Kolege dhe kolegë të nderuar
E dini se çfarë më ka bërë përherë përshtypje në morinë e madhe të informacionit që më ka ardhur dhe më vjen për shkak të detyrave? Sistemi I disa burokratëve shqiptarë shpërndarë andej-këtej në zyrat e administratës, me “nënkuptime dhe me shkelje syri”. Aq I sofistikuar në thjeshtësinë e tij, sa ua ka kaluar edhe burokracive të disa vendeve të zhvilluara. Ata për të cilët po flas nuk shpenzojnë as letër për të kthyer të paktën përgjigje. Veç thonë: Kalo njëherë nesër, të shohim nga java, ça të të thotë vllai është vështirë. E kështu ditë pas dite, javë pas jave, vëlla pas vëllai, ata që paguhen nga dhe për qytetarët, mendojnë se janë në punën e tyre private, dhe qytetarët ngelin dyerve e zyrave edhe pa mundur të ankohen.
Sepse zyrat e marrëdhënieve me publikun, të famshmet, që kanë qenë përgjegjëse direkte për ankesat e qytetarëve, u kthyen në shumicën e rasteve në fole ku strehoheshin miqtë e njërit apo të tjetrit. Pa trajtuar pothuajse fare ankesat, kërkesat, apo denoncimet e ardhura. Thjesht bëheshin delegime, që kush e di ku përfundonin. Sa e sa raste abuzimesh dhe abuzuesish mund të kenë shpëtuar nga kjo neglizhencë? Por edhe sa mijëra e mijëra qytetarë kanë mbetur pa zgjidhje, pa përgjigje, pa shërbimin që meritojnë?
Dhe ja pse vijmë tek projekligji që po diskutojmë sot. Çfarë arrijmë? Kryesorja: Luftë sistemike kundër korrupsionit, rryshfetit, paaftësisë në rradhët e administratës përgjatë dhënies së shërbimeve ndaj qytetarit, duke e bërë këtë të fundit kontrollor nëpërmjet instrumentave ligjorë. Si? Duke krijuar një mekanizëm të gjurmimit dhe trajtimit të ankesave që jep zgjidhje ligjore për çdo rast. Pra ankesa e qytetarit nuk ka mundësi të përfundojë në kosh, e grisur, e ngatërruar në protokoll, e harruar diku, apo ku di unë se çfarë shpikej tjetër. Pas këtij ligji, çdo ankesë qytetari merr zgjidhje.
Nëse ndonjëherë një qytetar arrinte të merrte përgjigje, do të kalonin javë e muaj. Por, ligji për bashkëqeverisjen, dixhitalizon marrëdhënien zyrtar-qytetar duke rritur jo vetëm cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit, por mbi të gjitha duke krijuar një sistem llogaridhënie të drejtëpërdrejtë të administratës qëndrore e vendore përballë qytetarit. Dhe nuk ka mik që të mbron nga kjo.
Me anë të këtij ligji dhe mekanizmave që ai ofron, bëhet e mundur sistemimi I administratës, duke krasitur të paaftët, duke riorganizuar strukturat dhe burimet njerëzore, pra me pak fjalë duke reformuar dhe hedhur themele të shëndosha në bazën e piramidës shtetërore. Pse jemi të sigurtë në sukses? Sepse për katër vite, duke funksionuar vetëm në bazë të një vendimi nga Këshilli I Ministrave, Agjencia ka pasur rezultate, tregohem modest duke thënë shumë të mira;
Në rreth 140 mijë raste totale të rregjistruara, rreth 54 mijë ankesa qytetarësh kanë marrë zgjidhje; rreth 900 nëpunës janë vënë përpara përgjegjësisë ligjore. Janë një sërë institucionesh ku qytetarët nuk kanë gjetur jo zgjidhje, po as mikpritje të paktën, ku një peshë kryesore të abuzimit, e mban institucioni i kadastrës me rreth 13.000 raste ankesash nga të cilat rreth 3000 të zgjidhura në favor të qytetarëve, përpos kësaj edhe me masa ndëshkimore për rreth 360 punonjës.
