Fjala e Ministrit të Drejtësisë, z. Naço, gjatë tryezës së diskutimit për drejtësinë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 31/10/2014

Fjala e Ministrit të Drejtësisë, z. Naço, gjatë tryezës së diskutimit për drejtësinë

Fjala e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço, gjatë tryezës së diskutimit rreth reformës në sistemin e drejtësisë dhe hartimit të strategjisë sektoriale 2014- 2020.

Të nderuar pjesëmarrës,

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se sfidat e ardhshme për Shqipërinë janë konsolidimi i shtetit ligjor dhe demokracisë. Marrja e statusit të vendit kandidat dhe rekomandimet përkatëse e ngarkojnë Shqipërinë me më shumë përgjegjësi. Dhe nisur nga këto rekomandime, reforma në sistemin e Drejtësisë duhet të jetë e thellë, e plotë dhe gjithëpërfshirëse, me një konsensus sa më të gjerë të mundshëm të politikës dhe me ekspertizën më të mirë vendase dhe të partnerëve ndërkombëtare.

Ky takim vjen si një tryezë pune, për të përcaktuar qartë shtyllat kryesore të reformimit të sistemit gjyqësor, atje ku u la në konferencën e 6 tetorit. Qëllimi i kësaj tryeze është nxitja e debatit konstruktiv, ndërmjet të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, e forcave politike dhe shoqërisë civile, ku do të diskutohen në detaje shtyllat kryesore mbi të cilat do të bazohet reforma në sistemin e drejtësisë.

Ky është një rast i mirë për të diskutuar dhe ndarë ide për nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Jo si një qëllim në vetvete, por si një kërkesë e pandryshueshme, e pandërprerë, e domosdoshme dhe në rritje për një standard të ri të zbatimit të ligjit në vendin tonë.

Vizioni i qeverisë shqiptare, mbështetet fort në garantimin e respektimit të parimit të kontrollit dhe të balancës së pushteteve. Rritja e integritetit brenda radhëve të sistemit, duke synuar pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizimin e tij, është qëllimi kryesor i reformave në drejtësi.

Reforma jonë do të përqëndrohet në këto shtylla:

  • Reformimi i Gjykatës Kushtetuese;
  • Reformimi i Gjykatës së Lartë
  • Reformimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë;
  • Reformimi i Konferencës Gjyqësore Kombëtare
  • Reformimi i Këshillit të Prokurorisë;
  • Reformimi i Shkollës së Magjistraturës dhe Edukimit Juridik Universitar
  • Reformimi i Organizimit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.

 

Për arritjen e këtij objektivi madhor kërkohet:

  • Kontributi i të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë në këtë proces;
  • Vlerësimi i mendimit dhe ekspertizës të shoqërisë civile
  • Vlerësimi i mendimit dhe ekspertizës të misioneve të asistencës të partnerëve ndërkombëtar (veçanërisht misionit Euralius ) përfshirë Komisionin e Venecias, etj.
  • Ndërveprimi i Legjislativit me Ekzekutivin;
  • Ngritja e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Reformën Ligjore.

Si fazë e parë kërkohet që për kryerjen e reformave të identifikohen problematikat konkrete duke ofruar masat konkrete ligjore, institucionale dhe organizative.

Në vijim, problematikat e evidentuar  do t’i nënshtrohet ekspertizës së një Komisioni të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, pranë Kuvendit, ku në përbërje të tij do të ketë ekspertët më të mirë vendas, të shoqërinë civile, si dhe ekspertë ndërkombëtar, si një instrument i përshtatshëm kushtetues për të ecur përpara drejt gjetjes së një konsensusi në evidentimin e problematikave dhe adresimin e tyre.

