Fjala në Kuvend
I nderuar z.kryetar i Kuvendit,
Të nderuara zonja dhe zotërinj deputetë,
Të nderuar qytetarë!
Për shkak se kemi të bëjmë më rekomandimet e Prokurorit të Përgjithshëm koha duhet të ishte pak më e gjatë. Do tju lutesha znj. Drejtuese e seacës të kisha më shumë minuta.
Pavarësisht situatave delikate përmes të cilave kemi kaluar për shkak të pandemisë, dua të siguroj se puna për ndjekjen e prioriteteve ka vijuar me të njëtën ritëm, kjo jo vetëm se zbatimi i reformës në drejtësi është një ndër prioritetet kryesore të qeverisë por edhe për faktin se viti 2020 duhet të jetë një vit ku të fillojmë të shohim efektshmërinë e sistemit të ri të drejtësisë. Është reforma më e rendësishme që kemi ndërmarrë në këto 30 vitet e fundit tek e cila kemi investuar si maxhorancë shumë energji, shumë mbështetje financiare, kemi investuar besimin e njerëzve për një drejtësi të pavarur, të pakorruptuar, funksionale dhe të barabartë për të gjithë.
Dhe ky është momenti kur ky investim duhet ti kthejë publikut besimin e munguar në sistemin e drejtësisë. Sot diskutohet raporti i Prokurorit të Përgjithshëm mbi bazën e rekomandimeve prioritare të qeverisë në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2019, rekomandime të cilat kanë në thelb prioritetet tona për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave të subjekteve të lidhura me krimin, të krimeve në familje apo abuzimeve seksuale. Prioritete të cilat duhet të ndiqen nga prokurorë të pavarur, të paanshëm, të guximshëm, të pandikuar politikisht, që e bëjnë drejtësinë të barabartë për të gjithë. Emërimi i prokurorit të përgjithshëm në Dhjetor të vitit 2019 dhe krijimi i SPAK, padyshim janë dy shtylla të jashtëzakonshme dhe shumë të rëndësishme në rezultatet e reformës.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm që viti 2019 krahas të tjerave ka qenë edhe një vit intensiv në luftën kundër kriminalitetit ku ka patur një angazhim dhe bashkëpunim të të gjitha strukturave dhe që ka patur disa rezultate pozitive. Por ajo që pritet nga Prokuroria është më shumë.
Në mbështetjë të raportimeve të kryera, analizën e dokumenteve strategjikë qeveritarë, raportet e organizmave ndërkombëtarë, progres raportin e Komisionit Evropian, Raportin e Departamentit të shtetit përfshirë edhe të dhënat zyrtare të mbledhura, kemi evidentuar disa nga problematikat që janë evidentuar gjatë vitit 2019, dhe mbi bazën e të cilave janë bazuar dhe rekomandimet për vitin 2020.
Rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave për Prokurorin e Përgjithshëm për vitin 2019 kanë qenë fokusuar në 4 shtylla kryesore prioritare: Lufta kundër korrupsionit, Lufta kundër krimit të organizuar, të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional-ndërkombëtar.
Lufta kundër korrupsionit është një prioritet kyç që udhëheq punën tonë nga dita një, ku jo vetëm si Ministre e Drejtësisë por edhe në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, me një përgjegjësi në nivel kombëtar për luftën kundër korrupsionit, një sërë rekomandimesh drejtuar organit të prokurorisë lidhen me masat që duhet të merren në hetimin e veprave penale të korrupsionit.
Pavarësisht disa rezultateve pozitive për vitin 2019 në aspektin statistikor në veprat penale kundër korrupsionit, mbeten ende i ulët i numrit të hetimeve proaktive, i dërgimit të dosjeve në gjykatë.
Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, përpara se të jetë një rekomandim kryesor i BE-së është një detyrim i të gjithëve ne ndaj qytetarëve shqiptarë.
Forcimi i bashkëpunimit me organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit, është një tjetër drejtim prioritar për Qeverinë Shqiptare. Por kërkohet rritje të hetimeve proaktive, kërkohet një mobilizim me të gjitha strukturat ligjzbatuese dhe në mbështetje dhe koordinim për rritjen jo vetëm të numrit por të rritjes së cilësisë së hetimeve.
Një drejtim tjetër po aq i rendësishme është edhe bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar ku ndërmjet agjencive ligjzbatuese ndikon drejtëpërdrejtë në rritjen e efektivitetit të hetimeve ndaj grupeve të strukturuara kriminale dhe është premisë bazë për suksesin e veprimtarisë së organit të prokurorisë lidhur me hetimin dhe goditjen e kriminalitetit.
Rezoluta e Kuvendit apo edhe Rekomandimet e Qeverisë në luftën kundër kriminalitetit i drejtohen Prokurorit të Përgjithshëm, por pa dyshim nëpërmjet tij i drejtohet të gjithë organit të akuzës, prokurorëve të cilët kanë pavarësinë e hetimit dhe të gjitha institucioneve duke përfshirë dhe prokurorinë e posaçme.
Tashmë që kuadri institucional është në funksion, pritet një përmbushje më e mirë e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit, veçanërisht të atyre rekomandimeve që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Prokuroria duhet të ndahet nga mentaliteti i vjetër, prokuroria ka nevojë të largohet nga sëmundjet e vjetra.
Prokurorët duhet ta konsiderojnë punën e tyre një mision për të bërë drejtësi, drejtësi të barabartë si për të fortin dhe për të dobëtin, për të hetuar veprat penale pa vonesa, për të mos përdorur akrobaci proceduriale për të mbyllur apo mosshqyrtuar dosjet, për të mbështetur edhe atë policin e shtetit apo policin e burgut që vë jetën në rrezik duke u përpjekur për të mosfavorizuar askënd, për të zbatuar frymën e ligjit dhe jo thjesht gërmën e tij.
Ka ardhur koha dhe tani është momenti që Prokurorët të mbajnë anën e drejtësise me qëllimin e përbashket për të luftuar kriminalitetin.
Por në sistem ka shumë prokurore dhe prokurorë të përkushtuar të cilët duhet të vijojnë punën e tyre të virtytshme duke mos lënë të demoralizohen nga minuesit e reformës në drejtësi.
Lufta ndaj kriminalitetit është një përgjegjësi e përbashkët e të gjithë aktorëve dhe duhet konsideruar si e tillë, e për këtë arsye kërkohet më shumë bashkëpunim dhe bashkëveprim midis të gjitha strukturave të prokurorisë dhe agjensive ligjzbatuese vendase dhe të huaja.
Ju faleminderit!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.