Ekspertët holandezë: Reforma në Drejtësi “me rëndësi historike dhe në një shkallë të pa hasur më parë” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 22/05/2018

Ekspertët holandezë: Reforma në Drejtësi “me rëndësi historike dhe në një shkallë të pa hasur më parë”

  • Ekspertët holandezë: Reforma në Drejtësi “me rëndësi historike dhe në një shkallë të pa hasur më parë”

Reforma e sistemit të drejtësisë në Shqipëri është përshkruar si “revolucionare” dhe “e guximshme” nga ekspertët holandezë, të cilët morën pjesë në një tryezë diskutimi në Hagë.

Tryeza me tematikë “Shteti i së drejtës në Shqipëri dhe kontributi holandez dhe i Bashkimit Evropian” ishte organizuar nga Ambasada Shqiptare në Holandë në bashkëpunim me Qendrën për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar (Center for International Legal Cooperation).

Në këtë aktivitet ishin të ftuar për të shpjeguar reformën në drejtësi në Shqipëri, Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, Ministri i Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj, drejtuesja e Ekipit të EURALIUS-it znj. Agnes Bernhard dhe Eric Vincken, zëvendës drejtor i CILC-së.

Gjatë tryezës së diskutimit doli në pah se në vijim të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, e udhëhequr nga Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të zbatimit të reformës në drejtësi e cila ka si qëllim të rrisë profesionalizmin, efiçencën dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Zbatimi i reformës në drejtësi është kryer me ndihmën e ekspertëve të Bashkimit Evropian dhe veçanërisht ekspertët që përfaqësojnë Holandën të emëruar nga Qendra për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar (the Center for International Legal Cooperation (CILC). Gjatë diskutimeve doli në pah që modeli shqiptar i reformës në sistemin e drejtësisë është një nga modelet më të mira për reformimin e sistemeve të drejtësisë në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet e tjera. Me zbatimin e reformës në drejtësi, Shqipëria ka tejkaluar me reformat e saj edhe reformat e ndërmarra nga disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian. “Reformat në Shqipëri, kurrsesi nuk mund të konsiderohen kozmetike, përkundrazi mund të quhen si një përpjekje e guximshme dhe unike në llojin e saj”, deklaroi Robert Bosch, ish Ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe moderatori i tryezës së diskutimeve.

Në përgjigje të pyetjeve nga pjesëmarrësit, Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj si dhe Ministri i Brendshëm z. Fatmir Xhafaj, e bënë të qartë që çdo ndryshim i kryer si pasojë e reformës është konsultuar gjerësisht me organizatat e shoqërisë civile dhe aktorët e tjerë të interesuar nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, i cili ishte treguesi më i mirë i zhvillimit të kulturës demokratike në vend. Nga pjesëmarrësit u përmend edhe që reforma në drejtësi ishte një nga elementet kyç që bindi Komisionin Evropian për të rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Ministrja e Drejtësisë, gjatë fjalës së saj, u shpreh që: “Në Shqipëri sistemi i drejtësisë është rindërtuar nga themelet. Jo çdo njeri është dashamirës ndaj sistemit të ri për shkak se kanë shumë për të humbur. Rrjedhimisht, ndryshimet rrënjësore në sistemin ligjor shqiptar nuk lidhen vetëm me ligjet dhe rregullat por edhe me zemrat dhe mendjen e njerëzve”.

Më tej, përpara auditorit, Ministrja Gjonaj deklaroi që “Ne jemi krenarë që jemi asistuar nga një numër ekspertësh dhe akademikësh me eksperiencë, si edhe nga ekipi i CILC-it, për ndryshimet e mëdha që po ndërmarrim dhe të cilat qysh tani, kanë sjellë shumë zhvillime. Pa ndihmën e vendeve të tjera, qeveria dhe administrata publike do e kishte të vështirë të ndërmerrte reforma të një shkalle të tillë”

Eric Vincken, zëvendës drejtori i CILC-it, përgjegjës për drejtimin e ekipit të ekspertëve holandezë tha “Reforma ligjore në Shqipëri është e një shkalle historike dhe e pashoqe. Nuk është bërë kurrë më parë. Ka ndryshuar pothuajse çdo nen dhe kapitull të legjislacionit shqiptar. Gjithashtu, ne vlerësojmë miratimin në parim të marrëveshjes së Eurojust nga Shqipëria. Nëpërmjet pjesëmarrjes së Shqipërisë në platformat e tjera ndërkombëtare ajo është shndërruar në një anëtare me të drejta të plota të ekosistemit ligjor global. Hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të nxisë më tej qeverinë për të vijuar me reformat rrënjësore në Shqipëri”.

Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm, në cilësinë e ish kryetarit të Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi u shpjegoi të pranishmëve domosdoshmërinë për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, e kushtëzuar kjo nga niveli profesional, mënyra se si funksiononin institucionet drejtuese të sistemit, si dhe perceptimi negativ që publiku shqiptar kishte tek sistemi i drejtësisë. Sipas z. Xhafaj ajo çka pritet nga kjo reformë është pastrimi i radhëve të sistemit nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të paaftë dhe të lidhur apo ndikuar në vendimmarrjen e tyre nga bota e krimit, krijimi i institucioneve të reja që sigurojnë më shumë pavarësi të sistemit, krijimi i mekanizmave që garantojnë balancë dhe kontroll efektiv të sistemit në luftë me koorporatizmin dhe korrupsionin.

Në takim foli edhe znj. Agnes Bernhard, drejtuesja e ekipit të EURALIUS-it, e cila ndau me të pranishmit rolin që ka luajtur EURALIUS-i në hartimin e reformës, si dhe në zbatimin e saj.

Në përmbyllje të takimit, z. Borsch vlerësoi reformat e rëndësishme që qeveria shqiptare ka ndërmarrë, si dhe deklaroi që për sa i përket kapitullit 23 dhe 24, në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria është shumë here më e avancuar se sa shtete të tjera të rajonit, të cilat i kanë hapur negociatat e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian.