Përshëndetje të gjithëve,
I nderuar Z. Dekan i Fakultetit të Drejtësisë ,
Të nderuar profesorë dhe kolegë,
Të dashur studentë,
Të dashur pjesëmarrës,
Eshtë një kënaqësi që jemi mbledhur sot këtu sëbashku me Dekanin Sokol Mëngjesi, për pritjen e këtij aktiviteti në këtë Ditë të shënuar Kombëtare të Drejtësisë, origjina e së cilës lidhet me Kanunin e Zhurisë të 1913. Jemi mbledhur sot këtu, pikërisht për të reflektuar jo vetëm mbi rëndësinë e kësaj dite për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, por edhe për zhvillimet dhe aktualitetin. Kjo është një ditë për tu kujtuar ku më mirë se përmes kësaj konference të bashkëorganizuar midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Fakultetit të Drejtësisë, dy tempuj të drejtësisë shqiptare.
Drejtësia shqiptare ka njohur sfida të mëdha, ndryshime të shpeshta, përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin, riorganizimin e drejtësisë shqiptare duke na lënë një trashëgimi të pasur juridike. Përtej progresit dhe pasurimit të konsiderushëm të legjislacionit për një periudhë të shkurtër historike, drejtësia ende nuk ishte drejtësia që aspironim të gjithë, qoftë si qytetarë, qoftë si ligjbërës apo si përfaqësues të sistemit të drejtësisë.
Projektimi i reformës në drejtësi ishte domosdoshmëri për një ndryshim thelbësor për të patur një sistem drejtësie të aksesueshëm për të gjithë, të drejtë, të paanshëm dhe transparent, por gjithashtu tregoi potencialin dhe kapacitetin profesional të juristëve tanë, të formuar pikërisht në këto banka, për të ideuar dhe konkretizuar reformën në drejtësi. Padyshim, si kurrë më parë, ky projektim u zhvillua dhe me asistencën e vazhdueshme teknike të BE-së dhe SHBA-së, të cilët vijojnë të na mbështesin me përvojën e tyre edhe në këtë fazë të zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Për mua ka qënë dhe vazhdon të jetë një privilegj, të angazhohem në cilësinë e Ministres së Drejtësisë që në fillesat e zbatimit të kësaj reforme, që i ktheu shpresat drejtësisë dhe të gjithë shqiptarëve.
Pa dyshim që zbatimi i një reforme komplekse, multidimensionale, që nuk mund të reduktohet në thjesht ndryshime ligjesh, por duhet të ngrihej në nivelin e sfidave me të cilat reforma u përball si ngritja në mënyrë të suksesshme e një arkitekture të re institucionale të sistemit të drejtësisë në një luftë të vazhdueshme me kohën. Nuk u mundësua tërësisht që që të gjithë afatet të ndiqeshin në kohë, disa herë për arsye objektive, e disa herë për shkak të mosmarrëveshjeve institucionale.
Por ka qënë dhe është vullneti i qëndrushëm i Qeverisë Shqiptare dhe i Ministrisë së Drejtësisë, për të përmbushur pritshmëritë e të gjithëve për të rikthyer besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, përmes rritjes së ndjeshme të eficencës së tij. Së fundmi me miratimin e paketës së eficencës së sistemit të drejtësisë, për të siguruar funksionimin eficient të sistemit, garant për gjyqtarët dhe prokurorët në ushtrimin e veprimtarisë së tyre kushtetuese në përputhje me parimet më të mira ndërkombëtare.
Sot me shumë krenari theksoj se kuadri ligjor i kësaj reforme është plotësuar me thuajse të gjjitha aktet nënligjore dhe arkitektura e re institucionale është e ngritur dhe funksionale. Jam e bindur se ndryshimet e miratuara në Kuvend në 7 maj të këtij viti do të lehtësojnë në mënyrë domethënëse stokun e cështjeve në gjykata, duke sjellë rezultate më të prekshme të reformës për të gjithë qytetarët.