Përfshirja e grupeve të interesit, e shoqërisë civile, e publikut dhe në mënyrë të veçantë asistenca e ekspertëve vendas dhe të huaj, si dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, do të kontribuojë në realizimin me cilësinë e duhur të kësaj reforme. Në këtë tryezë, mirëpresim opinionin dhe mendimet tuaja, lidhur me çështjet problematike që do të merren ne shqyrtim. Diskutimi i çështjeve konkrete, që kanë lidhje me elementët dhe rrugët më efikase, është hap i rëndësishëm, ku do të përcaktoheshin drejtimet dhe nevojat për ndryshim.

 

Garantimi i standardeve kushtetuese, përmes rritjes së efektivitetit të Gjykatës Kushtetuese, forcojnë sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës nga njëra anë dhe nga ana tjetër kontribuojnë në konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm politik, ekonomik dhe shoqëror në vend. Kështu, ne mendojmë se është e nevojshme të ndërhyet në dispozitat në lidhje me emërimin e gjyqtarëve kushtetues, duke trajtuar në detaje çështjet që lidhen me kualifikimin e gjyqtarëve kushtetues dhe procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues. Ne jemi të mendimit se, ngritja e një Këshilli, që të shqyrtojë në mënyrë objektive, kritike dhe vlerësuese dokumentacionin, e paraqitur nga ana e kandidatëve, për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, i cili më pas do të bëjë edhe renditjen e aplikantëve, në bazë të një sistemi pikëzimi, mund të jetë një zgjedhje për t’u vlerësuar. Këshilli për Emërimet në Gjykatën Kushtetuese mendohet të ketë një përbërje të gjerë, përfaqësues nga Gjykata Kushtetuese, një përfaqësues i caktuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, një përfaqësues i caktuar nga Shkolla e Magjistraturës, një përfaqësues i zgjedhur nga Fakulteti të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, Akademia e Shkencave, përfaqësues të gjyqësorit të caktuar nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, personalitete të vendit etj.

 

Reformat kryesore që kërkohen edhe në Gjykatën e Lartë nuk mund të rregullohen drejtpërdrejt në ligjin për organizimin dhe funksionimin e gjykatës së lartë, Përshtatja e sistemit të emërimit me standardet e përgjithshme europiane ndoshta do të kërkojë ndryshime në Kushtetutë. Sidoqoftë, Gjykata e Lartë po përballet me një moment shumë delikat. Numri i çështjeve të mbartura është rritur në shifra që janë bërë të papërballueshme. Arsyeja kryesore është se në praktikë, palët ankimojnë çdo çështje para Gjykatës së Lartë, sepse kjo gjë lejohet në rregullat procedurale ekzistuese. Nga ana tjetër, ligji duhet të mbështesë shndërrimin e Gjykatës së Lartë në Gjykatë Karriere, nëpërmjet përcaktimit të kritereve transparente, për emërimin e gjyqtarëve me përvojë, duke i dhënë përparësi përvojës në gjyqësor dhe nëpërmjet konkretizimit të kërkesave të parashikuara në Kushtetutë. Ndryshimi i Kodit të Procedurës Civile dhe Penale do të çojë në reduktim drastik të çështjeve përpara Gjykatës së Lartë. Vendimet unifikuese duhet të jenë përparësi: procedura të tjera, të veçanta, gjithashtu, mund të shtohen.

 

Sikurse kam theksuar në Konferencën e përbashkët të 6 Tetorit, ndryshimet në Ligjin për KLD-në u diktuan më së shumti nga një nevojë imediate, për të frenuar situatën dhe praktikat e kundraligjshme të ndjekura nga ky Këshill. Edhe më parë kam theksuar gjithashtu se, këto ndryshime, ndonëse të domosdoshme, në funksion të transparencës dhe eficencës së KLD-së, nuk përbëjnë dhe nuk ezaurojnë reformimin e duhur të KLD-së. Në këtë kuptim, në kuadër të një reforme tërësore, KLD-ja mbetet institucioni kyç, ku duhet të fillojë dhe përfundojë reforma në sistemin gjyqësor. Modeli eksitues në KLD, natyrisht nuk është gjithpërfshirës, përsa kohë nuk përfshin Gjykatën e Lartë, në kuptim të emërimit, kontrollit dhe përgjegjësisë disiplinore. Sigurisht një model i tillë imponohet, për shkak të zgjedhjes që ka bërë Kushtetuta, përsa kohë që ka sanksionuar një sistem fragmentar, ku Gjykatat e Shkallës së parë dhe të Apelit përfshihen në kompetencat e KLD-së, ndërkohë që Gjykata e Lartë nuk është pjesë e këtij sistemi. Ndërkohë, disa vende të BE-së kanë një model, ku Gjykata e Lartë është e përfshirë në KLD, si përsa i përket emërimit, si dhe nga kontrolli dhe përgjegjësia disiplinore.

Jemi të mendimit se duhet të ndryshohen edhe kushtet për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Sot, si të tillë zgjidhen gjyqtarë prej jo më pak se 10 vitesh, në ushtrim të detyrës. Sipas këtij parashikimi, mbeten jashtë konkurrimit për të qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, prurjet nga Shkolla e Magjistraturës. Mund të themi se nga viti 2000 e deri më sot, janë rreth 150 gjyqtarë dhe po kaq prokurorë, të formuar nga kjo shkollë, që ushtrojnë detyrën e tyre në sistemin gjyqësor, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme e tyre, për shkak të mos përmbushjes së kushtit 10- vjeçar, janë të përjashtuar nga kandidimi si anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

 

Ministria e Drejtësisë, nisur edhe nga përvoja pozitive e kësaj shkollë në vite, por edhe nga vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë, çmon se duke ulur kushtin prej 10 vitesh, për të kandiduar si anëtar i KLD-se, do të bëjë të mundur që prurjet nga kjo shkollë të kenë një mundësi më shumë për të qenë të pranishëm dhe për të dhënë kontributin e tyre, si një vlerë e shtuar në këtë organ shumë të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, siç është KLD-ja. Disa vende, në zgjedhjen e modelit të tyre shkojnë dhe më tej, përsa kohë që kanë pjesë të funksioneve të KLD-së dhe prokurorinë, si pjesë të magjistraturës. Një model i tillë është ndjekur edhe tek ne përpara hyrjes në fuqi të Kushtetutës në 1998, ku Prokurori i Përgjithshëm ishte anëtar i KLD-së dhe Prokuroria ishte pjesë e kompetencave dhe e funksioneve të KLD-së. Natyrisht, nëse do të duhet të zgjidhet një model i tillë, kjo zgjidhje implikon zgjedhje kushtetuese, prandaj, kemi kërkuar që gjithë ky proces të bëhet në bashkëpunim me Komisioninn e Venecias dhe si një proces gjithpërfshirës të ketë jo vetëm konsensusin e aktorëve të fushës, por edhe të aktorëve të politikës. Kam parasysh këtu aktorët e opozitës, e cila duhet të jetë aktive jo vetëm për faktin e numrit të nevojshëm të votave, që kërkojnë ndryshime kushtetuese, por dhe për të garantuar një reformë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Sistemi aktual i vlerësimit të gjyqtarëve, nuk ka ecur me ritmet e duhura dhe nuk i përgjigjet realitetit. Konkretisht ka përfunduar vlerësimi për gjithë gjyqtarët për vitin 2005-2006, dhe aktualisht KLD ka filluar vlerësimin e gjyqtarëve për vitin 2007-2009. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë, ka përgatitur projektligjin “Për sistemin e vleresimit të gjyqtareve”, nëpërmjet të cilit synohet që gjyqtarët të kenë rol aktiv në procesin e vlerësimit. Sistemi i ri do të bazohet në vetvlerësim, të kryer nga vet gjyqtarët dhe më pas nga një verifikim nga ana e Inspektoriatit të KLD-së. Projekti është shpërndarë për mendim tek të gjithë aktorët e drejtësisë dhe organizmat ndërkombëtare, që na asistojnë në reformën në drejtësi.  Kjo reformë nuk do të jetë e shkëputur nga forcimi i sistemit të inspektimit dhe procedimit disiplinor, si dhe transparenca në funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në këtë drejtim. Ka ardhur koha që të përcaktohen qartë me ligj kompetencat, ndërmjet Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë dhe atij të KLD-së, të harmonizohen dhe të mos kenë mbivendosje dhe pse jo dhe të kenë kontrolle me tematikë të përbashkët. Reforma në konferencën gjyqësore kombëtare do të konsistojë më së shumti në rritjen dhe fuqizimin e kompetencave të këtij organizmi, në raport me të zgjedhurit e tyre në KLD-së. Kjo reformë do të konsistojë në drejtim të një selektimi më të kujdesshëm në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KLD-së dhe të një raporti llogaridhënie të vazhdueshme, midis të zgjedhurve prej tyre dhe  Konferencës Gjyqësore.

