Finalizohet masteri 'Administrimi i Institucioneve Sociale në Sistemin e Drejtësisë' - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 21/11/2014

Finalizohet masteri ‘Administrimi i Institucioneve Sociale në Sistemin e Drejtësisë’

Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ka marrë pjesë në diplomimin e brezit të parë master: “Administrimi i Institucioneve Sociale në Sistemin e Drejtësisë Penale”.

 

Nisja e një bashkëpunimi të mëparshëm mes Ministrisë së Drejtësisë, përmes Shërbimit të Provës, asistencës së OSBE-së në Shqipëri, dhe Universitetit të Tiranës, finalizuan krijimin e një programi masteri profesional ndërdisiplinor, të zhvilluar pranë Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit të Drejtësisë.

 

Qëllimi i kësaj iniciative synonte aftësimin e studenteve për të punuar në institucione sociale në sistemin e drejtësisë penale, duke vendosur një theks të veçantë tek puna e kryer nga Shërbimi i Provës.

 

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në ceremoninë e diplomimit, Ministri Naço theskoi ndër të tjera se përveç të paturit të një niveli të lartë ekspertize, puna në institucionet sociale të sistemit të drejtësisë kërkon edhe një ndërveprim përmes udhëheqjes së vlerave.

 

“Në kuadrin e rekomandimeve të Këshillit të Evropës, në lidhje me parimet mbi të cilat duhet të mbështetet puna e Institucioneve Sociale në Sistemin e Drejtësisë, lind nevoja e hartimit të politikave dhe praktikave, që do të shërbejnë për kryerjen e studimeve dhe vlerësimeve rigoroze, mbi njohuri të shëndosha shkencore dhe mbi një studim që plotëson standardet ndërkombëtare. Në Shqipëri, ku aplikimi i dënimeve alternative dhe puna për riintegrimin e të dënuarve në komunitet janë koncepte relativisht të reja, shihet si thelbësore që, nëpërmjet filtrave akademike, këto nocione, të paktën nga ana teorike të mbulohen nga programe akademike, duke marrë parasysh se ana praktike është tashmë e prekshme në përditshmërinë e punës së stafit, i cili merr pjesë në këtë program. Unë besoj se në institucionet sociale, pjesë e sistemit të drejtësisë, suksesi do të ishte i garantuar pikërisht nëse ata që punojnë në to, do të ndërthurin anën profesionale me diturinë e mendjes dhe  vlerat njerëzore”, tha z. Naço

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë z. Nasip Naço:

Jam vërtet i privilegjuar që sot më jepet rasti të marrë pjesë në një ceremoni kaq domethënëse.

 

Besoj realisht se vlera e çdo fjale që do të them sot, shkon përtej çdo artikulimi që shpesh më duhet të bëj për shkak të detyrës sime si Ministër, në rastet kur jam i detyruar të ashpërsoj shprehitë, ne përcjelljen e mezazheve të mia mbi rëndësinë e forcës së ligjit.

 

Pa dashur të përsëris një postulat të shumë përmendur, më lejoni të shpreh bindjen time të palëkundur se ‘Siç është arsimi sot, do te jetë kombi nesër’ dhe se kapacitetet e sotme shkencore dhe kulturore do të ndikojmë në të ardhmen e vendit, duke shërbyer si shtylla kurrizore e shoqërisë.

Në këtë kuadër më lejoni t’ju falenderoj për ftesën në këtë ceremoni diplomimi, të cilën e konsideroj si një ‘festë të dijes’, pas së cilës përmes rolit që gjithësecili prej jush ka ose do të ketë në shoqëri, uroj që të sjelli prosperitetit dhe të përpiqet pa pushim që t’i përdori frytet e dijes për të mirën e vendit të tij.

Ministria e Drejtësisë, përmes Shërbimit të Provës dhe me asistencën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ka finalizuar një bashkëpunim të frytshëm me Universitetin e Tiranës, nëpërmjet krijimit të një programi master profesional me emërtim: “Administrimi i Institucioneve Sociale në Sistemin e Drejtësisë Penale”, program ky ndërdisiplinor dhënë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit të Drejtësisë.

 

Ky program ka synuar aftësimin e studenteve për të punuar në institucione sociale në sistemin e drejtësisë penale, duke vendosur një theks të veçantë tek puna e kryer nga Shërbimi i Provës.

 

Kështu në vitin 2013, një pjesë e stafit të shërbimit të provës ka filluar ndjekjen e studimeve në këtë program, nëpërmjet mbështetjes me bursa studimi.

 

Gjej rastin të sjell në vëmendjen tuaj se si në vendet ku Shërbimi i Provës funksionon prej kohësh, ashtu edhe në vende ku funksionimi i tij është relativisht i ri, aplikimi i trajnimit të stafit nëpërmjet programeve akademike është tashmë diçka e stabilizuar dhe e domosdoshme.

 

Pra, modeli i cili ndërthur programin akademik, i cili i përgatit punonjësit në një kuadër të përgjithshëm, me trajnimet specifike për punën me të dënuarit, është modeli që në vendet e tjera po aplikohet aktualisht, për të marrë rezultate sa më cilësore.

 

Ky është dhe modeli i cili aspirohet dhe nga Shërbimi i Provës në Shqipëri si modeli më i suksesshëm.

