Fjala e plote e ministres Gjonaj në Kuvend për Projektligjin “Per marrëdhëniet juridiksionale me jashtë” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 07/07/2021

Fjala e plote e ministres Gjonaj në Kuvend për Projektligjin “Per marrëdhëniet juridiksionale me jashtë”

Diskutimi në Seance plenare    

Projektligji “Per marrëdhëniet juridiksionale me jashtë”

 

 

E nderuar zonja nën/Kryetare

Të nderuar Deputetë,

Të dashur qytetarë,

 

Projektligji për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale, që diskutohet sot është një iniciativë e rëndësishme ligjore e Ministrisë së Drejtësisë, miratuar nga Qeveria në Dhjetor 2020.

 

Nevoja për ndryshimet dhe përmirësimet e këtij ligji, janë diktuar që me miratimin e ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, si pjesë e paketës së reformës në drejtësi, me qëllimin përmirësimin e kuadrit ligjor zbatues, përqasjen me dispozitat e këtij kodi për marrëdheniet juridiksionale me autoritetet e huaja ashtu si dhe përafrimin me Konventat në këtë fushë për ndihmën e ndërsjelltë në fushën penale, për pastrimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e të ardhurave nga krimi ashtu si edhe financimin i terrorizmit.

 

Ngritja dhe funksionimi i institucioneve të reja të drejtësisë, si SPAK dhe ridimensionimi i organit të prokurorisë, adresimi i një sërë problematikave të hasura në praktikë nga zbatimi i ligjit ekzistues duke përfshirë edhe një sërë institucionesh ligjzbatuese, evidentuan gjithashtu nevojën e ndryshimeve që paraqiten në këtë projektligj.

 

Hapësirat ligjore dhe proceduriale që krijonte ligji ekzistues, krijonin në vijimësi problematika që vinin si pasojë edhe të veprimeve të pakoordinuara të prokurorive dhe gjykatave, të cilat nuk mund të shmangeshin vetëm në bashkëpunimin ndërinstitucional midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

 

Për këtë arsye me një grup të përbashkët pune, me Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK dhe institucionet e tjera ligjzbatuese u punua ngushtësisht për të kryer ndryshimet legjislative që ti shërbejnë punës dhe qëllimit të përbashkët por nga ana tjetër edhe për ti rezistuar kohës.

 

Ndryshime të cilat gjithashtu ju nënshtruan konsultimit të plotë dhe të thelluar me të gjitha autoritetet e përfshira në zbatimin e këtij ligji.

 

Ndryshimet e propozuara kanë konsistuar në thjeshtësimin dhe qartësimin e procedurave për letërporositë që mund të ekzekutohen drejtëpërdrejtë nga prokuroria në rastet kur objekt i tyre janë veprimet hetimore duke shkurtuar kështu kohën e procedurave që ndiqen.

 

Janë rregulluar procedurat ligjore, në rastet e urgjencës, kur autoriteti procedures duhet të veprojë drejtpërdrejtë për përkthimin e dosjeve hetimore si dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me autoritetet e huaja për ekzekutimin e letërporosive duke informuar në këtë mënyrë edhe Ministrinë e Drejtësisë.

 

Për herë të parë në ligj, pavarësisht se në praktikë ka patur disa raste të suksesshme të veprimeve me prokuroritë e huaja, parashikohet dhe rregullohen procedurat e krijimit dhe funksionimit të skuadrave të përbashkëta hetimore në përputhje me Konventën Europiane të ndihmës juridike. Kjo do ti japë mundësi organit të prokurorisë që të bashkëpunojë në skuadra të përbashkëta hetimore me rregulla të unifikuara me ligj.

 

Në fushën e ekstradimeve janë bërë disa ndryshime, për të siguruar disa garanci më tepër nga shteti kërkues lidhur me masën e dënimit referuar kriminalitetit të dyfishtë, të një dënimi më të rëndë apo dënimit me vdekje në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe konventat e ratifikuara.

 

Po gjithashtu, përmbushja e detyrimeve që Shqipëria ka përmes angazhimit politik të nivelit të lartë që ndërkohë i kemi marrë për të punuar me Task Forcën për Veprimin Financiar (FATF) dhe MONEYVAL, me qëllim forcimin e masave në luftën kundër pastrimit të parave dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes autoriteteve gjyqësore me shtetet e tjera, kemi parashikuar në këtë projektligj dispozita të posaçme në zbatim të këtyre rekomandimeve.