 

Reforma në Këshillin e Prokurorisë do të ketë objektiv kryesor zbatimin e njëjtë të parimeve në përzgjedhjen, emërimin, ecurinë në karrierë, fuqizimi i rolit të  Këshillit të Prokurorisë, duke e transformuar Këshillin ekzistues të Prokurorisë nga një organ këshillimor në një organ vendimmarrës përsa i përket emërimit dhe disiplinës për prokurorët, ristrukturimi i prokurorisë me qëllim përmirësimin e organizimit hierarkik dhe territorial të Prokurorisë, pavarësisë së saj dhe statusit të prokurorëve etj.

 

Pjesë e reformës do të jetë dhe reformimi i Shkollës së Magjistraturës, si struktura që furnizon gjykatat dhe prokurorinë me elementë të rinj. Në këtë aspekt, rishikimi i ligjit për Shkollën e Magjistraturës, me qëllim rritjen e pavarësisë dhe cilësisë programore të këtij institucioni dhe përcaktimi në ligj i kritereve për përzgjedhjen dhe karrierën e trupës pedagogjike të kësaj shkolle, janë masa legjislative që mund të konsiderohen si të dobishme. Unë kam bindjen, dhe besoj se kemi gjyqtarë dhe prokurorë me integritet, të cilët nuk korruptohen as politikisht dhe as ekonomikisht dhe që gjej rastin t’i inkurajoj dhe falenderoj publikisht. Për këtë arsye jemi po kaq të vendosur, që të ndërmarrim hapat e nevojshme, për mbështetjen e sistemit gjyqësor me burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore në përmirësimin e sistemit të gradave dhe karrierës së gjyqtarëve, si dhe rritjen e ndjeshme të pagave.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Konkluzionet që do të dalin në këtë tryezë do t’i shtohen dhe sugjerimeve /konkluzioneve të datës 6 Tetor, të cilat padyshim do të jenë si një udhërrëfyes në rrugën e reformave tona, do të publikohen dhe do të jenë në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe do t’i dërgohen aktorëve të rëndësishëm: Presidentit të Republikës, Kryetarit të Opozitës, Kryeministrit, si dhe Kuvendit të Shqipërisë, si i vetmi organ Kushtetues që shqyrton dhe miraton ligjet në Republikën e Shqipërisë. Integrimi i vendit është emëruesi i përbashkët, që duhet të na vërë në pozita bashkëpunuese, pasi në rrugën tonë nuk jemi vetëm, por bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë si Komisioni Evropian, OSBE, Komisioni i Venecias, EURALIUS, OPDAT, USAID, PAMEKA dhe gjithë projektet e tjera që mbështetin reformën në sistemin e drejtësisë, ku gjej rastin t’i falenderoj dhe njëherë publikisht.

 

Ju faleminderit!