Fjala e plotë e Ministres së Drejtësisë në Kuvend për Projekligjin "Për Organizatat Jofitimprurëse". - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 24/06/2021

Fjala e plotë e Ministres së Drejtësisë në Kuvend për Projekligjin “Për Organizatat Jofitimprurëse”.

Diskutim në seance plenare 24 qershor 2021

Për projektligjin „Për regjistrimin e OJF-ve“

 

E nderuar zonja Nënkryetare

 

Të nderuar Deputetë,

 

Të dashur qytetarë,

 

Projektligji për regjistrimin e Organizatave jofitimprurëse, është një nga nismat më të rëndësishme që unë, që edhe personalisht kam pasur kënaqësinë për të propozuar në Këshillin e Ministrave dhe për ta prezantuar përpara Kuvendit.

 

Përpara përfshirjes time dhe në emërimin në detyrën e Ministrit të Drejtësisë, puna në organizata të shoqërisë civile, të bën të kuptosh vështirësitë që realisht krijohej në funksionimin e organizatave, për shkak të një kuadri ligjor që jo vetëm që nuk lehtësonte krijimin dhe funksionimin e shoqërisë civile në vend, por në fakt vendoste barriera administrative të panevojshme që ndikonin drejtëpërdrejtë në vullnetin e aktivistëve të shoqërisë civile për tu regjistruar dhe për të forcuar zërin e tyre edhe nëpërmjet organizimeve formale ligjore.

 

Dhe, një nga angazhimet e para që ne ndërmorrëm ishte edhe përmirësimi i kuadrit ligjor në bazë të të cilit shoqëria civile funksionon. Zëri dhe eksperienca e pjesës së paangazhuar të shoqërisë, që mund të përfaqësohet më së miri nëpërmjet organizatave të shoqërisë civile, janë forca të rëndësishme shtytëse për zhvillimin demokratik të shoqërisë shqiptare, por njëkohësisht, janë edhe një zë i fortë që na bëjnë ne më të përgjegjshëm në kujdesin që tregojmë në mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptar, në çdo veprim dhe akt që ndërmarrim.

 

Për këtë qëllim, me ndihmën edhe të Bashkimit Evropian, në korrik të vitit 2019, Këshilli i Ministrave, pas një konsultimi edhe me kontributin e gjërë të organizatave të shoqërisë civile miratoi udhërrëfyesin për një mjedis mundësues për shoqërinë civile, pra një plan me masa për forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj. Një nga prioritetet kryesore të këtij udhërrëfyesi, ishte edhe krijimi i një kuadri ligjor më mundësues për regjistrimin e shoqërisë civile.

Sot, jemi këtu për të siguruar që një nga masat kryesore që kishim parashikuar, e realizuam: pas 20 vjetësh po miratojmë një ligj të ri për regjistrimin e organizatave të shoqërisë civile.

 

Kjo nuk ishte një sfidë e lehtë. Sidoqoftë, besoj që kemi bërë më të mirën dhe sot jam ndihem mirë që mund të prezantoj një projektligj që do të mund të lehtësojë veprimtarinë e organizatave të shoqërisë civile.

 

Që në krye të herës, në ministrinë e drejtësisë ngritëm një grup pune, me përfaqësues nga shumë institucione si dhe morëm asistencë teknike nga Bashkimi Evropian, për shkak edhe të nevojës që ky ligj ka për tu hartuar me ekspertët dhe konsulentët më të mirë.

 

Jemi përpjekur, dhe besoj fort që ia kemi dalë me sukses, si Ministria e Drejtësisë, ashtu edhe Kuvendi, që të jemi gjithpërfshirës në procesin e konsultimit të këtij drafti.

 

Janë organizuar takime konsultative për këtë projektligj si në Ministrinë e Drejtësisë ashtu edhe në Kuvend. Po ashtu, është konsultuar edhe me Këshillin Kombëtar për Shoqërinë Civile si dhe janë oganizuar seanca të posaçme dëgjimore nga agjencia për mbështetjen e shoqërisë civile. Në tërësi, gjatë gjithë procesit të konsultimit, mund ta them me bindje që mbi 70 përqind e komenteve dhe sygjerimeve të shoqërisë civile për këtë projektligj, janë reflektuar në përmbajtjen e tij dhe besoj që kjo e ka rritur ndjeshëm cilësinë e ligjit.