 

Në kuadrin e rekomandimeve të Këshillit të Evropës, në lidhje me parimet mbi të cilat duhet të mbështetet puna e Institucioneve Sociale në Sistemin e Drejtësisë, lind nevoja e hartimit të politikave dhe praktikave, që do të shërbejnë për kryerjen e studimeve dhe vlerësimeve rigoroze, mbi njohuri të shëndosha shkencore dhe mbi një studim që plotëson standardet ndërkombëtare.

 

Nisur nga kjo nevojë, lajmi i mirë është se janë vendosur kontaktet me Rektoratin, me qëllim nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi, për sigurimin e punimeve kërkimore në fushën e Shërbimit të Provës, si gjatë ciklit Master ashtu edhe gjatë ciklit të doktoraturave PHD.

 

Në Shqipëri, ku aplikimi i dënimeve alternative dhe puna për riintegrimin e të dënuarve në komunitet janë koncepte relativisht të reja, shihet si thelbësore që,

nëpërmjet filtrave akademike, këto nocione, të paktën nga ana teorike të mbulohen nga programe akademike, duke marrë parasysh se ana praktike është tashmë e prekshme në përditshmërinë e punës së stafit, i cili merr pjesë në këtë program.

 

Unë besoj se në institucionet sociale, pjesë e sistemit të drejtësisë, suksesi do të ishte i garantuar pikërisht nëse ata që punojnë në to, do të ndërthurin anën profesionale me diturinë e mendjes dhe  vlerat njerëzore.

 

Përveç të paturit të një niveli të lartë ekspertize, puna në institucionet sociale të sistemit të drejtësisë kërkon edhe një ndërveprim përmes udhëheqjes së vlerave.

 

Programet e posaçme të studimeve master si p.sh ai për Shërbimin e Provës, japin një kontribut domethënës në krijimin e një sistemi arsimor shumë të rëndësishëm për procesin e punës për punonjësit e këtij institucioni, ofron mundësinë për ngritjen e kapaciteteve dhe për nxitjen e tyre drejt të menduarit strategjik, afatgjatë dhe të qëndrueshëm.

 

Trajtimi i të dënuarve në komunitet është shumëdimensional.

 

Fillon që nga njohja e fenomenit, pra e shkaqeve të cilat nxisin sjelljet kriminale dhe përfundon tek riintegrimi i personave të cilët kryejnë këto sjellje në shoqëri.

 

Programi master kontribuon në thellimin e njohurive të punonjësve që merren me trajtimin dhe vlerësimin e fenomenit, duke bërë të mundur njohjen e këtyre dimensioneve:

 

  • Dimensioni ligjor, i jep punonjësve njohuri të fazave, nëpërmjet të cilave kalojnë shkelësit e ligjit në sistemin e drejtësisë shqiptare.

 

  • Dimensioni sociologjik aftëson specialistët të kuptojnë drejt fenomenin e sjelljeve kriminale dhe ndërlikimet sociologjike të përfshira.

 

  • Në dimensionin psikologjik, shqyrtohen çështjet e nxitjeve të individit në kontekstin shoqëror dhe shtysat drejt sjelljeve kriminale. Të kuptuarit e këtyre shtysave, aftëson punonjësit të kuptojnë më mirë konstruktin personal të shkelësve të ligjit.

 

  • Në dimensionin kërkimor, specialistët aftësohen në lidhje me metodat kërkimore cilësore dhe sasiore dhe standardet e performimit të këtyre studimeve.

 

Në fund të fjalës sime gjej rastin të falenderoj përzemërsisht prezenceën e OSBE-së në vendin tonë, për krijimin e mundësive, që do të shërbejë si bazë për rritjen e performancës së kapaciteteve administrative, si dhe në zhvillimin e politikave të ardhshme, që ndër të tjera do të konsolidojnë praktikën e institucioneve sociale brenda sistemit të drejtësisë penale.

 

Të mësuarit gjatë gjithë jetës është një proces i natyrshëm, ndaj dhe duhet të shpresojmë se studentët, të cilët marrin diplomat e tyre sot, do të ndërtojnë shtigjet e tyre si udhëheqës të zotë, duke u prirur nga vlerat e vërteta, si dhe fryma e parimeve njerëzore.

 

Kam kënaqësinë, që si Ministër i Drejtësisë, t’ju ftoj të jepni kontributin tuaj të vlefshëm në fushatën antikorrupsion, në sistemin penitenciar, duke u përfshirë vullnetarisht, në këtë fushatë,  duke e shfrytëzuar këtë si një mundësi të mirë në shërbim të komunitetit dhe të karrierës tuaj të mëtejshme.

 

Gjej rastin të inkurajoj Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, por edhe institucione të tjera në varësi të Ministrisë së Drejtësisë,  për të shtrirë më tej këtë nismë,  me synim promovimin e një brezi të ri juristësh, të cilët që në ditën e parë të nisjes së karrierës së tyre, të jenë të plotësuar në drejtim të praktikave juridike.

 

Një urim të veçantë meriton stafi akademik, të cilët në rolin e mentorit ju kanë hapur sot një prespektivë të re, për të cilën meritojnë respekt.
Diplomimi është fillimi i udhëtimit tuaj të ri, që shpresoj se si destinacion do të ketë realizimin e ëndrrës dhe planit tuaj të preferuar.

 

Por momenti i sotëm është një fillim i ri edhe për ne që kemi për detyrë duhet t’ju ndjekim dhe mbështesim në endrrat tuaja.