Është një reformë që kërkonte shumë energji me mbështetje buxhetore të konsiderueshme, por pavarësisht nga kjo, Qeveria Shqiptare ka dhënë mbështetje të plotë dhe të pakursyer në mbulimin e të gjithë aspekteve buxhetore, infrastrukturore të institucioneve të krijuara rishtaz, ose atyre të reformuara thellësisht. Sikurse ka qënë i plotë angazhimi i ekspertëve shqiptarë në cdo hap të kësaj reforme si dhe bashkëpunimi me aktorët ndërkombëtarë, Ambasadën e SHBA-së, Komisioni Evropian dhe misionet e tyre.
Jemi më pranë se kurrë aspiratës për të patur një shtet të së drejtës dhe një sistem drejtësie të bazuar te pastërtia morale, aftësia profesionale dhe pavarësia nga politika.
Ne jemi duke kaluar një moment historik, për të vendosur një model të ri të drejtësisë, për të shënuar një kthesë aq domethënëse në Shqipëri, që mund të shërbei si model suksesi edhe për vende të tjera.
Tashmë vetë sistemi i drejtësisë duhet të veprojë në pavarësi dhe paanshmëri. Të gjitha institucionet e reja të drejtësisë, organet e qeverisjes, dhe korpusi institucional i krijuar për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhet që pas një faze të parë konsolidimi të veprimtarisë së tyre, të veprojnë në mënyrë proaktive, me përgjegjshmëri të lartë që të ndërmarrin hapat e duhur për vendosjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri në rrugën për t’iu përshtatur standardeve më të mira evorpiane.
Që të realizohen pritshmëritë e larta të krijuara, si për cdo reformë kaq kapilare, Reforma në Drejtësi kërkon ende kohën e saj , por jam e bindur se tashmë kemi një sistem të ngritur që do ti rikthejë nëpërmjet punës dhe rezultateve besimi qytetarëve në drejtësi.
Besoj se projektimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi markon momentin historik më të rëndësishëm të Shqipërisë post-komuniste dhe do të shërbejë për të nxjerrë vendin tonë nga tranzicioni i stërgjatur, duke konsoliduar shtetin e së drejtës dhe përforcuar demokracinë e vendit.
Historia jonë e shkurtër e drejtësisë na ka dhënë një mësim të paharrushëm, që gjithmonë duhet të jemi vigjilentë dhe që reformat në drejtësi nuk janë statike, nuk kanë një datë fillimi dhe mbarimi, sistemi i drejtësisë ka nevojë gjithmonë për përditësime, për të reflektuar ndryshimet e kontekstit ku ajo zbatohet, por pa u shkeputur kurrsesi nga parimet mbi të cilat është ngritur.
Hartimi, zbatimi i Reformës në drejtësi dhe konsolidimi i rezultateve është një histori suksesi e përbashkët, por edhe një përgjegjësi e të gjithëve.
Jam vecanërisht mirënjohëse që ndodhem midis jush në këtë ditë sepse Fakulteti i Drejtësisë, pedagogët, kërkimi shkencor ka një kontribut të jashtëzakonshëm për reformimin e drejtësisë në Shqipëri. Megjithatë, reforma nuk ndalet sot. Sfidat e aderimit të Shqipërisë në BE, kërkojnë domosdoshmërisht angazhimin tuaj për t’a sjellë drejtësinë shqiptare sa më pranë standardeve evropiane.
Mirënjohëse për punën tuaj, bashkëpunimi tuaj dhe për përgatitjen e brezave të rinj, që synojnë të përfshihen në sistemin e ri të drejtësisë me guxim,. Integritet dhe profesionalizëm.
Si Ministre e Drejtësisë ju garantoj bashkëpunim të plotë dhe dialog të hapur në cdo kohë,
Gëzuar Ditën e Drejtësisë!
Faleminderit!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.