The 2020 Albanian OSCE Chairmanship Conference:
“Good Governance and the Fight against Corruption in the Digital Era: Strengthening the Principles of Transparency, Integrity and Accountability”
Fjala e Ministres Gjonaj:
I nderuar Kryeministër Rama,
I nderuar Sekretar i Përgjithshem Greminger,
Të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë,
Si Ministër Drejtësie dhe në cilësine e Koordinatorit Kombëtar kundër korrupsionit jam e nderuar të marr pjesë në hapjen e kësaj konference të rëndësishme, nën kujdesin e Kryesisë shqiptare të OSBE-së për vitin 2020.
Në këto 29 vjet të pjesëmarrjes së Shqipërisë në OSBE, mbështetja dhe bashkëpunimi me shtetet anëtare për ne ka qënë një ndihmë e padiskutueshme në rrugën tonë të gjatë të reformave drejt standardeve evropiane dhe demokratike.
Ajo që na bashkon sot janë përpjekjet e shteteve pjesëmarrëse nga njëra anë, dhe ajo e Misionit të OSBE-së nga ana tjetër për llojin e qeverisjes që pasqyron transparencën, integritetin dhe përgjegjshmërinë, dhe e gjithë kjo në frymën e shkëmbimit të praktikave më të mira dhe mësimit nga njëri-tjetri në luftën tonë të përbashkët kundër korrupsionit.
Ndër objektivat kryesore të qeverisë shqiptare është forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta e korrupsionit, jo vetëm për të konsoliduar demokracinë, por edhe për të fuqizuar ekonominë e Shqipërisë.
Në këtë frymë reforma në drejtësi u miratua 4 vjet më parë. Eshtë një reformë e thellë e përmasave historike, e cila ka ndryshuar arkitekturën e sistemit shqiptar të drejtësisë me qëllimin e vetëm për të garantuar një sistem të drejtësisë të pavarur, efikas, të përgjegjshëm, pa korrupsion, i cili garanton një qasje dhe trajtim të barabartë për të gjithë, ndërsa rivendos besimin e publikut në gjyqësor.
Kjo reformë erdhi si një përgjigje ndaj shqetësimeve të publikut dhe thirrjes për ndryshime në sistemin e drejtësisë për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, por edhe si një parakusht për aspiratën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Eshtë përmes kësaj reforme që u ndërmor një proces i paprecedentë krahasuar me vendet e tjera – ky është procesi i vettingut, përmes të cilit të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët kalojnë përmes një filtri për të justifikuar pasurinë, figurën dhe profesionalizmin e tyre. Kjo realizohet nga komisione që janë plotësisht të pavarura dhe monitorohen nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit si një projekt i përbashkët BE-SH.B.A. për të garantuar që procesi i verifikimit të jetë sa më objektiv që të jetë e mundur. Deri më tani, më shumë se 60% e gjyqtarëve dhe prokurorëve të verifikuar, kanë dështuar procesin, si rrjedhim ose kanë dhënë dorëheqjen ose janë larguar nga puna. Por lufta kundër korrupsionit nuk ndalet këtu. Një sëre mekanizmadhe dhe institucione të tjera monitoruese janë krijuar për të garantuar paanshmërinë dhe integritetin e funksionarëve të sistemit të drejtësisë. Prandaj, krijimi i SPAK në dhjetor 2019 i ndjekur nga Byroja Kombëtare e Hetimit mbart si shpresën ashtu edhe peshën e nevojshme për të shënuar kthesën në luftimin e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, qe është gjithashtu një nga rekomandimet e BE-së.
Jemi vërtetë të nderuar që Shqipëria mban Kryesinë e OSBE-së këtë vit kur presim gjithashtu frytet më domethënëse të reformës në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, pas ngritjes së institucioneve te reja te drejtesise. Ne po bëjmë maksimumin që dy vlerat themelore – Drejtësi dhe Integritet – të bëhen shtylla te qëndrueshme të sundimit të ligjit në Shqipëri.
