Fjala e Ministres së Drejtësisë në Kuvend - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/11/2019

Fjala e Ministres së Drejtësisë në Kuvend

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë

 Sot po përmbyllim një ndër proceset me të rëndësishme për ngritjen dhe funksionimin e gjykatës Kushtetuese. Proces i cili konkludohet me votimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi ndërmjet kandidatëve më të mirë që kanë kaluar një proces verifikimi të figurës dhe pasurisë dhe janë renditur në bazë të aftësive dhe meritave të tyre nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese padyshim ka qënë një ndër cështjet më shqetësuese për të gjithë, duke e konsideruar si një ndër institucionet kyce që luan një rol themelor në garantimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, në përcaktimin e roleve të të gjitha organeve kushtetuese si dhe në funksionimin e vetë demokracisë së një vendi.

Ngritja dhe funksionimi i Gjykatës kushtetuese është një rekomandim dhe një shqetësim i të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian duke përbërë thelbin dhe një ndër kushtet për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Për këto arsye, procesi i emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese përbën një domosdoshmëri dhe duhet të jetë prioritet mbi cdo prioritet i të gjithë institucioneve të cilat duhet të veprojnë me përgjegjshmërinë maksimale në ushtrimin e detyrave kushtetuese.

Me reformën e re në drejtësi, ne lamë pas një model ku emërimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese realizohej nga ndërveprimi i Kuvendit me Presidentin e Republikës ku mungesa e profesionalizmit por edhe ndikimi politik në Gjykatën Kushtetuese ishte tejet i lartë.

Tashmë me sistemin dhe formulën e re të zgjedhjes së anëtarëve të gjykatës kushtetuese, ulet ndjeshëm ndikimi politik në zgjedhjen e anëtarëve, si dhe garantohet merita profesionale dhe integriteti i kandidatëve të paraqitur pranë organeve të emërtesës si Kuvendi ashtu dhe Presidentit, nga një organ i parashikuar në Kushtetutë siç është Këshilli i emërimeve në drejtësi.

Këshilli i emërimeve në Drejtësi ka kryer një proces të gjatë verifikimi dhe vlerësimi duke i paraqitur listën me kandidatët më të mirë sipas renditjes së pikëve, si Presidentit ashtu dhe Kuvendit.

Për fat të keq, edhe ky proces ashtu si cdo proces tjetër të reformës në drejtësi po shndërrohet në një instrument për të luftuar reformën në drejtësi dhe për të penguar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Por sot gjendemi në një debat publik, midis Presidentit dhe KED-së, i cili më shumë se sa debat ligjor dhe kushtetues është një debat politik.

Presidenti i Republikës pasi plotësoji një ndër vakancat e shpallura si organ emërtese,  duke zgjedhur mbi listën e KED-së dhe duke emëruar z. Besnik Muçi, për vakancën e dytë Presidenti nuk e ushtroi përgjegjësine e tij për të zgjedhur kandidaturën për në Gjykatë Kushtetuese.

Por duke mbajtur në konsideratë problemet në të kaluarën ku debati midis presidentit dhe kuvendit për kandidaturat shtyheshin me muaj dhe vite nëse nuk kishte një kompromis, mekanizmi zhbllokues i parashikuar në kushtetutë dhe në ligj ishte zgjidhja më e mirë për të shmangur bllokimet e të kaluarës për zgjedhjen e anëtarëve.

Po cfarë thotë Kushtetuta për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese?

Ose ai zgjidhet apo emërohet brenda afatit prekluziv kushtetues 30 ditor nga organi i emërtesës ose në rast të mospërzgjedhjes ose mos emërimit, kandidati i renditur i pari pas këtij afati shpallet automatikisht i emëruar.

Mungesa e shprehjes së vullnetit të Presidentit për vakancën e dytë, shpall automatikisht anëtar të Gjykatës kushtetuese, të parin të renditur nga Lista e KED-së, duke emëruar automatikisht anëtar të Gjykatës Kushtetuese znj. Arta Vorpsi.

Asnjë mjet tjetër nuk mund ta çbëjë këtë parashikim kushtetues, as me dekrete presidenti dhe as me letra në të cilat kërkohet pezullimi i një afati, që jo më kot Kushtetuta e ka parashikuar si një afat të pandryshueshëm, të pa pezullueshëm dhe pa asnjë mundësi për tu shtyrë.

Përndryshe nëse çdo organ emërtese do ti lihej në dispozicion mundësia për të bërë ndryshime, atëherë mekanizmi zhbllokues do të ishte një nulitet.

Por kushtetuta e ka thënë qartazi mënyrën e përzgjedhjes dhe afateve për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe askush duke përfshirë dhe Presidentin nuk mundet ta shkelë atë.

Presidenti i Republikës ka gabuar me shkresën që i ka dërguar KED-së për të pezulluar afatin, duke paraqitur argumenta tërësisht antikushtetuese dhe të pabazuar në ligj mbi një afat kushtetues 30 ditor të panegociueshëm, por të detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

Presidenti gjithashtu do gaboj rëndë nëse do të pasmarri ndonjë vendim tjetër të ndryshëm nga ajo çfarë ka vendosur kushtetuta lidhur me vakancën e dytë të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Të gjithë ne, betimin për ushtrimin me përgjegjshmëri të detyrës sonë e kemi kryer me dorën mbi kushtetutë, dhe ky dokument themeltar duhet të respesktohet dhe zbatohet deri në fund të detyrës sonë me përgjegjshmëri maksimale.

Askush nuk mund ti ndalojë dhe ti privojë një shteti dhe shtetasve të tij, pasjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe ne sot jemi në momentin më të rëndësishëm historik në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Tashmë është rradha e kuvendit të vendosë me shumicën e kërkuar nga Kushtetuta brenda këtij afati ligjor 30 ditor, përzgjedhjen e një prej anëtarëve nga lista e kandidatëve. Dhe me këto dy vendime të sotshme të Kuvendit, së bashku me znj. Vorpsi të emëruar automatikisht, numri i anëtarëve të Gjykatës kushtetuese arrin në 5 anëtarë, duke krijuar premisat për funksionimin e plotë të kësaj gjykate brenda pak javësh.

Unë jam e bindur përtej diskutimeve që bëhen në këtë sallë dhe në media se znj Vorpsi e zgjedhur automatikisht dhe anëtaret e reja që do ti shtohen kësaj gjykate, do të jenë një vlerë e shtuar për gjykatën kushtetuese duke rritur profesionalizmin dhe integritetin e anëtarëve të saj.

Prandaj ftoj të gjithë deputetët të votojnë kandidaturat për dy vakancat e gjykatës kushtetuese.

Faleminderit,