Ndërkohë, vetëm në nivel qëndror ka pasur rreth 80 mijë ankesa të trajtuara, pra në nivel ministrish dhe institucione varësie, nga të cilat rreth 44 mijë kanë marrë zgjidhje.
Në dy fatkeqësitë kombëtare që goditën vendin, tërmetin dhe pandeminë, duhet ta pranojmë me keqardhje se sërish ka pasur problematika. Në platformën e bashkëqeverisjes për problematikën e tërmetit u zgjidh problematika e rreth 2800 qytetarëve dhe biznese, ndërsa gjatë periudhës së pandemisë u zgjidhën problematikat dhe ankesat e rreth 33 mijë qytetarëve.
Bashkëqeverisja me qytetarët dhe Ministria e Drejtësisë, posaçërisht Drejtoria e Antikorrupsionit, pikërisht në saje të këtij ligji dhe mekanizmave që ofron ai, do jenë si dy enë komunikuese, secila me përgjegjësi thellësisht të ndara, por me interesa thellësisht të përbashkëta. Nuk ka nevojë që qytetari të shkojë e të përzgjedhë kutinë ku do të hedhë denoncimin e tij, apo të vrasë mendjen se ku hyn denoncimi I tij, tek antikorrupsioni apo tek bashkëqeverisja. Jo. Do të jenë specialistët e këtyre dy institucioneve që filtrojnë dhe ndajnë detyrat, e më pas ndjekin procedurat e parashikuara deri në përgjigjen zyrtare-finale që merr çdo qytetar. Në një parantezë të shkurtër, vetëm për muajin tetor, Drejtoria Antikorrupsion ka raportuar për masa disiplinore, gjoba, apo kallzime penale rreth 50 raste.
Unë do të përmendja mes të tjerash edhe një instrument tjetër të këtij ligji, që u siguron qytetarëve komunikim direkt me zv/ministrat, ministrat e kryeministrit, interpelancën, pra kërkesave për interpelencë nga qytetarët. Sigurisht që nuk do të zëvendësojnë deputetët, sepse qytetarët do të pyesin, e kërkojnë llogari për hallet e tyre.
Gjatë periudhës së deritanishme janë realizuar të paktën 42 interpelanca për çështje të ekonomisë, infrastrukturës dhe energjisë, shëndetësisë, arsimit, bujqësisë etj, si dhe 21 ture llogaridhënie në të gjithë Shqipërinë.
Dixhitalizimi nuk është abstraksion, është realitet. Bashkëqeverisja me qytetarët nuk është një ëndërr, është realiteti i kursimit të kohës dhe i kursimit në xhepat e qytetarëve. Shifrat nuk dinë të gënjejnë dhe as të dredhojnë: Qytetarët shqiptarë nëpërmjet sistemit të dixhitalizimit të shërbimeve kanë kursyer 766 vite në rradha dhe 6.5 milionë euro. E përsëris, janë kursyer 766 vite rradhë për çertifikata, vërtetime e shkresa që sot printohen me një klik si dhe janë kursyer 6.5 milionë euro. Ato 2 mijë lekëshat e pesë mijë lekëshat që jepeshin nën dorë për ato çertifikatat më lartë.
Pra me pak fjalë, ky ligj, bën të mundur, daljen në dritë të Diellit të aftësive të çdokujt në administratën shqiptare për të kryer detyrën e parë të tij sa kalon pragun e këtyre zyrave: Shërbimin ndaj qytetarëve. Ligji ka mekanizma për rritjen e transparencës e llogaridhënies, por ka dhe mekanizma që vlerësojnë me notë qytetare performancën e kujtdo pjese të administratës. Dhe sinqerisht nga informacionet që kam si Koordinator I përgjithshëm I luftës kundër korrupsionit, mund të them se në disa sektorë notat nuk do të jenë fort të pëlqyeshme. Unë besoj fort se ligji për bashkëqeverisjen, do të japë rezultate të shkëlqyera në luftën ndaj korrupsionit dhe abuzimit, në betejat e gjata me paaftësinë dhe kryesorja, në shërbimin ndaj qytetarëve me përulësi, ndershmëri dhe mirënjohje për besimin që na kanë dhënë.
Faleminderit
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.