kërkohet nga ju monitorim i përditshëm me qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të personave të privuar nga liria, njëkohësisht edhe lehtësimit të kufizimeve që sapo i prezantuam edhe për publikun.

Ju falenderoj!