 

Nëpërmjet këtij ligji, ne përmirësojmë ndjeshëm kohëzgjatjen dhe procedurat që duhet për të regjistruar një organizatë ose për të kryer ndryshime në regjistrin e OJF-ve.

Kushdo që ka punuar edhe një ditë të vetme në këtë fushë, e di vështirësinë që ka krijimi dhe regjistrimi i një organizate, për të cilën duhet të shkosh disa herë në gjykatë për ta përfunduar si procedurë.

 

Për më tepër, kjo vështirësohet akoma më shumë për anëtarët e shoqërisë civile që janë jashtë Tiranës, të cilët për të regjistruar organizatën e tyre do të duhet të vinin dhe të paraqiten disa herë në Gjykatën e Tiranës. Kjo përkthej në kohë, kosto dhe vështirësi në të angazhuarin në këtë sektor. Kushdo që ka punuar në këtë sektor, e di që duhet të kesh vërtet pasion të të angazhuarit me kauza sociale ose publike, me qëllim që ti bësh ballë gjithë burokracisë dhe kostots që duhet për ta regjistruar një organizatë.

 

Tashmë, me këtë ligj, ne ndryshojmë rrënjësisht sistemin e regjistrimit. Nëpërmjet tij, krijojmë një sistem regjistrimi të bazuar në komunikimin dhe shqyrtimin elektronik të kërkesave për regjistrim. Pra, edhe dikush që është nga një rreth i largët, mund të paraqesë aplikimin elektronik për regjistrimin e organizatës OJF-së  në gjykatën e Tiranës, dhe e përfundon të gjithë procedurën pa dashur të paraqitet personalisht në Tiranë. Kjo shkurton kohë përsa i përket regjistrimit por edhe koston që lidhet me këtë proces.

 

Nga ana tjetër, për shkak edhe të detyrimeve që burojnë nga MONEYVAL, ne rrisim transparencën e këtij sektori, dhe heqim një rrezik që ky sektor mundet të ketë për pastrimin e parave. Në përputhje të plotë me standartet më të mira ndërkombëtare, nëpërmjet këtij projektligji vendosen detyrime për regjistrim dhe për raportim të të dhënave që janë të nevojshme për transparencën e këtij sektori.

 

Po ashtu, nëpërmjet këtij projektligji kemi gjetur edhe një zgjidhje për të ulur disi ngarkesën në gjykatën e tiranës. Sipas ligjit aktual, çdo veprim me regjistrin e OJF-ve, duhet të bëhej nga një gjyqtar i gjykatës së tiranës. Në një vit, gjykata e tiranës kishte rreth 2000 çështje që kishin lidhje me kryerjen e veprimeve në regjistrin e OJF-ve. Tashmë, këto 2000 çështje mesatare në vit nuk do të trajtohen më nga gjyqtarët, por nga kancelari i gjykatë së tiranës, i cili, me mbështetjen e zyrës së regjistrit të OJF-ve, do të kryejë këto procedura regjistrimi.

 

Ky projekligj do të lehtësojë pa masë punën dhe barrën administrative të organizatave dhe do të lejojë zhvillimin e sektorit duke mundësuar krijimin e lehtë të organizatave nga çdo individ që dëshiron dhe ka pasionin për tu marrë me çështje në interes dhe dobi të publikut.

 

Të nderuar deputetë,

 

Miratimi i këtij projektligji do të sjellë një ndryshim rrënjësor për sa i përket transparencës së organizatave të shoqërisë civile, por njëkohësisht dhe lehtësirave në procedura, duke lehtësuar nga njëra anë organizatat dhe qytetarët që kanë interes dhe duan të marrin informacion për të gjithë organizatat që funksionojnë në Republikën e Shqipërisë, dhe nga ana tjetër Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke përmbushur gjithashtu edhe një nga rekomandimet e MONEYVAL për shtetin shqiptar lidhur me parandalimin e pastrimit të parave. Për këtë arsye dhe duke parë rëndësinë e këtij projektligji ju ftoj të gjithëve për ta votuar atë.

 

Faleminderit!