 

Parashikimi ligjor i marrëveshjes për dorëzim ose ndarje të pasurisë së konfiskuar, parashikon detyrimin se sendet e sekuestruara i dërgohen autoritetit të huaj gjyqësor me kërkesën e tij në ekzekutimin e letërporosive. Kjo bën të mundur plotësimin e parashikimit procedurial për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve për konfiskim , të cilat deri tani kanë hasur në një mungesë serioze zbatimi.

 

Shkëmbimi i të dhënave kriminale të shtetasve shqiptarë nga autoritetet e huaja është kryer mbi bazën e bashkëpunimit që Ministria e Drejtësisë ka patur me autoritetet e tjera të huaja mbi bazën e akteve ndërkombëtare, dhe duke e konsideruar tepër të rëndësishem konsolidimin e kësaj baze të të dhënave, kemi parashikuar në ligj ngritjen e Rregjistrit elektronik të gjëndjes gjyqësore të shtetasve shqiptarë, të shtetasve të huaj apo atyre pa shtetësi por me banim të përhershëm në shqipëri të cilët janë dënuar nga autoritete të huaja.

 

Ky regjistër do të administrohet nga Ministria e Drejtësisë, si autoriteti qëndror në marrëdheniet juridiksionale me jashtë. Baza e të dhënave për këtë regjistër do të ndërveprojë  me bazat e të dhënave të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë vendase dhe të autoriteteve juridiksionale të huaja në bazë të marrëveshjeve të bashkëpunimit reciprok dhe rregullimit me akte nënligjore.

Miratimi i këtj projektigji do të përmirësojë dhe lehtësojë të gjitha procedurat në rastet e marrëdhënieve të ndihmës juridike të ndërsjellë për ti shërbyer organit të akuzës në bashkëpunimin me autoritetet e huaja në luftën kundër kriminalitetit,

 

Më lejoni zonja nënkryetare e Kuvendit përpara se të ftoj kolegët deputetë për të votuar këtë iniciativë ligjore shumë të rëndësishme e cila është e fundit në këtë sesion, në këtë legjislaturë. Dua të përfitoj nga rasti për të falenderuar të gjithë kolegët deputetë të cilët në fakt kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme në këtë legjislaturë, për diskutimin dhe njëkohësisht miratimin të ligjeve shumë të rëndësishme, të cilat janë miratuar nga Qeveria dhe kanë qënë iniciativë e Ministrisë së Drejtësisë. Ligje të cilat kanë qënë për herë të parë, ligje të cilat kanë qënë pjesë integrale e reformës në drejtësi, pa bashkëpunimin edhe të opozitës, do të ishte e pamundur që ne ti miratonim dhe ti kemi sot në fuqi për të rritur efiçencën e sistemit të drejtësisë. Dhe për këtë dua të falenderoj vërtetë të gjithë kolegët deputetë, njëkohësisht me një falenderim të veçantë për deputetet gra të cilat kanë dhenë një mbështetje jo vetëm në punën tonë të përditshme si Ministre, por njëkohësisht edhe në mbrojtje të të drejtave të grave dhe të drejtave të njeriut. Dhe e fundit do doja një falenderim të veçantë për anëtarët e Komisionit të Ligjeve dhe anëtarët e Komisionit të Sigurisë me të cilët gjatë kësaj legjislature më është dashur më së shumti për të bashkëpunuar për të gjitha iniciativat legjislative. Dhe dua ti falenderoj për debatet konstruktive në shumicën e rasteve, por njëkohësisht edhe për kontributin e jashtëzakonshëm në përmirësim të të gjitha këtyre iniciativave që sot mund të themi që ndihemi krenarë që janë në fuqi.

 

Dhe një falenderim të veçantë për zonjën Hysi e cila do ti mungojë legjislaturës së ardhshme duke uruar dhe shpresuar që do të jemi përsëri në bashkëpunime shumë të mira sidomos në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së të drejtave të grave.

 

Ju Faleminderit!