Lufta ndaj Korrupsionit ka shënuar një progres të vazhdueshëm në vitet e fundit sic është vlerësuar dhe nga raporti i fundit i Këshillit të Evropës, ndonëse jemi të vetëdijshëm që ende nuk jemi aty ku do të donim të ishim dhe duke patur parasysh dhe rekomandimet e Moneyval për të cilat Qeveria shqiptare po bën përpjekje intensive dhe serioze për ti adresuar dhe përmbushur sa më mirë ato. Në lidhje me rekomandimet e GRECO-s Shqipëria ka arritur të përmbushi 90% të tyre, duke dhënë kështu rezultatin më të mirë në këto 5 vitet e fundit.
Në këtë kohë, si Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit, ne jemi duke ndjekur një Strategji ambicioze Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit dhe Planin e saj shoqërues të Veprimit 2020-2023, i cili, për herë të parë, do të jetë pjesë e IPSIS, një sistem elektronik monitorimi, i cili do të sigurojë që Plani i Veprimit Kundër Korrupsionit të shtrihet horizontalisht në shumë institucione, duke vepruar në mënyrë paralele dhe të integruar. Ai gjithashtu do të sjellë një element të ri në përpjekjet ndër-institucionale të bashkëpunimit antikorrupsion: duke përdorur si metoda tradicionale ashtu edhe inovatore. Ne jemi duke eksploruar një mënyrë të re sesi mund ta përdorim teknologjinë jo vetëm për sa i përket dokumenteve strategjikë, por edhe hetimit të rasteve.
Aktualisht Ministria e Drejtësisë po punon për krijimin e një sistemi elektronik për gjurmimin dhe hetimin e rasteve të korrupsionit brenda administratës publike, me qëllim që provat dhe aktet korruptive mos të humbasin, fshihen apo zhduken gjatë hetimit.
Për më tepër, deri në fund të vitit 2023, ne planifikojmë të kemi një sistem elektronik për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve që rrjedhin nga krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe një sistem i integruar menaxhimi për raste të lidhura me korrupsionin.
Në kuadër të programit të transparencës, teknologjia është një instrument shumë i mirë i cili është duke u përdorur për të ndërtuar në secilin institucion publik platforma aktive të komunikimit me publikun, përmes të cilave ata mund të kërkojnë informacion mbi veprimtarinë e institucioneve. Teknologjia është një ndihmë e madhe në luftën kundër korrupsionit të vogël, prandaj kemi rritur numrin e shërbimeve online. Vetëm në janar të vitit 2020, 472 shërbime publike u vunë në dispozicion online, jo vetëm duke shmangur radhët e gjata dhe duke zvogëluar në mënyrë drastike kohën dhe kostot e shërbimeve të ofruara, por edhe duke eliminuar korrupsionin e sporteleve të shërbimit. Ne po planifikojmë që 90% e shërbimeve për publikun të kthehen online.
Lufta kundër korrupsionit është po aq e fortë sa është sinergjia midis agjentëve shoqërorë për ta bërë këtë. Nëse ata që promovojnë vlera të tilla si etika dhe integriteti, me fjalë të tjera aktorët e shtetit, aktorët e biznesit, akademikët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, veprojnë të izoluar nga njëri-tjetri, korrupsioni gjithmonë do të depërtojë, do të fitojë terren dhe do të gjejë mënyra të reja të rishfaqjes.
Prandaj, lufta kundër korrupsionit është një sfidë e përbashkët, një përpjekje e përbashkët dhe jo vetëm e vetë një kombi, por edhe një sfidë ndërkombëtare. Për sa kohë krimi dhe korrupsioni janë fenomene ndërkufitare, përpjekjet e izoluara të një shteti të vetëm nuk mund të sjellin kapjen dhe ndjekjen e suksesshme të atyre që sfidojnë sigurinë, mirëqenien dhe paqen.
Për këtë arsye besoj fuqimisht se kjo konferencë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së, të cilët punojnë fort për të thyer zinxhirin e korrupsionit vendas dhe ndërkombëtar, do të na japë përvojën e fituar, mësimet e marra dhe shkëmbimin e vlefshëm të informacionit për parandalimin e korrupsionit dhe vizionin për të ardhmen. Korrupsioni është inovativ dhe ne duhet të jemi inovativë në qasjen që marrim në trajtimin e tij.
Më lejoni në mbyllje të falënderoj me gjithë zemër përfaqësuesit e të gjitha shteteve pjesëmarrëse dhe ju uroj juve dhe të gjithëve ne fatin më të mirë sot gjatë konferencës dhe më tej në të ardhmen.
Ju Faleminderit!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.